Deklarata e zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Ilir Bejtja:
Pas një takimi të përbashkët midis stafeve të dy ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Brendshme për një ngjarje shumë të shëmtuar që ka ndodhur sot, kemi dal për këtë deklaratë për njoftimin e publikut.
Në shtyllën 65 të linjës së tensionit të lartë 400 kV, një linjë dyfishe, Tiranë2-Podgoricë dhe Tiranë 2- Prizren është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit është shkatërruar njëra këmbë e shtyllës dhe disa element mbajtës të saj të cilët kërcënojnë një dëmtim shumë serioz, pra rrëzimin e shtyllës. Për këtë arsye ka reaguar menjëherë OST-ja, sistemi ynë i Transmetimit dhe policia e Durrësit të cilat janë në vendngjarje për riparimin e defektit dhe për verifikimet e rastit.
Rrëzimi i shtyllës do të kërcënonte të linte gjithë vendin pa energji elektrike, pra do të kërcënonte sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë sigurinë kombëtare.
Është një akt, mund të konsiderohet jo vetëm i dhunshëm por edhe terrorist. OST-ja është duke marrë masat e nevojshme dhe po punon për riparimin e defektit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e dënon me forcë këtë akt dhune dhe të gjitha aktet e tjera të cilat synojnë të krijojnë pasiguri dhe pakënaqësi tek qytetarët duke cënuar fusha jetike siç është ajo e furnizimit me energji elektrike.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të gjithë institucionet e varësisë së saj do të jenë në gatishmëri të plotë për të mos lejuar që akte të tilla të ndodhin apo të përsëriten. Akte terroriste të cilat ndikojnë si në funksionimin e shtetit dhe në dëmtimin e ekonomisë shqiptare dhe të ofrimit të energjisë dhe shërbimit të rrjetit për gjithë qytetarët dhe për jetën e tyre.
Në të njëjtën kohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pret nga të gjitha organet ligjzbatuese të marrin masa, të zbardhin sa më parë autorët e kësaj ngjarjeje të shëmtuar dhe të rëndë. Ti vënë ata para përgjegjësisë ligjore për të mos pasur ngjarje të tjera të kësaj natyre.
Deklarata zv.ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari:
Me të marrë njoftim për këtë akt të rëndë është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të antiterrorit, policisë kriminale dhe në bashkëpunim me prokurorinë, po punohet intensivisht për të zbardhur ngjarjen, detaje më të hollësishme të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vënien përpara ligjit dhe përgjegjësisë që u takon autorëve të tyre.
Nga hetimet paraprake rezulton dhe dyshohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të vendosjes së një lënde eksplozive rreth 5-6 metra mbi nivelin e tokës në pikën nyje të njërës këmbë të shtyllës dhe nga këto dyshime paraprake mendohet se nuk ka qenë eksploziv i telekomanduar, por me fitil përcjellës zjarri.
Pranë vendit të ngjarjes, pra aty ku ndodhi shpërthimi, fatmirësisht nuk ka pasur banesa gjë e cila mund të sillte edhe dëme në jetë njerëzore. Grupi hetimor po punon për të zbuluar detaje të mëtejshme me interes për zbardhjen e kësaj ngjarjeje në total, si koha, motivet e ngjarjes dhe autorët e saj.
Kjo është një vepër e rëndë kriminale e parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, konkretisht neni 230, “Vepra me qëllime terroriste”, ku përfshihen akte të cilat shkaktojnë ndërprerje të furnizimit me ujë apo të energjisë elektrike dhe çdo burim tjetër të rëndësishëm dhe dënohet minimalisht me 15 vjet burg, apo edhe burg përjetë.
Shpresojmë shumë që kjo ngjarje të mos ketë lidhje me politikën, edhe pse gjuha që nxit dhunën në fakt prodhon dhe provokon pasoja të tilla.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë