Mblidhet në Tiranë Ministeriali i Ballkanit Perëndimor, angazhim rajonal për një Agjendë të përbashkët Dixhitale - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 02/11/2020

Mblidhet në Tiranë Ministeriali i Ballkanit Perëndimor, angazhim rajonal për një Agjendë të përbashkët Dixhitale

Në Tiranë u mbajt, Ministeriali rajonal Dixhital, eventi përmbyllës i Samitit të tretë Dixhital, i cili këtë vit u organizua nga Shqipëria, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit Shumëvjeçar të Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike (MAP REA) për Ballkanin Perëndimor. Takimi synon të shfaqë praktikat e mira në rajon, duke nënvizuar arritjet dhe rezultatet e Agjendës Dixhitale dhe duke eksploruar mundësitë për ndërtimin e partneritetit me sektorin privat, duke ofruar më tepër mundësi dhe ndihmë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Të pranishëm në këtë takim të nivelit të lartë ishin Kryeministri Edi Rama, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, Komisionerët e Bashkimit Europian, Thierry Breton dhe Mariya Gabriel, të cilët përshëndetën Ministerialin përmes platformës online, ministrat përkatës nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi. Ministrja e Serbisë u bë pjesë e takimit përmes platformës online.

Ministrat pjesëmarrës nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi, për udhërrëfyesin (Roadmap) për 5G, për transformimin Dixhital në Ballkanin Perëndimor dhe memorandumi për ndërveprueshmërinë e shërbimeve dhe sistemeve.  Të dyja propozimet erdhën nga Shqipëria si vendi organizator i Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor dhe janë dokumente të rëndësishme për avancimin në angazhimet rajonale në kuadër të procesit te Berlinit, konektivitetin Dixhital dhe integrimit në BE.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Xhafaj, bëri një prezantim të arritjeve të Qeverisë Shqiptare në rrugën e transformimit dixhital. Sa i takon shërbimeve publike, u shpreh zëvendësministri, ngritja e portalit “E-Albania”, ka bërë të mundur që më shumë se 700 shërbime të ofrohen në mënyrë elektronike për qytetarët apo bizneset teksa kjo platformë ka më shumë se 1.3 milionë përdorues të regjistruar.

“Një nga gjërat që ne të gjithë kuptuam dhe për të cilën u ndërgjegjësuam në këto kohë të vështira, qysh prej muajit Mars, është se në qoftë se nuk do të kishim këtë nivel zhvillimi në të gjitha vendet tona do të kishte qenë një situatë shumë më e ndryshme. Po ndaj me ju disa prej elementëve të përparimeve dhe proceseve që Shqipëria po ndjek përsa i përket axhendës së digjitalizimit. Sa i përket transformimit të digjitalizimit të shërbimeve publike kemi ecur mjaft në përgatitjen dhe në nxitjen e dixhitalizimit të ekonomisë sonë gjithashtu organzimeve institucionale publike duke parashtruar ambiciet në një strategji 2015-2020”, tha Xhafaj.

Organizmi dhe pjesëmarrja në këtë Ministerial, edhe pse në kushte të vështira për shkak të situatës së pandemisë Covid-19, theksoi zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është një dëshmi e vendeve të rajonit për të punuar së bashku në rrugën e transformimit dixhital, i cili është një element kyç për të rritur ekonominë e vendeve dhe mirëqenien sociale.

“Po punojmë të hartojmë një strategji gjithëpërfshirëse për aftësinë digjitale dhe mendoj se ky është një nga mësimet kyçe për të gjithë ne. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë kuptuar shumë mirë këtë gjatë 7 viteve të bashkëpunimit të ngushtë se së bashku jemi më të fortë, jemi më të mëdhenj dhe shumë herë më të fortë të përballemi me ato sfida të tregut të madh të BE-së dhe të kohëve tona. Sfidat e kohëve tona nuk janë vetëm pandemia por gjithashtu edhe mbajtja në vend e rinisë duke u dhënë atyre mundësi , shanse, duke treguar që ata kanë talent të mjaftueshëm për t’u përballur me tregun botëror”, nënvizoi zëvendësministri.