Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi në Kuvend
I nderuar kryetar i Kuvendit!
Të nderuar deputetë!
Shqipëria, si një vend me një pozicion të rëndësishëm gjeografik në hapësirën detare të Mesdheut dhe me një potencial të konsiderueshëm në zhvillimin e transportit dhe ekonomisë detare, ka një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që aktiviteti detar të zhvillohet mbi standarde të larta sigurie, përgjegjshmërie dhe mbrojtjeje mjedisore.
Zhvillimi i sektorit detar nuk lidhet vetëm me infrastrukturën portuale apo zhvillimin e infrastrukturave detare, ai lidhet drejtpërdrejt edhe me sigurinë e lundrimit, mbrojtjen e jetës së njerëzve, ruajtjen e mjedisit detar dhe aftësinë e institucioneve tona për të zbatuar standardet ndërkombëtare.
Në këtë këndvështrim, përafrimi i vazhdueshëm ligjor dhe sigurisht me konventat ndërkombëtare apo me përafrimin me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian është një prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Dhe pikërisht, kjo përgjegjësi e bën të rëndësishëm këtë projektligji që kemi ne sot për shqyrtim.
Përmes tij, Shqipëria përditëson angazhimet e saj në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual, duke reflektuar zhvillimet më të fundit në të drejtën ndërkombëtare përsa i përket kësaj çështje të sigurisë portuale dhe të gjitha çështjeve detare që rregullon ky memorandum i Parisit.
Ky është një hap konkret për të garantuar që portet tona dhe mekanizmat tonë të kontrollit të funksionojnë në përputhje me kërkesat bashkëkohore ndërkombëtare, duke mbrojtur njëkohësisht interesin publik, mjedisin dhe sigurinë detare.
Është e rëndësishme të theksojmë se nuk kemi të bëjmë me miratimin e një marrëveshjeje të re ndërkombëtare, por me anë të këtij projektligji ratifikojmë ndryshimet ekzistuese që janë bërë tashmë në këtë Konventë.
Memorandumi i Parisit përbën një nga mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtar për bashkëpunimin rajonal, përmes të cilit realizohet kontrolli i anijeve të huaja që hyjnë në portet e vendeve pjesëmarrëse. Qëllimi i tij është të sigurojë që anijet që operojnë në ujërat dhe portet tona të përmbushin standardet ndërkombëtare në fushën e sigurisë detare, mbrojtjes së mjedisit dhe kushteve të punës e të jetesës së detarëve.
Në këtë kuptim, përditësimi i këtij memorandumi nuk është thjesht një ndërhyrje formale në tekstin e një instrumenti ndërkombëtar, por është një hap drejt forcimit të standardeve dhe njëtrajtshmërisë së kontrolleve që ushtrohen nga autoritetet portuale.
Ndryshimet e propozuara janë tre:
Së pari, në seksionin 2.1 përfshihet në këtë memorandum shprehimisht Konventa e vitit 2009 e Hong Kongut, që e integron atë me të gjitha referencat ndërkombëtare mbi të cilat ushtrohet kontrolli shtetëror portual.
Së dyti, në aneksin numër 10 shtohet Certifikata Ndërkombëtare mbi Inventarin e Materialeve të Rrezikshme, element i rëndësishëm ky për sigurinë portuale.
Dhe së treti, shtohet Certifikata Ndërkombëtare e Gatishmërisë për Riciklim, e cila lidhet me përgatitjen e anijes për një proces riciklimi të sigurt dhe në përputhje me kërkesat mjedisore.
Këto plotësime i japin inspektorëve detarë instrumentet e nevojshme për të verifikuar përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë.
Përfitimet që synohen të bëhen përmes këtij përditësimi janë tre.
Së pari, synohet forcimi i sigurisë së lundrimit, duke siguruar që kontrollet portuale të mbështeten në praktika të përditësuara ndërkombëtare.
Së dyti, synohet mbrojtja më e mirë e mjedisit detar dhe e shëndetit të njerëzve, përmes identifikimit dhe administrimit të duhur të materialeve të rrezikshme që mund të gjenden në anije.
Së treti, këto ndryshime do të kontribuojnë në rritjen e qartësisë, transparencës dhe njëtrajtshmërisë së praktikave të inspektimit, duke shmangur mospërputhjet në interpretim apo me normat e zbatimit.
Në aspektin institucional, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme Detare, do të ndjekë përditësimin e procedurave të kontrollit shtetëror portual dhe përgatitjen profesionale të inspektorëve, me qëllim zbatimin e plotë të kërkesave të saj.
Gjithashtu, ky përditësim përbën një hap të rëndësishëm drejt angazhimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë në kuadër të Kapitullit 14 të BE, “Politika e transportit” dhe hynë ndër ato akte të cilat ne jemi angazhuar para Bashkimi Evropian për integrimin e plotë të tyre.
Të nderuar deputetë,
Ky projektligj i përgjigjet nevojës për të mbajtur të përditësuar kuadrin ligjor dhe institucional të kontrollit shtetëror portual, në përputhje me zhvillimet e së drejtës ndërkombëtare detare.
Përmes këtyre ndryshimeve, Shqipëria forcon angazhimin e saj për sigurinë e lundrimit, mbrojtjen e mjedisit detar, administrimin e materialeve të rrezikshme dhe garantimin e standardeve të duhura për riciklimin e anijeve.
Njëkohësisht, përditësimi i praktikave të inspektimit dhe harmonizimi me standardet ndërkombëtare krijojnë një bazë më të qartë për përmbushjen e detyrimeve tona dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Për të gjitha këto arsye, ju ftojmë të miratojmë këtë projektligj.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë