Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
Përshëndetje të gjithëve!
I nderuar Kryeministër,
Kjo është tryeza e energjisë, një tryezë e cila personifikon të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi midis sektorit publik dhe privat në këtë pesëvjeçar, pasi në të vërtetë kur vjen puna tek energjia ne kemi bërë një punë shumë të mirë, përsa i përket rregullatorit, përafrimit të legjislacionit tonë me Bashkimin Evropian kemi ngritur sisteme të fuqishme kontrolli të të gjithë kësaj fushe. Nga ana tjetër kemi investuar në përmirësimin e prodhimit energjetik në Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër duhet thënë që kontributi i sektorit privat në fushën energjetike është po aq i vyer sa të gjithë përpjekjet që ka bërë edhe qeveria jonë në këto 12 vite dhe me të vërtetë pesëvjeçari i fundit ka gur kilometrik të vendosur, të cilët po krijojnë tashmë një pistë drejt Shqipërisë 2030, që është edhe synimi ynë për ta kthyer vendin në një eksportues neto dhe për ta kthyer vendin në një hab të transmetimit energjitik, duke përdorur kështu edhe pozicionin tonë gjeografik dhe ndikimin tonë gjeopolitik.
Do ta nis me një prezantim të shkurtër të situatës që kemi gjetur në 2013, arritjet dhe sigurisht planet që kemi për të ardhmen, por do të dëshiroja shumë, duke qenë se në këtë tryezë dominancën e ka sektori privat dhe të gjithë kontributorët, që secili prej tyre, apo kush ka dëshirë të merrte fjalën për të nënvizuar të gjitha arritjet që kemi dhe planet që ata kanë për të ardhmen. Në vitin 2013 sektori energjetik shqiptar ishte në një kolaps të plotë. Humbjet në rrjet shkonin mbi 45%, arkëtimet ishin deri në 75% në rastin më të mirë, ndërkohë që të gjitha asetet gjeneruese, i referohem këtu kaskadës së Drinit apo edhe disa hidrocentraleve të tjera, ishin totalisht të pa mirëmbajtura nga koha e ndërtimit të tyre, ndërkohë që nuk bëhej fjalë që të kishte një rrjet të digjitalizuar në ato momente. Shkëputjet e energjisë elektrike ishin për disa orë gjatë ditës dhe nganjëherë kalonte më shumë koha e shkëputjes sesa ishte koha e ofrimit të shërbimit, ndërkohë që humbjet financiare shkonin deri në 710 milionë euro, duke krijuar kështu një kaos në të gjithë sektorin elektroenergjetik.
Ndërkohë që përsa i përket asaj kohe unë nuk lë asnjëherë pa përmendur, pasi bëhet fjalë për një nga goditjet më të mëdha të sistemit tonë energjetik, në atë moment ka ndodhur pra, pak vite para 2013, kemi edhe privatizimin e tre HEC-ve, Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica, duke krijuar kështu një gab në të gjithë sistemin e prodhimit shqiptar, i cili ishte dizenjuar për të balancuar të gjithë prodhimin që ndodhte në veri të vendit, në qendër edhe në jug të tij. Kemi privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes në ato kohë, duke krijuar një situatë akoma më të rëndë në sektorin energjetik me luhatje të vazhdueshme të çmimeve, paqëndrueshmëri përsa i përkiste ofrimit të shërbimit dhe sigurisht të gjitha këto impaktonin abonentin familjar dhe padyshim, edhe të gjitha bizneset.
Në ndërkohë unë do desha ta kaloja këtë pjesë, pasi me të vërtetë mund të themi shumë për të shkuarën, por nga ana tjetër është mirë që të fokusohemi se si ka evoluar i gjithë sektori deri më sot, kush kanë qenë kryesisht ndërhyrjet që ne kemi bërë, duke nisur nga reforma e sistemit dhe e të gjithë sektorit energjetik dhe duke shkuar më pas edhe tek planet që ne kemi për të ardhmen.
Sot, mbasi kemi forcuar Operatorin e Shpërndarjes me të gjithë komponentët e tij, ka një vëmendje të veçantë edhe KESH, pra operatori prodhues, duke nisur kështu me përditësimin teknologjik të Vaut të Dejës, rehabilitimin e portave të HEC Komanit dhe sigurisht të gjitha proceset e tjera që kemi nisur edhe në Fierzë për të krijuar kështu një rikonstruksion të digave të kaskadës, rehabilitimi i portave të HEC-eve, që ka qenë i domosdoshëm, përditësimi elektro mekanik, monitorimi në kohë reale i sigurisë së digave dhe padyshim edhe të gjitha proceset e tjera të digjitalizuara dhe inovacioni që kemi vendosur në polin kryesor të prodhimit në vendin tonë, që është pjesa e veriut, kaskada e Drinit, duke mos lënë mbas dore edhe të gjithë bashkëpunimin me HEC-et e vogla të cilat janë të vendosura kryesisht në zonën lindore të Republikës së Shqipërisë.
Do të ndaloja për një moment tek viti 2019, kur në bazë të një strategjie kombëtare vendosim që të nisim një proces të gjerë të diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë dhe duke krijuar kështu një plan për të ardhmen, për të balancuar llojet e burimeve të energjisë elektrike. Deri në ato momente ne kemi qenë totalisht në varësi të prodhimit hidrik, duke pasur problematika të vazhdueshme dhe duke pasur varësi nga moti dhe nëse do t’i referoheshim edhe tregut, i cili zakonisht është një treg rajonal moti është i njëjtë edhe në vendet përreth nesh, kështu që në vitet e thata kemi vuajtur jo vetëm nga importet, por dhe nga importet me çmime të larta. Për këtë arsye, në vitin 2019 përveç diversifikimit që kishte nisur si një edukim i kontribuuesve privat, nga ana tjetër ne vendosëm që të zhvillonim një lloj tjetër diversifikimi, patjetër duke i nxitur dhe duke i mbështetur të gjithë aktorët e sektorit privat, por jo më duke qëndruar tek ato parqet e vogla fotovoltaike dy megavatëshe, të cilat nuk do t’ia dilnin kurrë që të krijonin atë aset energjitik nga burimet diellore që ne kemi krijuar sot. Kështu që në vitin 2019 ne fillojmë me ankandet e para, të cilat kishin edhe tokën e vendosur nga shteti si komponent, duke nxitur kështu një garë të ndershme, transparente dhe e cila na u shpërblye me disa vendimmarrje, shumë të rëndësishme, duke qenë se në tregun tonë në atë moment futen investitorë të huaj të ekselencës do ti quaja, siç është rasti i Voltalias, si fitues i dy ankandeve për dy parqet e para fotovoltaike, atë të Karavastasë edhe atë të Spitallës.
Parku i parë sot është në proces, ka filluar të prodhojë. Rendimenti është shumë i kënaqshëm dhe unë besoj që Voltalia, pavarësisht të gjitha problematikave që mund të ketë pasur për shkak të luahatjes së çmimit të tregut nga viti 2019 dhe deri më sot, nga ana tjetër me një bashkëpunim shumë të ngushtë, me një koordinim dhe dialog të vazhdueshëm që ne kemi pasur në tryezë, të gjitha janë kapërcyer dhe sot krenarisht mund të themi që projekti i Karavastasë është një nga projektet model më të suksesshme, model për t’u ndjekur.
Në ndërkohë, që sigurisht jemi duke pritur që të kemi rezultatet e para nga Spitalla dhe nga ana tjetër kemi rijetëzuar projektin e Akërnisë, duke bërë kështu bllokun e parë të parqeve të mëdha fotovoltaike, të cilat vijnë si rrjedhojë e ankandeve dhe prodhimit që është bërë në saj të këtyre ankandeve dhe çmimeve rekord që ne kemi arritur. Paralelisht sektori privat, me iniciativë të fuqishme, ka ndërtuar në zonën perëndimore të bregdetit tonë parqe të tjera fotovoltaike, të cilat sot që flasim kanë rritur ndjeshëm prodhimin vendas, duke e diversifikuar atë dhe sot ne kemi 10% të energjisë të rinovueshme, e cila është në 100% në vendin tonë, 10% e të cilës vjen pra nga parqet fotovoltaike, duke krijuar kështu edhe qarkun e Fierit, pra të gjithë zonën e ulësirës perëndimore të shtrirë midis Karavastas dhe Lagunës të Nartës, duke krijuar një pol të ri energjitik, pra përveç atij të veriut, kemi edhe këtë pol të vendosur nga qendra në drejtim të jugut.
Duhet thënë që gjatë gjithë kësaj periudhe ne kemi nisur një studim të thelluar, i cili do të na japë për të ardhmen një hartë sesi duhet të vazhdojë pjesa e investimeve në sektorin elektroenergjetik, duke pasur parasysh se nuk mjafton vetëm që të prodhohet, por është shumë e rëndësishme edhe pjesa e transmetimit. Duke qenë se sot kjo tryezë i është dedikuar energjisë, është rasti që të përmendim që kohët janë sfiduese. Ne dje kemi marrë një njoftim zyrtar për blackout të Spanjës dhe të Portugalisë, fillimisht të pjesshëm dhe më pas total dhe pavarësisht se dje u përpoq si njëri operator, si tjetri që të arrinte dhe ta kapërcente këtë problematikë, sot në orët e para të mëngjesit, të dyja vendet kanë shpallur gjendjen e emergjencës, pra gjendje të jashtëzakonshme pikërisht nga rënia e rrjeteve të transmetimit, duke efektuar dhe shtete tjera, siç është Andorra apo dhe pjesë të shteteve tjera evropiane. E thënë kjo, transmetimi luan një nga rolet më të rëndësishme. Dhe nëse deri tani ne kemi qenë në një emergjencë për të diversifikuar të gjithë prodhimin në Republikën e Shqipërisë, sot ne jemi të fokusuar jo vetëm tek prodhimi, por edhe tek transmetimi si komponent jetik i sistemit elektroenergjitik shqiptar, jo vetëm për ta kthyer Shqipërinë në një hab transmetimi, pasi vetë vendndodhja jonë gjeografike na e lejon këtë, por nga ana tjetër, për të krijuar dhe sigurinë energjetike, që është një nga synimet dhe qëllimet kryesore të Strategjisë Kombëtare për Energjinë, sektori energjetik 2030. Po të vazhdojmë me të gjithë portofolin e diversifikimit, ne duke ndjekur edhe linjat e transmetimit kemi filluar që të incentivojmë ndërtimin edhe në zona të tjera. Pra, për të mos pasur të njëjtin polarizim, siç e kemi në rastin e kaskadës në veri dhe pjesës më të madhe të parqeve fotovoltaike në zonën midis Karavastasë dhe Nartës, ne kemi filluar që të incentivojmë të gjithë sektorin privat që të shkojë dhe në zona të tjera, po sigurisht duke investuar në rrjetet e transmetimit për të akomoduar kërkesa, siç është rasti i Ersekës apo siç është rasti i Delvinës dhe siç janë edhe rastet e eolikëve, të cilët nisin nga Tropoja. Këtu kemi një park, që tashmë ka aplikuar prej 636 megavatorësh, duke qenë parku më i madh i rinovueshëm në vend dhe më pas disa parqe tjera, që zbresin nga bjeshkët e veriut, deri në jug të vendit, duke ndjekur korridoret e erës dhe duke krijuar kështu një komponent të tretë të energjisë së rinovueshme, pra hidrike, solare edhe eolike.
Do të kthehesha tek linjat e transmetimit, për të thënë që tashmë kur sot në Shqipëri prodhohen mbi 200 megavatorë vetëm nga iniciativat që shteti ka ndërmarrë, përsa i përket pjesës së autoprodhuesve kur ne kemi arritur sëbashku me sektorin privat të prodhojmë 10% të volumeve vendase nga parqet fotovoltaike, atëherë sot gjithë puna kryesore shkon tek rrjetet e transmetimit. Rrjetet e transmetimit, që Shqipëria është mirë e ndërlidhur me rajonin është e lidhur me Greqinë, është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, është e lidhur me Kosovën dhe me Malin e Zi, por sigurisht ne sot jemi në një fazë të ngritjes së kapaciteteve të reja. Përshembull në këtë moment ne jemi duke planifikuar që linja jonë e transmetimit me Greqinë, për shkak të të gjitha flukseve që kemi pasur dy vitet e fundit në hyrje dhe në dalje të trefishohet. Nga krahu tjetër, presim që të dorëzojmë linjën e interkoneksionit me Maqedoninë e Veriut, që nga ana shqiptarët jemi duke ecur me ritme shumë të shpejta, shpresojmë shumë që fqinjët të ruajnë ritmet tona për të përfunduar në të njëjtën kohë dhe për ta vënë menjëherë atë linjë në funksion. Ndërkohë që kemi investuar në fuqizimin e unazave të brendshme, siç është ajo Fier- Rashbull-Tiranë dhe padyshim lidhja e poleve për ne, pra me fuqinë 400 kilovatorë, mbetet shumë e rëndësishme.
Por ndërkohë që fuqizojmë linjat aktuale, shtojmë kapacitetet e tyre, kërkojmë përfundimin e linjave të reja, një nga planet tona më të rëndësishme është ndërlidhja midis Shqipërisë dhe Italisë, tashmë një plan që ka filluar të vihet në jetë, duke qenë që i kemi hedhur hapat e para, përsa i përket studimit të fizibilitetit, përsa i përket marrëveshjes trepalëshe midis Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara si investitor potencial i kësaj linje, duke i dhënë kështu sistemit elektroenergjitik shqiptar një tjetër komponent shumë të rëndësishëm, ndërlidhjen me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh që Italia, apo përtej saj, Franca, Spanja dhe të gjithë shtetet e tjera janë tregu i vërtetë, të cilin ne kërkojmë të aksesojmë, jo më përmes Malit të Zi, por direkt përmes kësaj linje nënujore, e cila do ta vendoste Shqipërinë në një pozicion tjetër, përsa i përkiste transmetimit të energjisë elektrike.
Unë për energjinë elektrike, kryeministër, mund të flas gjatë, pasi i gjithë mirëmenaxhimi që i është bërë këtij sistemi, duke nisur nga komponenti prodhues, duke shkuar më pas tek transmetimi dhe sigurisht tek shpërndarja, ku në vitin 2024 ne kemi arritur një nga qëllimet dhe objektivat e vendosur, pra uljen e humbjeve teknike në nivelin historik, pra më pak se 18%, kur kemi arritur që arkëtimet të jenë mbi 100% dhe e shpjegojmë gjithmonë këtë pse janë arkëtimet mbi 100%, pasi ne mbledhim edhe debitet e këqija të viteve të tjera, duke e balancuar njëherë e mirë të gjithë sistemin financiar të Operatorit të Shpërndarjes. Të gjitha këto hapa që ne kemi hedhur, pra ulja e humbjeve dhe rritja e arkëtimeve na ka sjellë në pozicionin që të kemi mundësi dhe të ulim çmimin për 1 milion e 70 mijë abonentë dhe jo vetëm të ulim çmimin për 1 milion e 70 mijë abonentë familjarë, por nga ana tjetër, duke përdorur incentivën e efiçencës së energjisë, pasi ndërkohë që kemi arritur të rrisim prodhimin vendas, të diversifikojmë portofolet tona të prodhimit, kemi arritur të forcojmë linjat e transmetimit, të ulim humbjet, të kemi mbledhje më të mirë të faturimit, nga ana tjetër, ajo që është shumë e rëndësishme tashmë tregu ynë duhet të edukohet me efiçencën e energjisë. Efiçenca e energjisë, që është përqafuar nga abonentët familjarë edhe me programet që ne kemi lançuar dy vitet e fundit, siç është incentivimi me 70% e paneleve diellore për ngrohjen e ujit, që kontribuon me ulje të 20% të faturës mujore dhe deri tek autoprodhuesit, që e thashë pak më parë, që kanë arritur të krijojnë një portofol prej rreth 200 megavatorësh vetëm prodhim nga autoprodhuesit e sektorit privat të industrive të ndryshme.
Në ndërkohë, që prodhimi vjetor, duket edhe në slide-in që kemi në ekran në këto momente, është rritur me 135%, krahasimisht me vitin 2013, duke treguar kështu të gjithë ecurinë stabël, të qëndrueshëm të sektorit dhe duke krijuar kështu një sinergji midis ndërmarrjeve shtetërore, midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, si politikëbërës dhe padyshim sektorit privat dhe mbi të gjitha edhe investitorëve të huaj. Një tregues ky se tashmë bashkëpunimi është i vendosur mbi themele të forta dhe mbi të gjitha është i vendosur mbi kushtet e një transparence dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm afatgjatë mbi strategjitë dhe politikat, që tashmë janë të njohura për të gjithë.
Unë nuk do të vazhdoja më gjatë me sektorin elektroenergjetik, pasi gjithmonë bëjmë diçka që i japim gjithë kohën elektroenergjitikës, duke lënë komponentët e tjerë të sektorit të energjisë pas dore, por jo në vëmendje, por zakonisht në tryeza, duke qenë se aty është vëmendja më e madhe dhe do të desha të ndaloja një moment për t’i dhënë fjalën të ftuarve në tryezë, duke qenë se kryesisht janë nga sektori privat dhe ndoshta ta nisja me zotin Viktor Qylafi. Zoti Viktor Qylafi është një nga ndërtuesit e parë të parqeve solare diellore fotovoltaike pa mbështetje nga incentivat shtetërore. E them këtë, pasi në fillimet e tij si zoti Qylafi, edhe të tjerë mund të kenë pasur edhe dilemat e tyre, pasi tregu ka paqartësitë e veta, tregu energjetik ka lëvizje dhe luhatje, të cilat vijnë shpeshherë edhe nga situatat gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, sidomos ne e pamë se çfarë ndodhi në vitin 2022 gjatë agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe ka qenë pikërisht ajo kohë kur zoti Qylafi e mori një vendim të tillë, ndaj dhe po i kaloj fjalën, duke qenë se është rasti më i mirë për t’u ndarë me të gjithë të tjerët.
***
Unë për të thënë të drejtën akademinë e kisha lënë për në fund, por meqenëse ju e prekët duhet thënë që ne e nisëm akademinë kryeministër si një iniciativë e OSHEE Group, duke pasur parasysh që shumë të rinj na janë afruar për t’u punësuar dhe nga ana tjetër, padyshim një pjesë e tyre vjen nga shkollat profesionale dhe janë të mirë trajnuar, por nga ana tjetër gjithmonë duhet një periudhë kohore për trajnimin e tyre sipas sistemeve që ne operojmë.
Por pasi ngjizëm këtë si ide për krijimin e akademisë së OSHEE Group, kuptuam që kishte interes nga të gjithë komponentët e tjerë të sektorit, siç është KESH apo siç janë linjat e transmetimit OST-ja, pra Operatori i i Transmetimit dhe sa më shumë zgjeroheshim në tryezën tonë për të diskutuar, atëherë filluan të shtohen edhe komponentë të tjerë. Për shembull, siç janë gjithë çështjet e rregullatorit, siç janë çështjet e përafrimit ligjor, pasi ajo çka ne sot kërkojmë në sistemin energjetik shqiptar dhe në gjithë sektorin, është që të jetë i përafruar maksimalisht me Bashkimin Evropian, duke krijuar kështu të gjithë habitatin për një të ardhme shumë të afërt kur ne do të jemi vend i Bashkimit Evropian, pra vend anëtar i Bashkimit Evropian. Dhe e thënë kjo, më pas e kemi diskutuar edhe në tryeza më të gjëra me sektorin privat dhe ideja e akademisë është kthyer si një nga planet e përbashkëta në një të ardhme shumë të afërt, pasi edhe sektori privat, i cili operon sot në fushën energjetike, ka nevojë për burime njerëzore të formuara dhe të trajnuara, të specializuara mbi sistemet e reja energjetike, qofshin këto të prodhimit, të shpërndarjes apo të transmetimit. Ndaj një iniciativë e nisur nga një nga kompanitë shtetërore, tashmë po kthehet në një iniciativë të përgjithshme të sektorit dhe unë dua të falënderoj të gjithë aktorët që po kontribuojnë për ngritjen e kësaj akademie dhe jam shumë e sigurt që deri në vitin 2026 ne do jemi gati edhe me kurrikulën edhe me të gjithë stafin akademik, i cili do të dalë disa prej radhëve tona dhe disa të tjerë do të jenë patjetër profesorë të huaj, për të ngritur kështu strukturën e parë akademike të prodhimit të burimeve njerëzore për sistemin elektroenergjetik shqiptar, dhe pse jo duke ndihmuar edhe kolegët e rajonit, pasi Shqipëria ka qenë gjithmonë avangard në inovacion.
Sigurisht që Alpex-i ka shënuar një hap të ri edhe një gur kilometrik, ashtu siç thamë në strategjinë tonë të fushës së energjitikës, pasi kemi krijuar tashmë një treg modern, sigurisht me volume të ulëta për momentin, por do të arrijë maturinë e vet. Rëndësi ka që ne deri tani i kemi hedhur hapat, ashtu siç ishte parashikuar edhe në angazhimet që kemi marrë ndaj Bashkimit Evropian. Kështu që unë besoj që të gjithë së bashku do dalim në rezultatin që Alpex-i është një nga zgjidhjet më të mira, duke krijuar kështu transparencë, ulje të çmimit në të ardhmen dhe gjithçka tjetër.
Do të qëndroja në këtë sektor, pra në sektorin elektroenergjetik, pasi kemi disa inovacione të cilat do të ndryshojnë të gjithë panoramën e këtij sektori. Dy vitet e fundit kemi diskutuar me një nga bashkëpunëtorët tanë më të mirë, me investitorin Shtatkraft, një nga kompanitë e ekselencës evropiane, që operon për disa vitesh në Shqipëri, për një nga planet e tyre më inovative dhe moderne përsa i përket sistemit elektroenergjetik. Ky plan është edhe një nga planet e Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, megjithatë Devolli Hydropoëer është duke avancuar me këtë projekt dhe unë do kisha kënaqësi shumë sot që ta prezantonim për herë të parë, pasi bëhet fjalë për një projekt i cili, përveç faktit që është një investim mbi 1.7 miliardë euro, nga ana tjetër është një projekt, i cili sjell një inovacion që kur të vihet në jetë mund të kthehet në një shembull të mirë për t’u marrë edhe nga aktorët e tjerë të prodhimit hidro, ashtu siç po bën KESH-i në këto momente dhe sigurisht Shqipëria do të jetë nga vendet e para në botë që do të aplikojë ‘pumping system’.
***
Ne e kemi ndjekur së bashku, pra Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Shtakraftin kemi ecur hap pas hapi. Tani ka ardhur koha që të diskutojmë për të gjithë incentivat dhe gjithçka tjetër do t’i duhet këtij projekti. Ne kemi ecur përmes projekteve të rëndësishme si ky. Ky projekt është më i madh në investime dhe se projekti i TAP-it edhe padyshim e kemi shumë të qartë se si duhet të funksionojë dhe çfarë mbështetjeje ju kërkoni në hapat më tej. Megjithatë se ndoshta duke folur për energjinë është edhe pak specifike, është pak teknike dhe jo të gjithë na kuptojnë, por ata që janë në tryezë e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë ngritja e këtij ‘pumping system’, se çfarë kapacitete përthithje të prodhimit fotovoltaik apo atij eolik do të ndodh gjatë ditës nga Shtatkrafti. Kështu që e thënë kjo në tryezë nuk ka të bëjë vetëm me injektimin kapital që do të ndodhë në Republikën e Shqipërisë, pra më shumë se 1.7 miliardë euro, por nga ana tjetër kush janë rrjedhojat që sjell gjithë kjo teknologji e re që rrit prodhimin hidrik në Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër, kthehet në një përthithës të kapaciteteve gjeneruese që vijnë nga parqet fotovoltaike dhe nga parqet eolike, duke përmbyllur kështu njëherë e mirë atë pasigurinë e tregut se çfarë do të ndodhë me të gjithë ata ndërtues që qenë të guximshëm dhe ndërtuan edhe jashtë ankandeve. Për shembull, siç është rasti zotit Qylafi, që patjetër ai ka fituar një nga paketat e ankandeve, por pjesa tjetër e prodhimit të tij vjen nga investimi privat pa mbështetje.
Faleminderit shumë për këtë prezantim të parë të projektit më të madh energjetik të prodhimit sigurisht, pasi kemi dhe atë të linjave të transmetimit, që do jetë një tjetër projekt shumë i madh energjetik për 4 vitet e ardhshëm.
Duke ju falënderuar të gjithëve, do të kaloja në sektorin minerar i cili padyshim është një sektor i rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë. Ne e kemi ndarë në tre periudha zhvillimin minerar në vendin tonë, duke nisur nga viti 1945, që shënon hapat fillestarë të sektorit dhe hartimin e hartës gjeografike të parë në Ballkan dhe mineratimin e ligjit të parë minerar, atë të vitit 1929. Më pas kemi një fazë të dytë, e cila daton nga viti 1945 deri në vitin 1994 kur kemi përfshirjen e sistemit të centralizuar dhe organizimin minerar nën ombrellën shtetërore dhe sigurisht funksiononte me një kuadër ligjor dhe planifikim ekonomik.
Ndërkohë që pas vitit 1994, kur është dhe faza e tretë, kemi kalimin e minierave në pronësi private, duke sjellë fragmentim të sektorit që është edhe një nga problematikat më të mëdha që ne kemi dhe besoj që prek të gjithë aktorët, pra lejet minerare të fragmentuara, duke ulur kështu edhe oportunitetin për të pasur fitime apo për të pasur bashkëpunime me kompani të mëdha ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, duhet thënë që Shqipëria është një vend minerar. Shumëllojshmëria e mineraleve në vendin tonë është e pasur në të vërtetë, megjithatë kromi përbën një nga burimet kryesore. Kemi 202 leje aktive të shpërndara në 13 bashkitë sot në Republikën e Shqipërisë përsa i përket nxjerrjes së kromit. Ndër të tjera vendi ynë njihet edhe për depozitat e hekurnikelit, gëlqerorit, gurëve ranorë, gipsit, argjilatëve të ndryshëm.
Në ndërkohë, potencial i lartë mineral i vendit tonë vjen padyshim i shoqëruar edhe me sfida të mëdha. Siç thamë, kemi fragmentim të këtij sektori, nga ana tjetër, kemi problematika të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e të gjithë sistemit operues në lejet minerare, të cilat janë aktive dhe e gjitha kjo nënvizon një nevojë të jashtëzakonshme që ne kemi për investime në këtë sektor, por nga ana tjetër edhe për a i përket përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian.
Ligji i ri, të cilin e kemi nisur dhe jemi duke punuar, kemi pasur biseda të gjata për të dhe ju kemi premtuar që do të bëhet në një bashkëpunim dhe në një dialog të hapur me të gjithë sektorin privat. Ligji i ri për sektorin mineral do të përfshijë stimulin në investime dhe masa për ruajtjen e mjedisit dhe të burimeve natyrore, duke synuar krijimin e një klime më të mirë për investitorët, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe zbatimin e teknologjive të reja, edhe në sektorin minerar. Ky është synimi ynë kryesor dhe për të thënë të drejtën i kemi hedhur hapat e parë, duke pasur parasysh se tashmë kemi edhe një akt për lëndët e para kritike, ku Shqipëria luan një rol të rëndësishëm. Bashkimi Europian është ulur me ne, duke marrë parasysh të gjithë depozitat minerale që Shqipëria ka dhe duke pasur parasysh edhe historikun që ne kemi në këtë sektor.
Kështu që, në rast se do t’ia dilnim që të kishim një kuadër ligjor të përafruar me Bashkimin Europian, të bashkërenduar midis sektorit privat dhe atij publik, në rast se ne do të përmbushim të gjitha kushtet për të krijuar një sektor të unifikuar, me leje të konsiderueshme minerare dhe jo fragmentime, të cilat nuk janë tërheqëse për investitorët e huaj, atëherë padyshim që e gjithë nëntoka shqiptare, e gjithë kjo depozitë e rëndësishme natyrore që ne kemi në nëntokën tonë, do të merrte një vlerë tjetër të shtuar, duke u futur në zinxhirin ekonomik të vendit tonë.
Duhet pasur parasysh që vitin e kaluar ne kemi ndërtuar një qendër ekselence rajonale Qendra e Inovacionit, e cila ndodhet bashkëngjitur Universitetit të Elbasanit, ku aty kanë nisur të bëhet një punë e mirë dhe, nga ana tjetër, kemi mundësi për të afruar të gjitha këto burime njerëzore, të cilat kanë kontribuar prej vitesh, prej dekadash do të thoja në sektorin minerar dhe sot ata gjenden në kushtet e konsulentës, në kushtet e prodhimit të studimeve apo edhe të analizave përsa i përket këtij sektori dhe kjo është një nga hapat më të rëndësishme që kemi hedhur, pasi sektori minerar, nëse ka një mangësi është ajo e studimit shkencor dhe sigurisht edhe inovacionit që duhet të vijë përmes këtyre studimeve.
Në ndërkohë që kemi nisur edhe në sektorin minerar disa projekte të rëndësishme me interes të shtuar, sigurisht vijnë si iniciativa private. Janë investitorë të huaj që tashmë na janë ofruar, sepse brenda sektorit, një nënsektor tërheq tjetrin, duke parë të gjithë rezultatet e mira që kanë ndodhur në ankandet e parqeve fotovoltaike apo ato eolike, Shqipëria ka filluar që të ketë një vend të rëndësishëm në tryezën energjetike europiane, duke bërë kështu edhe kalimin e fjalës nga një investitor tek tjetri dhe duke e konsideruar tashmë Shqipërinë si një vend të sigurt për të investuar.
Një gjë tjetër që unë do të shtoja përsa i përket sektorit minerar është rëndësia e shtimit të vlerave të produktit që nxjerrim nga nëntoka. Deri tani ne kryesisht e eksportojmë atë produkt, ashtu siç del nga nëntoka, përveç disa iniciativave që janë private dhe ato të kufizuara.
Synimi kryesor që ne kemi për të ardhmen është rritja e industrisë përpunuese. Në rast se ne do t’ia dilnim që të rrisnim industrinë përpunuese të mineraleve shqiptare, atëherë do të kalonim në një nivel tjetër të shtimit të vlerës së produktit duke rritur kështu edhe volumet e eksporteve dhe, nga ana tjetër, duke rritur përfitimet dhe të ardhura që do ketë sektori. Për diçka biem dakord të gjithë, që patjetër kuadri ligjor, unë e kam përmendur tani edhe përsa i përket ligjit të sektorit elektroenergjitik, edhe atij minerar, edhe atij hidrokarbureve, sigurisht ne jemi në një moment kur të gjitha këto akte rregullatorë dhe ligjore, janë dinamike dhe po i shikojmë për ti përshtatur, sigurisht për t’i përafruar me Bashkimin Europian, por nga ana tjetër për t’i përshtatur edhe me nevojat e tregut tonë, se kjo është shumë e rëndësishme.
Pra, duhen përafruar, por nga ana tjetër edhe duhen kostumizuar me nevojën që tregu shqiptar ka. Ndaj i kemi këto tryeza, ndaj jemi në komunikim të vazhdueshëm. Por, në një pikë tjetër, ku duhet të bashkërendojmë dhe duhet të biem dakord, nëse kemi plane për të ardhmen edhe për sektorin minerar, duke futur zinxhirin e përpunimit të metaleve dhe mineraleve shqiptare, nga ana tjetër ne të gjithë duhet të jemi dakord se çka na duhet për të avancuar, si me pjesën rregullatore edhe me atë të përpunimit, është ngritja e kapaciteteve njerëzore.
Ngritja e kapaciteteve njerëzore, sidomos në sektorin minerar që duhet thënë që sot e kësaj dite ata që janë kontributorë janë të moshave të thyera dhe nuk kemi arritur, pavarësisht se kemi një fakultet shumë të mirë, Fakulteti Gjeologjik prodhon me të vërtetë stafe shumë të mira, nga ana tjetër, ne na duhet që të bashkërendohemi të gjithë, përdorim Qendrën e Ekselencës dhe të Inovacionit që kemi sot në Elbasan që është një Qendër Rajonale e Bashkimit Europian, për të ngritur kapacitetet njerëzore, që duhet të jenë kontributorë në sektorin minerar shqiptar në qoftë se duam ta nxjerrim nga situata që është dhe ta kalojmë në një situatë të shkëlqyer, ashtu siç kemi sot sektorin elektroenergjitik.
Do të kaloja, Kryeministër, tek sektori i hidrokarbureve, por pa u zgjatur mbi këtë sektor, pasi e kemi bërë publike disa herë të gjitha hapat që i kemi hedhur. Është e rëndësishme të themi që tashmë kemi fakte, kemi jo vetëm studime, por kemi fakte dhe ne e kemi prekur çfarë mban nëntoka shqiptare, kemi arritur që ta shohim, ta analizojmë se cili është produkti që u gjet edhe në zonën e Shpiragut, megjithatë si duket është në fatin tonë që, pavarësisht gjërat e mira bëhen, po duan kohën e vet, jemi vendosur para një sfide gjeologjike të veçantë, që nuk ngjan me situata tjera. Kompanitë që operojnë sot në Shqipëri janë kompani ekselente, kompanitë më të mëdha në botë, kështu që unë jam besimplotë që këto sfida që na janë vendosur përpara dhe na kanë zënë rrugën për këtë moment, duke pasur të gjithë dëshirën e mirë dhe duke pasur faktet që nën tokën shqiptare sot kemi depozita nafte dhe gazet në një cilësi të jashtëzakonshme, do të na iniciativojnë për t’i kapërcyer ato.
Unë do të desha t’i kaloja fjalën përfaqësuesit të ENI-t në Shqipëri, një tjetër kompani që operon në territorin tonë dhe që mban sot një nga blloqet më të rëndësishme për të ndarë planet e tyre me ne dhe situatën aktuale.
Industria hidrokarbure në Shqipëri ka një shkuar të rëndësishme ka iniciativa akoma më të rëndësishme sot, prezenca e kompanive të mëdha, si Shell apo ENI-t tregon që Shqipëria ka një potencial të madh. Nga ana tjetër, sigurisht, ngritja e burimeve njerëzore mbështetet nga të gjithë ju dhe akademia do të jetë hapi tjetër që ne do të hedhim, por do të thoja edhe për sektorin e hidrokarbureve, që çka i duhet Shqipërisë për të rritur vlerat e nëntokës tonë është një industri përpunuese. Një industri përpunuese, e cila i bashkëlidhet të gjithë proceseve nxjerrëse, duke mbyllur një cikël brenda vendit dhe duke i dhënë vlerën e shtuar produktit shqiptar, ashtu siç thamë për atë minerar ashtu dhe për hidrokarburet dhe duke e vendosur Shqipërinë në hartën energjetike edhe në disa pozicione tjera, pra jo vetëm të asaj të nxjerrjes, por edhe të përpunimit.
Këtu unë do ta mbyllja të gjithë prezantimin e planeve që ne kemi për të ardhmen, të cilat tashmë nuk janë thjesht plane që kanë të bëjnë me rritjen e prodhimit vendas apo me forcimin e sektorëve, por janë plane inovative, janë plane të cilat mund të kthehen në shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për Europën, siç ishte rasti i prezantimit të STATKRAFT me pomping sistem apo siç janë të gjitha inovacionet e tjera që ne kërkojmë të sjellim në sektorin minerar apo në atë të hidrokarbureve.
Dhe mbi të gjitha, sigurisht, pozicionin kryesor të sektorit energjetike mban energjia elektrike e cila sot ndodhet në një pozicion shumë të mirë, por ama ashtu siç e kemi thënë, ne kemi një qëllim tonin, kemi një objektiv për të arritur, duam që në vitin 2030 Shqipëria të jetë një forcë energjetike e eksportit neto. Shqipëria të jetë një forcë i qëndrueshmërisë dhe sigurisë energjetike dhe të jetë një nyje e rëndësishme e linjave të transmetimit për Europën, jo thjesht për Ballkanin Perëndimor. Të gjitha këto që ne thamë, duke nisur nga inovacioni në sektorët energjetik, duke shkuar tek ngritja e kapaciteteve, burimeve njerëzore përmes një akademie tashmë dhe jo thjesht trajnimeve që vijnë përmes proceseve të punës, ajo që ngelet një sfidë për t’u arritur është kuadri rregullator përafrimi me ligjin dhe me Bashkimin Europian.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë