Kuvend, fjala e Ministrit Enea Karakaçi - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/06/2026

Kuvend, fjala e Ministrit Enea Karakaçi

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi në Kuvend

Faleminderit drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

I nderuar zoti Hoti,

I nderuar zoti Gjoni.

Faleminderit për mundësinë e bërjes së kësaj interpelance, por edhe faleminderit për mënyrën e shtrimit dhe trajtimit të çështjeve në mënyrë qytetare, përsa i përket, le të themi, elementeve reale që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemit të transportit në qarkun e Lezhës, Shkodrës, por edhe veriut në tërësi.

Së pari, dua dhe të adresoj faktin që ngriti zoti Hoti përsa i përket kërkesave që ka bërë në mënyrë të vazhdueshme. Ndjesë, nëse duhet të merrni në konsideratë, unë përgjigjem le të themi për kohën time, unë nuk mbaj mend që nga marsi që jam bërë ministër të më ketë ardhur ndonjë kërkesë. Gjithsesi, marr përgjegjësi në qoftë se ministria nuk ju ka dërguar përgjigje për pyetjet që ju keni parashtruar.

Unë do të përpiqem që t’i marr me radhë projektet siç u referuan dhe pastaj edhe për pyetje shtesë që mund të keni, jam i gatshëm për t’ju përgjigjur. Po e filloj përsa i përket hyrjes së qytetit të Shkodrës. Hyrja e qytetit të Shkodrës është një projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Është një nyje shumë e rëndësishme për hyrjen e qytetit, siç e theksoni, qyteti i Shkodrës është një nyje strategjike në veri, pasi ndërlidh dy pikat kufitare të Malit të Zi me pjesët e tjera të Shqipërisë, por edhe jo vetëm.

Përsa i përket projektit, dua të theksoj që kontrata është lidhur në 23 dhjetor të vitit 2024 dhe ka patur afat punimesh 18 muaj dhe afati i përfundimit të saj është 23 qershor 2026. Pra, jemi tërësisht në përputhje të kushteve të kontratës. Patjetër, si çdo rrugë, do kohën e vet për t’u bërë. Në kontratë ka 18 muaj për ta zhvilluar. Siç besoj edhe ju e keni parë, tani rruga është e shtruar në pjesën në pjesën kryesore të saj, përveç një rrethrrotullimi, i cili do ta do ta shtjelloj pak më poshtë edhe pjesën e çështjes së rrethrrotullimit. Por jemi plotësisht brenda kushteve, për më tepër që nga maji, ajo rrugë tashmë është e aksesueshme në të dyja korsitë e saj dhe e asfaltuar.

Përsa i përket çështjes që ju ngritët, që thoni pse ka patur ndryshime të vazhdueshme të projektit apo ndërhyrje të papërfunduara, dua të saktësoj faktin që informacioni juaj nuk është tërësisht i drejtë, pasi nuk është se ka patur ndryshime të vazhdueshme të projektit. Ka patur vetëm një Këshill Teknik për miratimin e një ndryshimi të kërkuar nga banorët e zonës dhe të propozuar nga Bashkia Shkodër dhe bizneseve që shtrihen përgjatë aksit rrugor. Dhe ky ndryshim është aktualisht duke u implementuar. Bëhet fjalë për shtimin e një rrethrrotullimi, i cili u konsiderua i nevojshëm për komunikimin e banorëve dhe bizneseve në të dyja anët e rrugës.

Nëse do më pyesnit mua, edhe unë patjetër jam i pakënaqur që shtohet një rrethrrotullim shtesë, pasi humbet lëvizshmëria, por në fund të ditës, projektet rrugore kanë të bëjnë jo vetëm me qarkullimin e lirë të njerëzve, por edhe me ndërlidhjen e banorëve. Ju e dini shumë mirë që ajo pjesë e Bahçallëkut aty është pjesë e populluar me banesa, por dhe me biznese dhe si e tillë, është krejtësisht e kuptueshme fakti që ato banorë dhe ato biznese kërkojnë ndërlidhje me rrugën. Dhe në këtë kuptim, është vlerësuar e arsyeshme, siç e thashë, pas propozimeve të banorëve, bizneseve dhe Bashkisë Shkodër që të shtohet ai rrethrrotullim.

Kur do të përfundojë përfundimisht ky segment, që sot përbën problem serioz, siç e thoni, për qytetarët dhe për bizneset e Shkodrës? Siç e referova, do të përfundojë brenda afatit. Pra afati i kontratës është në datën 23 qershor dhe patjetër brenda datës 23 qershor do të jetë i përfunduar. Pavarësisht faktit që siç e thashë është që tani i tërësisht i aksesueshëm dhe që tani plotësisht i shtruar në të dyja segmentet dhe korsitë e secilës anë.

Përsa i përket hyrjes dhe daljes, tani ai është projekti i miratuar dhe i propozuar. A do doja dhe unë ta kisha një projekt që të kishte ndoshta zgjerim më të madh? Patjetër, por gjykoj dhe vlerësoj që edhe me përfundimin e urës së Bahçallëkut, ka një lehtësi komunikimi dhe qarkullimi në të dyja krahët e rrugës. Ura e Bahçallëkut është pjesë e të njëjtit segment, besoj e keni shumë të qartë që aty është duke u punuar, se është e evidente me sy të lirë.

Këmbët e urës dhe ura nuk mund të punohet në qoftë se niveli i Drinit është i lartë. Dhe këtë vit niveli i Drinit ka qenë shumë i lartë për shkak të reshjeve. Dhe rifillimi i punimeve është bërë i mundur vetëm pas fundit të muajit prill të këtij viti. Punimet tashmë janë duke ecur në mënyrë të kënaqshme dhe deklarimi është që brenda muajit nëntor ose dhjetor të vitit 2026 dhe ura e dytë e Bahçallëkut është e përfunduar. Siç e thashë, patjetër që ka pasur vonesa që lidhen me shkaqe objektive, pasi lumi ka qenë në nivel të lartë dhe është e pamundur për t’u punuar në atë segment.

Përsa i përket rrugës së Dukagjinit, nuk është një projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë apo Autoritetit Rrugor Shqiptar, megjithatë për efekt të seriozitetit të interpelancës, jam interesuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe ato punime që kanë qenë të parashikuara për këtë rrugë, janë përfunduar dhe kolauduar gjatë vitit 2025, në përputhje me afatet kontraktuale. Konkretisht, projekti është realizuar dhe kolauduar në dy segmente, Prekal – Kir me gjatësi 17 kilometra dhe Kir – Lotaj – Ndrëlysaj me gjatësi 30.3 kilometër. Punimet e realizuara kanë konsistuar në zgjerimin e trupit ekzistues të rrugës ose hapjen e gjurmëve të reja të rrugës, mbushjen e trupit të rrugës me material të granuluar, ndërtimin e strukturave prej betonit të armuar, tombinove etj, si dhe vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe elementeve mbrojtës rrugor.

​Para se të ndalem te Milot – Balldreni, dua të jap edhe një sqarim për zotin Gjoni përsa i përket urës së Matit dhe urës së Lezhës. Po, është e vërtetë që ura e Matit nuk është në standardin e kërkuar, pjesa e kalimit të mjeteve. Dua të theksoj faktin që para një viti, te ura e Matit u bllokua kalimi i automjeteve për shkak të pasigurisë së këmbëve të urës, dhe jo për sistemimin dhe asfaltimin e urës sipër. Dhe ajo që unë kam qenë në ditët e para të marrjes së detyrës për ta përuruar dhe për ta inspektuar, kanë qenë këmbët e urës për ta kthyer urën të sigurtë dhe mos të kishim rrezik të cenimit të infrastrukturës së urës. Ato punime janë kryer nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe ura për atë qëllim për të cilën ishte kryer kontrata, është realizuar dhe është plotësisht e saktë.

Po, ato foto që ju referoni janë të vërteta, janë reale, i kam parë dhe unë dhe ajo urë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për rivendosjen dhe riasfaltimin e gjithë urës në tërësinë e saj. Projekti besoj që duhet të fillojë për riveshjen me asfalt të asaj ure rreth muajit shtator, po flas nga memoria e kontratave. Pra qëllimi për të cilin është bërë inspektimi dhe kontraktimi dhe punimet, kanë qenë për sigurinë e këmbëve të urës, që është po aq e rëndësishme sa edhe madje edhe ndoshta më e rëndësishme sesa aksesi, sepse ishim duke folur për sigurinë e urës.

Ndërsa përsa i përket urës së Lezhës, e vërtetë edhe ajo, e kam parë dhe unë, dhe jo vetëm aq, kam çuar grupet e inspektimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që para rreth një muaji kur çështja u bë sensitive për atë urë. Nga inspektimi i bërë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, patjetër është evidentuar që nuk ka rrezikshmëri përsa i përket sigurisë së këmbëve të urës. Dhe megjithatë, është duke u patur në vëmendje dhe grupet e terrenit janë në monitorim të vazhdueshëm përsa i përket asaj ure.

Dhe për ta përfunduar, doja të ndalesha te Milot – Balldreni. Po, Milot – Balldreni është një projekt jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Siç e theksoi dhe zoti Hoti dhe zoti Gjoni, nuk është vetëm nyje që ndërlidh qarqet e Lezhës dhe Shkodrës, por është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i identifikuar po ashtu si pjesë e korridorit TEN-T mesdhetar. Bëhet fjalë për një korridor që lidh Europën Qendrore, Italinë e Veriut me Ballkanin, Europën Juglindore, me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë.

Ndërtimi i këtij aksi në fakt është domosdoshmëri. Dhe jo vetëm aq, ai aks është në kohën jashtë sezonit veror, është në kapacitetin e tij maksimal dhe në kohën e sezonit veror bëhet shumë e vështirë kalimi aty. E di këtë jo vetëm si banor i qarkut të Shkodrës, por edhe si ministër dhe si qytetar dhe në këtë kuptim, e njoh mjaft mirë rëndësinë që ka që ka ky aks.

Zoti Hoti me të drejtë më përmendi një deklaratë timen dhe unë po e përmend siç e kam referuar. Me datë 28 prill në përurimin e hapjes së korsive të reja të Tiranë – Durrës, unë bashkë me Kryeministrin i kam deklaruar që projekti Milot – Balldren duhet të shpallet fituesi brenda dy-tre javësh. Sepse kisha një pritshmëri që duhet të kishte dalë fituesi brenda datës 20 maj. Nuk ka dalë akoma, kërkoj shumë ndjesë për dy javët e humbura, pasi vetë i ndjej ato dy javë në përgjegjësinë time maksimale.

Projekti Milot – Balldren është në garë koncesioni. Parashikon ndërtimin e 17 kilometrave kategoria A, dhe parashikon dhe ndërtimin e rrugës alternative C, pa pagesë, për të gjithë banorët që duan të kalojnë në rrugët alternative. Projekti i koncesionimit është në fazën përmbyllëse të tij. Patjetër ka një komision koncesioni për këtë gjë dhe unë nuk dua që të presionoj më tepër gjithë, le të themi, strukturat e Ministrisë dhe jo vetëm, që janë duke u marrë për këtë qëllim. Mund të dalë ditën e sotme, mund të dalë ditën e nesërme, mund të dalë ditën e hënë, mund të dalë ditën e martë, këtë nuk mund të ta jap një datë përfundimtare. Është çështje ditësh fundore sepse procesi është në përmbyllje të tij.

Dhe do të jetë një nyje shumë e rëndësishme, siç e thashë, jo vetëm përsa i përket gjithë ndërlidhjes së korridorit Adriatiko-Jonian, por edhe për gjithë e qarkun e veriut. Ndërkohë, ndërkohë siç e theksova, projekti është në fazë përfundimtare të koncesionimit dhe është në fazën e përmbylljes së pikëve të koncesionimit.

Ndërkohë, përsa i përket gjithë qarkut të veriut, unë dua të theksoj faktin që patjetër, vëmendja e qeverisë është maksimale. Jo më larg se para dy javëve, tre javësh këtu, miratuam projektin “Porta e Alpeve”, që është një projekt i dedikuar për qarkun e Shkodrës dhe për Lezhën, në një nivel rreth 100 milionë euro, ku parashikohen ndërhyrje infrastrukturore dhe ndërhyrje në qytetet kryesore të qarkut, dhe ndërlidhjen ndërmjet Alpeve dhe pjesës së Adriatikut dhe bregdetit të Velipojës dhe Shëngjinit.

Faleminderit, i gatshëm për të vazhduar diskutimin.

***

Po përpiqem ti përmbledh disa nga diskutimet e bëra, si dhe për të dhënë disa sqarime në lidhje me to. Së pari, siç unë e theksova, Korridori Adriatiko-Jonian nuk është vetëm segmentim i disa rrugëve, siç është Milot-Balldreni, por është korridor shumë i rëndësishëm përsa i përket gjithë ndërlidhjes së rrugëve dhe përsa i përket korridoreve TEN-T, por edhe ndërlidhjes midis Shqipërisë dhe pjesës sipër të Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë e tutje. Dhe, në fakt, unë e kam vëmendje të veçantë pjesën Muriqan-Balldren, i cili është pjesë e segmentit të Korridorit Adriatiko-Jonian. Është në fazën e studimit të fizibilitetit në bazë të kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor, WBIF, dhe pritet që studimi i fizibilitetit i plotë i asaj rruge, sipas standardeve përkatëse, të vijë shumë shpejt brenda disa muajsh. Është duke u bërë nga konsulentë ndërkombëtarë të përzgjedhur, siç e thashë, nga WBIF dhe nga konsulentët më të mirë për këtë qëllim për ta bërë sipas standardeve më të mira në kategorinë A dhe e cila ka rreth 8-9 ura dhe vepra të tjera.

Ndërkohë, pjesa e autostradës, unë e referova disa herë dhe po jap informacionin që përsa i përket pjesës së Milot-Balldren, do doja edhe unë ta kisha bërë sot, mund të dalë sot, mund të dalë nesër, mund të dalë të hënën, është në fazën përmbyllëse të procedurës konkurruese. Dhe rruga do bëhet, do jetë 17 kilometra, e cila do jetë kategoria A dhe kategoria C rruga alternative, siç është sot aktualisht edhe rruga alternative. Patjetër ka pasur vonesa përkatëse, ka pasur dhe një kontratë të nënshkruar sipas procedurës së vitit 2018, e cila nuk u finalizua. Jemi duke folur për projekte infrastrukturore të cilat disa ecin në kohën e duhur, siç është Thumanë-Kashari, e cila tashmë është e ndërtuar dhe është pjesë e segmentit Adriatiko-Jonian. Por dua të theksoj vetëm një element, që rrugët me kategori A sipas standardit përkatës, me pagesë, nuk janë vetëm rrugët e veriut. Është e kontraktuar edhe Kashar-Lekaj, është dhe Lekaj-Fier, që është vazhdimi i Korridorit Adriatiko-Jonian, të cilat kanë të njëjtën tipologji, kategori A me pagesë dhe kategori C alternative pa pagesë për qytetarët.

Dhe për ta ndërlidhur me pjesën e turizmit, ju me të drejtë theksoni, le të themi, vonesat që ka trafiku, po turizmi nuk është vetëm aq. Turizmi është edhe bërja e zhvillimeve në energji, bërja e zhvillimeve në ujësjellës-kanalizime, në të cilën edhe në Shkodër, edhe në Lezhë ka dy projekte në lidhje me financimin e ujësjellës-kanalizimeve të qytetit të Shkodrës dhe Lezhës dhe për trajtimin e impiantit të ujërave të ndotur, e cila tashmë është pjesë e buxhetuar dhe e financuar edhe në Shkodër, edhe në Lezhë, që është me huamarrësin KfW. Dhe janë faza kontraktore, pjesa e Shkodrës e ujësjellësit përfundon në qershor, në Lezhë është në faza shumë të avancuara edhe trajtimi i impiantit të ujërave të ndotura është e kontraktuar në Shkodër.

Ndërkohë, pa u ndalur te pjesa e turizmit, patjetër që vlen për t’u theksuar Shëngjin-Velipojë, një nyjë shumë e rëndësishme. Rruga e Thethit, duhet të kujtojmë Thethin i cili ishte dhe i bllokuar me muaj të tërë dhe vetëm në energji në të gjitha këto zona të katër qarqeve të veriut, vetëm katër vitet e fundit janë, janë investuar 32 milionë euro. Patjetër, edhe unë dua që të jetë më shumë dhe do bëhen edhe më shumë.

Për ta përmbyllur pak përsa i përket asaj çfarë tha zoti Hoti, bie shumë dakord me ty i nderuar, pse Shkodra në fund të radhës? Shkodra të ndëshkon dhe pse kaq gjatë Shkodra?! Është e vërtetë. Pse nuk e bëtë për 30 vjet zoti Hoti? Dhe prandaj pikërisht se Shkodra të ndëshkon dhe pikërisht se Shkodra di ta japë votën si duhet, në vitin 2023 dha votën aty ku duhet. Dhe të gjitha ato investime që ju jeni duke referuar, që unë ju dhashë përgjigje, si Ura e Bahçallëkut, si Ura e Shkodrës, çdo qytetar mund ta shikojë që janë duke u implementuar dhe nuk janë në letër.

Faleminderit!