» Masat e marra për revokimin e lejeve minerare në zonën Krast-Verjon, Krujë
Postuar më: 04/03/2019

Masat e marra për revokimin e lejeve minerare në zonën Krast-Verjon, Krujë

Fjala e zëvendës/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Ilir Bejtja gjatë konferencës së përbashkët të 4 ministrive:

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e ekosistemit Krastë – Verjon, “Pejsazh i mbrojtur”, si dhe Urdhrit të Kryeministrit “Për ngritjen e Task-Forcës për zbatimin e kërkesave dhe standarteve ligjore lidhur me veprimtaritë për shfrytëzimin minerar brenda territorit të pejsazhit të mbrojtur natyror “Kraste-Verjon”, Krujë”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka angazhuar task-forcën e saj, së bashku me strukturat përgjegjëse që monitorojnë dhe kontrollojnë, zbatimin e ligjit minerar në çdo aspekt të veprimtarisë minerare.

Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes 4 ministrive, grupet e inspektimit të MIE kontrolluan dhe vlerësuan subjektet minerare për:

1. Kushtet e zbatimit të projektit teknik dhe lejen minerare;

2. Respektimin e koordinatave të lejes minerare;

3. Investimet e kryera nga subjekti në zbatim të kushteve të lejes minerare;

4. Pagesat e garancisë për rehabilitimin mjedisor;

5. Investimet e kryera për rehabilitimin mjedisor;

6. Kontrollin e sigurise teknike dhe mbrojtjen e jetës së punonjësve

7. Sigurinë e sistemit të transmetimit të linjave të tensionit të lartë;

Grupet e punës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë ushtruar kontroll në bashkëpunim edhe me grupet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Ekonomisë e Financave dhe Ministrisë së Brendshme.

Grupet e inspektimit në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN, OST dhe AKSEM, kanë përfunduar materialin e plotë të kontrollit duke dhënë dhe konkluzionet përkatëse për çdo subjekt që ushtron aktivitet minerar në zonën “Krastë-Verjon”, Krujë.

Në secilin prej 12 subjekteve është mbajtur Akt-Konstatimi përkatës, ku është evidentuar gjendja aktuale e objekteve minerare, problematikat për secilin prej tyre.

Pas përfundimit të kontrollit rezultoi se subjektet që ushtrojnë aktivitet minerar në zonën e shpallur pejsazh i mbrojtur natyror Krastë-Verjon, nuk kanë zbatuar rigorozisht projektin teknik të hapjes dhe shfrytëzimit të objekteve minerare duke krijuar probleme të sigurisë teknike dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Bazuar në konkluzionet e grupit të kontrollit, si dhe në zbatim të ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të 12 subjektet që ushtrojnë aktivitet në zonën e shpallur peisazh i mbrojtur, është marrë vendimi për fillimin e procedurës së revokimit të lejes minerare.