Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Sot në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar një projekt shumë të rëndësishëm infrastrukturor për qarkun e Shkodrës që quhet “Porta e Alpeve” dhe nënkupton një marrëveshje financimi me Bankën Europiane të Investimeve në vlerën 50 milionë euro dhe 50 milionë euro të tjera janë angazhuar nga qeveria e Shqipërisë për tu alokuar nga Buxheti i Shtetit. Pra kemi një vlerë 100 milionë euro që shkon për atë që quhet “Porta e Alpeve”, qarkun e Shkodrës, në lidhje me projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta.
Çfarë konsiston? Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë, ku komponenti i parë ka të bëjë me rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe qendrave multifunksionale, duke i dhënë hapësira më të mira qytetarëve të gjithë qarkut.
Komponenti tjetër ka të bëjë me investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe pjesën e Malësisë së Madhe dhe pjesën e alpeve.
Komponenti tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me investime në rrjet kanalizimesh dhe ujësjellësi, si dhe pjesët që lidhen me transportin urban, por edhe gjithë ato elementët turistike për menaxhimin e ndotjes urbane.
Së fundmi, pse është shumë e rëndësishme kjo marrëveshje, sepse me anë të kësaj marrëveshje krijojmë për herë të parë një korridor të integruar midis Alpeve dhe bregdetit Adriatik, duke krijuar kështu në këtë mënyrë një mundësi për të patur një sezonalitet të plotë turistik nga dimri në verë dhe duke qëndruar më afër qytetarëve dhe për të përmirësuar në zhvillimin ekonomik të gjithë qarkut Shkodër.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë