Më shumë mbështetje për Shqipërinë nga vendet fqinje dhe europiane pas tërmetit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 29/11/2019

Më shumë mbështetje për Shqipërinë nga vendet fqinje dhe europiane pas tërmetit

Një grup prej 16 inxhinierësh nga Greqia kanë mbërritur pasditen e së premtes në Tiranë për t’u bërë pjesë e procesit të vlerësimit të gjendjes së godinave të dëmtuara nga lëkundet e tërmetit. Ky grup inxhinierësh i është bashkuar kolegëve të tyre të Institutit të Ndërtimit, por edhe inxhinierëve të ardhur nga vendet e tjera.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në aeroportin e Rinasit, ku i uroi mirëseardhjen grupit të inxhinierëve nga Greqia, si dhe i falënderoi ata për gatishmërinë e treguar për të dhënë kontributin e tyre në këto ditë të vështira për Shqipërinë.

“Padyshim ardhja, si e grupeve të shpëtimit në ditët e para, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, ashtu dhe e grupit të 16 inxhinierëve të specializuar, që do t’i bashkohen inxhinierëve shqiptarë dhe atyre të huaj, që kanë ardhur tashmë në Shqipëri për të bërë akt-konstatimet e të gjitha ndërtesave në të gjithë territorin është shumë e rëndësishme për ne. Jo vetëm në Durrës, por dhe në Tiranë, Laç, Thumanë dhe në çdo zonë tjetër ku ka ndërtesa të dëmtuara, të cilat paraqesin rrezikshmëri për banorët që ndodhen brenda në këto momente”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shtoi më tej se kontributi i inxhinierëve dhe arkitektëve të ardhur nga vendet e tjera do të bëjë të mundur përshpejtimin e procesit të vlerësimit të ndërtesave.

“Gjithashtu do të konstatojnë edhe dëmet financiare, të cilat duhen rikuperuar në ditët në vazhdim. Dua dhe një herë të falënderoj, shtetin grek për mbështetjen dhe inxhinierët që ndodhen këtu në këto momente”, tha Balluku.

Në aeroportin “Nënë Tereza”,  ministrja Balluku u takua edhe ne skuadrat greke të kërkim-shpëtimit, të cilat tashmë po kthehen sërish në Greqi. Ministrja i falënderoi ata për profesionalizimin e treguar dhe për kontributin e dhënë gjatë këtyre ditëve në vendin tonë përmes realizmit të disa misioneve të suksesshëm.