Mbahet në Tiranë mbledhja speciale e ECAC - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 26/08/2021

Mbahet në Tiranë mbledhja speciale e ECAC

Është mbajtur në Tiranë Mbledhja Speciale e 70-të e Drejtorëve të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC), me pjesëmarrjen e 44 shteteve anëtare. Ky takim u kryesua nga Presidenti i ECAC dhe krahas Drejtorëve të Përgjithshëm, ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i ICAO-s, Drejtori Ekzekutiv i EASA dhe Drejtori i Përgjithshëm i EUROCONTROL, si dhe përfaqësuesit më të lartë të organizatave ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil.

Takimi u përshëndet edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila në fjalën e mbajtur e vuri theksin tek situata në të cilën ndodhet sektori i aviacionit si pasojë e pandemisë së Covid-19, si dhe tek nevoja e bashkëpunimit mes vendeve anëtare për të kapërcyer këtë fazë.

Pandemia, u shpreh Balluku, goditi rëndë të gjithë industrinë e aviacionit, ku pezullimi i fluturimeve krijoi vështirësi në komunikimet dhe shkëmbimet mes vendeve, por njëkohësisht dëmtoi rëndë financat për të gjithë punonjësit e sektorit. Me lehtësimin e masave, ka nisur edhe rimëkëmbja e aviacionit. Në këtë pikë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, solli në vëmendje të dhënat sa i takon trafikut ajror në Shqipëri gjatë këtij sezoni turistik.

“Nga fillimi i korrikut 2021 trafiku ajror në Republikën e Shqipërisë ka tejkaluar edhe parashikimet që ne kemi pasur, duke arritur në nivele më të larta se viti 2019, çka na bën shpresëplotë se duke punuar të gjithë së bashku dhe duke gjetur mënyra të reja alternative, për t’i dhënë zgjidhje çdo lloj pengese, ne mund të arrijmë edhe një herë në ato nivele se ku ishim më parë”, u shpreh Balluku.

Edhe pse në një vit të vështirë, theksoi Balluku, Qeveria Shqiptare vijoi investimet në aviacion duke bërë të mundur vendosjen në funksion të aeroportit të dytë ndërkombëtar, atë të Kukësit, si dhe avancoi me procedurat sa i takon ndërtimit të aeroportit të Vlorës dhe atij të Sarandës.

“Ne morëm një vendim që, pavarësisht situatës së pandemisë të vazhdonim me ato mundësi që kishim, sigurisht të moderuara, investimet që kishim nisur në fushën e aviacionit. Në Prill të këtij viti ne arritëm këtu në Shqipëri të hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, një aeroport i cili u ndërtua me konceptin jo thjesht të një aeroporti për Shqipërinë, por të një aeroporti rajonal.  Ndërkohë që pandemia nuk kishte fund, ne kishim nisur një garë ndërkombëtare për aeroportin më të madh ndërkombëtar në Shqipëri, atë të Vlorës. Pas shumë studimesh fizibiliteti, studimesh ambientale, vendosëm që të hapnim këtë garë për të ngritur aeroportin më të madh ndërkombëtar në Shqipëri, i cili nuk do të mbulojë vetëm fushën e aviacionit civil dhe transportit të pasagjerëve, siç ne deri sot kemi në Tiranë apo në Kukës, por edhe dy komponentë të tjerë të rëndësishëm të aviacionit, që janë shërbimet kargo dhe shërbimet e mirëmbajtjes së avionëve”, deklaroi Balluku.

Për Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjitha këto investime do të krijojnë mundësinë që Shqipëria të ketë katër porta ajrore, duke i dhënë hov zhvillimit ekonomik e turistik të vendit.

“Me normalizimin e situatës, me përmirësimin e kushteve, me rikthimin e të gjitha fluturimeve, ashtu siç ne i kishim më parë dhe pse jo siç pamë dhe gjatë këtij sezoni, duke pasur edhe më shumë trafik se në vitin 2019, ne do t’ja dalim që t’i japim Shqipërisë atë që ka më shumë nevojë një vend europian. Një vend i përparuar nuk ka sesi ecën më tej, nuk ka sesi përmbush kushtet, pa pasur një industri aviacioni të mirëfilltë, pa pasur një rrjet aviacioni, i cili do t’i përgjigjej të gjitha kërkesave që qytetarët e këtij vendi, apo vizitorët kanë”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Mbledhja Speciale e Drejtorëve të Përgjithshëm të ECAC organizohet çdo vit në kuadër të takimeve të nivelit të lartë nga Konferenca e Aviacionit Civil Europian , njohur si ECAC, dhe si një nga organizatat më jetëgjata në Europë. Aktualisht pjesë e saj janë 44 shtete anëtare, të cilat adresojnë tematikat e sigurisë, lehtësimit, parrezikshmërisë, mjedisit, ekonomisë dhe aspektit rregullator.