Ministri Karakaçi në Ministerialin për Energjinë në Mal të Zi - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 23/04/2026

Ministri Karakaçi në Ministerialin për Energjinë në Mal të Zi

Prononcimi i Ministrit Enea Karakaçi, i pranishëm në Ministerialin për Energjinë, organizuar në Mal të Zi:

Ishim sot në Mal të Zi, në Ministerialin e Energjisë, përsa i përket procesit të Berlinit dhe përsa i përket të gjitha masave që shtetet e rajonit të Ballkanit janë duke marrë për përafrimin në Bashkimin Europian. Ky ishte një Forum mjaft i mirë, kishte një bashkëbisedim ndërmjet institucioneve financiare ndërkombëtare, ministreve të Energjisë, por edhe të gjithë aktorëve privat që duan të investojnë në rajon. Edhe një herë u theksua mjaft qartë të gjitha politikat mbështetëse që Qeveria Shqiptare ka realizuar për energjinë e rinovueshme. Shqipëria vazhdon të jetë kampion në energjinë e rinovueshme nëpërmjet të gjitha skemave mbështetëse të ankandeve, por jo vetëm edhe investimeve që tashmë kanë marrë jetë si në rastin e energjisë fotovoltaike, të cilat janë realizuar pa mbështetje qeveritare dhe vetëm me iniciativë private.

Problematikë që ngritën të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor është taksa e re e karbonit e implementuar nga Bashkimi Europian që nënkupton që çdo prodhim energjie elektrike jo e rinovueshme në vendet e rajonit do të taksohet shtesë nga Bashkimi Europian. Edhe këtu, ky është një oportunitet shumë i mirë që Shqipëria duke qenë kampion i energjisë së rinovueshme në rajon, të shfrytëzojë këtë potencial dhe të rrisë investimet në energjinë e rinovueshme.

Kjo politikë e Bashkimit Europian gjen Shqipërinë shumë të përgatitur dhe madje në një proces më konkurrues me të gjitha vendet e tjera.