» MIE – Polici e Shtetit bashkëpunim për garantimin e integritetit të territorit, zhvillimeve të infrastrukturës dhe sigurisë rrugore
Postuar më: 28/03/2019

MIE – Polici e Shtetit bashkëpunim për garantimin e integritetit të territorit, zhvillimeve të infrastrukturës dhe sigurisë rrugore

Fjala në Kuvend e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,

Rregullimi i territorit ka qenë një sfidë e qeverisë Rama që në krye të herës. Reforma e thellë dhe drastike në këtë sektor, solli domosdoshmërinë e përfshirjes së uniformave blu, për të vendosur rend dhe ligj aty ku ishin harruar prej vitesh. Zaptimi i pronës shtetërore dhe private, mosrespektimi i normave komunitare dhe bazike të jetës apo shkeljet flagrante dhe abuzive, kërkuan ndërhyrje rregullatore, të cilat nuk do të realizoheshin pa mbështetjen e pakursyer, me profesionalizëm të plotë të Policisë së Shtetit. Askush nuk do ta besonte se kioskat kërpudha do të zhdukeshin nga qendrat e lagjet e qyteteve, për t’i lënë vend shesheve rekreative, aty ku Rilindja Urbane është shtrirë në saj të vizionit zhvillimor të kësaj qeverie dhe impenjimit serioz të pushtetit vendor.

Mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Policisë se Shtetit është krijuar një marrëdhënie simbiotike duke rregulluar dhe disiplinuar ndërhyrjet respektive për kontrollin e territorit në dy nivele.

I pari është kontrolli përmes strukturave parapolicore në nivel inspektorati kombëtar, ku është ndërhyrë për disiplinimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje në:

– Akset ekzistuese kombëtare;

– Akset e reja që hapen, si Unaza e re e Tiranës apo rruga transballkanike e Vlorës;

– Qendrat urbane të implementuara në kuadër të programit të Rilindjes Urbane dhe planeve të ndërhyrjeve, si Tirana, Puka, Durrësi, Fieri, Pogradeci;

– Anës lumenjve në situatat e rikualifikimit urban e mjedisor, si në Drin të Lezhës apo Gjanicë të Fierit;

– Buzë liqeneve, si në Pogradec apo Belsh;

– Anës detit, si në Vlorë, Himarë;

– Zonat rurale me potencial të veçantë si Dhërmi, Vuno;

– Zonat historike e arkeologjike, si pazari i Korçës dhe i Tiranës;

– Dhe zonat industriale e bujqësore.

Në secilën prej tyre dhe i referohem këtu një ndërthurjeje të rëndësishme programesh kombëtare me natyre historike, ka patur qasje të veçanta në bashkëpunim me trupën e IKMT dhe Policisë, të cilat u janë përgjigjur specifikave me natyrë delikate mjedisore, historike ose inxhinierike, duke asistuar policinë dhe anasjelltas në një përpjekje tërësore rregulluese në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit pa përjashtim.

Në 5 vite është ndërhyrë në rreth 11.000 ndërtime abuzive apo pa leje. Vlen të përmendet se bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe Policisë së Shtetit për pastrimin e nyjeve dhe akseve kombëtare nga ndërtimet e paligjshme të cilat bëhen shkak për burime aksidentesh, ka nisur prej kohësh dhe ka dhënë frytet e tij në një numër të madh rastesh. Këto ndërhyrje në terren janë në zbatim të rregullave dhe përcaktimeve ligjore të Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë përparësi Kodit Rrugor.

Ky proces ka një rëndësi të veçantë, pasi këto akse janë aset kombëtar dhe pronë e qytetarëve, dhe si të tilla duhet ti shërbejnë atyre, duke ju ofruar në radhë të parë sigurinë e transportit. Për shkak të rëndësisë dhe fluksit të udhëtarëve, aksi Tiranë-Rrogozhinë që vazhdon deri në Vlorë, ishte aksi i parë ku ka filluar ky aksion. Në kuadër të këtij aksioni, ARRSH-ja dhe IKMT-ja me ndihmën e Policisë së Shtetit kanë pastruar ndër të tjera dhe akset Elbasan – Rrogozhinë, Fushë Krujë-Ura Drinit-Lezhë, Fier-Kakavijë dhe Lezhë-Shkodër- Hani i Hotit, Kryqëzimi i Milotit, Mbikalimi i Dajlanit, Nyja e Shkozetit dhe të tjera rrugë dhe nyje të rëndësishme rrugore nga objekte të paligjshme, aktivitete tregtare të paautorizuara, tabela reklamuese të vendosura në distancë të ndaluar nga rruga dhe struktura të tjera, që bien ndesh me Kodin Rrugor dhe cënojnë sigurinë e qytetarëve.

Gjithashtu ekziston një bashkëpunim i vazhdueshëm mbi bazën e marrëveshjeve ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Brendshme për shkëmbim të dhënash dhe koordinim operacional sipas problematikave dhe dinamikës në kohë dhe gjeografi. Duke përmendur këtu asistimin e flukseve rrugore të ngarkuara dhe bypassimin e mjeteve në raste të nxehta e deri tek penalizimet e ndërhyrjeve të paautorizuara në trupat fizike të infrastrukturës rrugore e hekurudhore. Punimet abuzive në rrugë dhe evitimin e vjedhjeve të kabllove elektrike apo sinjalistikës rrugore, aksidentet e raportet e dëmtimeve të infrastrukturës e logjistikës rrugore, ekspertiza të posaçme dhe vlerësime të përbashkëta me ARRSH, plane të përbashkëta menaxhimi, operacione të përbashkëta mes Task Forcës sonë të transportit dhe policisë, për disiplinimin e flukseve të linjave interurbane nacionale dhe atyre internacionale, bashkëpunim për tahografin dixhital dhe kartat, disiplinim të linjave dhe operatorëve të transportit publik të udhëtarëve, programet në zbatim për vendosjen e sistemit të kamerave në rrugët më të rëndësishme dhe në hotspotet karakteristike.

Bashkëpunimi i frytshëm dhe shumë i rëndësishëm me Policinë e Shtetit shtrihet përtej kontrollit të territorit, deri në rikthimin e ligjshmërisë në menaxhimin e energjisë elektrike, apo dhe formalizimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Uniformat blu kanë qenë dhe do të jenë aleatët tanë kryesorë në procesin e reformave të thella shtetformuese që kemi ndërmarrë dhe të cilat jemi të vendosur t’i çojmë deri në fund.

Faleminderit!