Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave
Më shumë kënaqësi sot njoftoj që kemi miratuar në qeveri një projektligj shumë të rëndësishëm për sektorin e energjisë elektrike dhe në fakt projektligjin e rregullimit të sektorit të energjisë elektrike.
Duhet të kuptojmë që reformat energjetike ndodhin një herë në 10 vjet apo 15 vjet. Ligji i mëparshëm ishte i vitit 2015, që bëri transformimin e sektorit energjetik në Shqipëri, por edhe iu përgjigj të gjitha sfidave të kohës. Kishte ardhur momenti për të bërë një projektligj të ri që rregullon dhe implementon të gjithë kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, por jo vetëm.
Ky projektligj i ri që ne kemi miratuar sot në qeveri dhe që miratohet në parlament shumë shpejt besoj, ka disa elemente shumë të rëndësishme.
Së pari, përsa i përket rregullimit të sektorit të energjisë elektrike, e fut Shqipërinë në një koncept komplet të ri, duke futur dhe duke parashikuar edhe përkufizime dhe elemente të tjerë që nuk ishin në ligjin e mëparshëm, siç është depozitimi apo storage që quhet, apo forma të reja agregimi për vetëkonsumatorët, që kanë shumë interes për të gjithë qytetarët dhe për bizneset, por edhe gjithë rregullimin e sektorit energjetik, duke e futur në fazën e re, aty ku ndodhet Shqipëria. Sot nuk kemi më vetëm burime energjie hidrike dhe jemi në faza, le të themi, mungese sigurie furnizimi me energji elektrike. Sot ne jemi në një fazë komplet tjetër ku energjia fotovoltaike ka kaluar mbi 10% të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike. Energjia e rinovueshme ka marrë një hov të ri ose me anë të ankandeve, ose me anë të ndërtimeve dhe zhvillimeve në tregun e lirë. Dhe në këtë kuptim, ky rregullim i ligjit të ri të sektorit të energjisë elektrike vjen si një moment shumë domethënës për etapën ku ndodhet sot Shqipëria.
Projektligji ka kaluar në të gjitha fazat e konsultimit me grupet e interesit. Kemi bërë mbi dy-tri tryeza me grupet e interesit ku janë marrë në konsideratë të gjitha komentet e tyre.
Elementi i dytë që po ashtu është shumë i rëndësishëm për këtë projektligj të sektorit të energjisë elektrike është komponenti i integrimit evropian. Projektligji i sektorit të energjisë elektrike ishte detyrim i Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, por jo vetëm. Ishte edhe detyrim në kuadër të Growth Plan apo Planit të Rritjes, ku me miratimin e tij Shqipëria do marrë edhe ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian. Një nismë shumë e mirë dhe shumë kënaqësi nga ana ime që ta propozoja sot në qeveri dhe të miratohej.
Një nismë tjetër përsëri që lidhet me ndryshimet transformuese të sektorit energjetik ishte dhe miratimi i një impianti energjie fotovoltaike me kapacitet 96 mega. Pse doja ta theksoja këtë? Sepse është e rëndësishme të kuptojmë që sot Shqipëria ka hyrë në një fazë tjetër transformuese përsa i përket energjisë elektrike. Energjia e rinovueshme fotovoltaike po merr një zhvillim shumë të madh për shkak edhe të gjitha reformave që ka marrë Qeveria Shqiptare. Dhe sot gjendemi në një moment, për t’ju dhënë një shembull, kaskada e Fierzës sot është e fikur për shkak se prodhohet nga energjia fotovoltaike. Në fund të ditës, të gjitha ato gjëra që janë thënë vitet e shkuara dhe ku kërkonim që ne të arrinim në sektorin e energjisë elektrike, gjendemi sot që kemi këto burime të reja të energjisë së rinovueshme që ndihmojnë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në Shqipëri.
Përgjigjet e pyetjeve
Aeroporti i Vlorës, siç tashmë, fatkeqësisht do thosha përsa i përket Qeverisë Shqiptare, është bërë mediatikisht i njohur kudo, ka një mosmarrëveshje tregtare, civile, ndërmjet dy ortakëve të tyre. Duhet të theksojmë faktin që këto ortakë kanë ardhur vetë me anë të një marrëveshje bashkimi shoqërish dhe kanë ofertuar për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës. Ka një mosmarrëveshje tregtare ndërmjet tyre, e cila patjetër është bërë edhe publike dhe mediatike dhe ka dhënë edhe një lloj le të themi, impakti përsa i përket optikës dhe imazhit të këtij aeroporti.
Doja të theksoja disa gjëra. E para njëherë, ministria gjatë gjithë kohës ka qenë shumë e kujdesshme në të gjitha komunikimet me operatorët, pse? Normalisht ne duam që të zbatojmë kontratën koncesionare, megjithatë, unë i kam dërguar një shkresë së fundmi, ku i kam kërkuar në mënyrë absolute që mosmarrëveshjet tregtare civile që ato kanë me njëri-tjetrin, nuk duhet të jenë shkak për bllokimin apo mosoperimin e Aeroportit të Vlorës, duke i vendosur po ashtu një afat 30-ditor që të zgjidhin këtë mosmarrëveshje civile që kanë me njëri-tjetrin, dhe duke u angazhuar edhe unë si ministër dhe si ministri, që nëse e kanë të nevojshme dhe të ulemi dhe ti ndihmojmë për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
Fakt është, që dhe ju e keni parë të gjithë, që aeroporti ka ecur në punimet avancuara. Pra, është i ndërtuar, pista është e ndërtuar dhe jemi në përfundim, nuk mundet ta them fiks sa është përqindja e punimeve, por është shumë evidente, secili nga ju e ka parë në imazhe të bëra publike, që aeroporti ka ecur mirë përsa i përket avancimit të punimeve civile. Patjetër që ne do marrim të gjitha masat e nevojshme që ai aeroport të përfundojë dhe të jetë operativ sa më shpejt. Përfundimi i tij patjetër do bëhet në mënyrën sa më të shpejtë të mundshme, sipas afateve që vetë kompanitë kanë kërkuar për t’i vënë. Ndërkohë, po ashtu, element i rëndësishëm që dua ta theksoj, faktin që për çdo ditë vonesë dhe për çdo muaj vonesë ka penalitete. Ne tashmë kemi lëshuar penalitetet e para, faturat e para të penalitetit për vonesat përkatëse. Por, ajo çfarë është më e rëndësishme të theksojmë, është që aeroporti do ndërtohet dhe do jetë operacional.
***
Të falënderoj për pyetjen. Së pari, është evidente që një mbikalim është duke u ndërtuar, që është mbikalimi përballë një qendre tregtare aty, që patjetër do krijojë mundësinë e kalimit të banorëve. Dhe sigurisht që jemi krejtësisht të hapur që të ulemi dhe të shohim, nëse ka nevojë shtesë për mbikalime, të ulemi me grupet e interesit dhe të shikojmë se cilat janë mundësitë.
Ajo çfarë është rëndësishme është që aty puna po ecën. Ne kemi përfunduar 6 kilometrat e parë dhe në qoftë se, kam përshtypjen, çdo qytetar që kalon me automjet e konstaton që faza pasardhëse është në punime të avancuara. Ajo shkon deri, le të themi, kalon edhe mbikalimin e Kasharit, deri pothuajse te Cassa Italia, dhe bën përsëri dyfishimin e rrugës. Plani është që duhet edhe të demolohet mbikalimi i Rinasit dhe të ndërtohet një mbikalim i ri që të krijojë hapësirën e katër korsive.
E kemi të pamundur të punojmë për demolimin e atij mbikalimi gjatë sezonit veror. Do fillojë shumë shpejt menjëherë pas sezonit veror, pasi është pjesë e fazave të punimit që janë duke u ndërtuar gjatë kësaj kohe. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe dhe periudhës së sezonit veror, siç edhe mund ta shikojë çdonjëri, është duke u punuar me ritme shumë kënaqshme për të përfunduar segmentin që thashë, kalon edhe mbikalimin e Kasharit dhe shkon pothuajse deri te Casa Italia. Ndërkohë, ARRSH-ja është duke punuar edhe me grupet e interesit për hyrjet dhe daljet të subjekteve tregtare në të gjitha nyjet përkatëse, siç është nyja e Rinasit apo nyjet e tjera, sepse patjetër ajo rrugë i shërben qytetarëve, por ne e dimë që aty ka dhe subjekte tregtare që janë në të dyja krahët e rrugës, dhe jemi duke i parë me vëmendje të gjitha propozimet që na vijnë nga grupet e interesit.
Të shpjegova, për mbikalimin e këmbësorëve, është duke u punuar mbikalimi që është evident, që ka dhe një kufizim korsie, që është te një qendër tregtare. Tani, në qoftë se ka nevojë për mbikalime të tjera, krejtësisht dashamirës që të ulemi të shikojmë se ku mund të shtohen mbikalime të tjera.
Po, aty kanë qenë tre mbikalime, por kjo nuk nënkupton që ato tre mbikalime, dhe ne e dimë të gjithë, kanë qenë edhe të papërdorshme. Nuk kanë qenë të përdorura. Dhe patjetër, siç e thatë edhe ju, edhe për shkak të, le të themi, papërgjegjshmërisë që qytetarët kanë për të kaluar nga njëri segment i rrugës dhe duke bërë dhe aksidente. Nëse ka nevojë për mbikalime të tjera, hajde të ulemi t’i shikojmë sepse mund të shtohen gjatë rrugës.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë