Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave
Përshëndetje të gjithëve!
Unë jam këtu sot për të paraqitur katër nisma të marra sot për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në Komitetin e Programeve Strategjike sot u miratua një nisëm shumë e rëndësishme, sistemin e kanalizimeve për qytetin e Durrësit dhe konkretisht për tre zona, Spitallë, Porto Romano dhe Shkozet. Ky është një aplikim që do bëhet në kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor. Ka një vlerë rreth 67 milionë euro, nga të cilat nëse përfitohet ka rreth 47.7 milionë euro grant. Patjetër në këtë projekt ne mbështetemi nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, në kuadër të nismës së dy marrëveshjeve qeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Francës së vitit të kaluar. Pse është i rëndësishëm ky projekt? Sepse, së pari ndërtojmë kanalizime në një zonë rezidenciale të Durrësit duke i dhënë zgjidhje totale qytetit të Durrësit, trajtimin e ujërave të ndotur në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur. Po ashtu ka një element të rëndësishëm edhe përsa i përket detit pasi edhe ujërat e ndotur apo ujërat e shiut tashmë trajtohen nëpërmjet impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur. Siç e thashë ky është një projekt i miratuar ditën e sotme në të cilën do të aplikohet në kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u mor një vendim i rëndësishëm përsa i përket hekurudhës Tiranë-Durrës. Një hua me Bankën Europiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit me vlerën rreth 11.7 milionë euro nga e cila edhe këtu me anë të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor ne kemi përfituar rreth 12.5 milionë euro grant. Ky është një projekt që ka një vlerë të rëndësishme sepse vagonat apo gjithë trenat e kësaj hekurudhe do të jenë të elektrifikuar. Kemi elektrifikimin e hekurudhës Tiranë-Durrës duke bërë kështu që së pari, ulim dhe kemi zero emetime karboni. Së dyti, futemi në vendet e zhvilluara të cilat patjetër kanë kaluar në elektrifikim të hekurudhave. Mund të vijohet pastaj edhe me përdorimin e energjisë së rinovushme për përdorimin e energjisë në këtë hekurudhë dhe patjetër që i jep zgjidhje fundore dhe të gjithë projektit të hekurudhës Tiranë-Durrës, duke përmbyllur edhe ciklin e elektrifikimit.
Në mbledhjen e Qeverisë janë miratuar edhe dy vendime shpronësimi. Një shtesë shpronësimi në qytetin e Shkodrës, në hyrjen e qytetit, e cila tashmë mundëson vijim edhe aty ku kishte mbetur për disa segmente shpronësimi të zgjerimit të hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe një shtesë po ashtu shpronësimi për nyjën e Milotit e cila edhe ajo kishte dy elementë shpronësimi që kishin nevojë të adresoheshin. Të dyja këto vendime shpronësimi bëjnë të mundur përmbylljen e këtyre dy investimeve.
Faleminderit.
Përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve:
Në fakt është bërë dhe publike, e pashë para se të hyja këtu, që kishte dalë edhe në disa media, tërheqja e ofertuesit në këtë garë. Po, në fakt kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm që kishte mbetur nga kjo garë, me një arsye krejtësisht ekonomike, duke qenë se për shkak të rritjeve të kostove dhe efekteve të krizës, ka një rritje të kostove totale të ndërtimit në përgjithësi dhe patjetër ofertuesi ka bërë një tërheqje, duke e justifikuar me qëllimet ekonomike, të cilën komisioni do vijojë me vijimin e procedurës.
***
Patjetër, dua të rikujtoj faktin që para dy ditësh kryeministri u shpreh për këtë projekt, i cili e tha shumë qartë që ka aktorë të llojeve të ndryshëm, të cilët përpiqen që ta frenojnë dhe sabotojnë këtë projekt shumë të rëndësishëm infrastrukturor të vendit për qëllime të ndryshme, duke përfshirë dhe qëllime ekonomike. Patjetër ne do të ndërtojmë një skenar tjetër, në bashkëpunim me qeverinë dhe çdo faktor apo aktor tjetër, nuk do mundet që ta frenojë këtë projekt, sepse ky është një projekt shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
***
Ky është një aludim. Unë di që gjatë gjithë procesit të prokurimit të kësaj gare, Autoriteti Portual i Durrësit është konsultuar dhe ka patur një kontratë të posaçme me kompaninë më të madhe do thoja në botë, përsa i përket çështjeve portuale, Royal Haskoning, të Holandës dhe patjetër gjithë dokumentet ligjore kanë qenë pjesë e vlerësimit të tyre. Kështu që unë mendoj që konsulenti Royal Haskoning do e kishte parë nëse do kishte patur këto lloj ndërlidhjesh që thoni ju.
***
Dua të theksoj, siç e thashë, projekti i Porto Romanos ka mbi 2 vite, i cili është ideuar me konsulencën e Royal Haskoning dhe patjetër ka patur fazat e veta procedurale. Kushdo ka mundësinë që të shprehë opinione mbi këtë projekt, por fakti është që ky projekt ka qenë i standardeve dhe është i standardeve ndërkombëtare dhe siç e thashë edhe i konsultuar nga kompania më e madhe e porteve në botë.
***
Nuk ka vonesa sepse Marina është e ndarë në disa faza dhe kontraktori është duke punuar në fazën përkatëse, e cila nuk ka lidhje fare me pjesën për të cilën jemi duke folur.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë