Kërkimet në Shpirag, Balluku: Zbulimi i parë i një vendburimi të ri të naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 27/05/2019

Kërkimet në Shpirag, Balluku: Zbulimi i parë i një vendburimi të ri të naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri

Deklarata e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në konferencën e përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Shell në Shqipëri, z.Rohan D’Souza

 

Mirëdita!

Lajmet e mira zakonisht qarkullojnë shpejt dhe çfarë ne kemi thërritur sot që ju të jeni këtu për t’ju dhënë një lajm të mirë, disi i keni marrë informacionet gjatë fundjavës, megjithatë unë do desha që të kalonim më në detaje pasi kjo është një ditë e shënuar përsa i përket industrisë së naftës dhe gazit shqiptarë, por nga ana tjetër sigurisht është dhe një ditë e shënuar për rritjen ekonomike në Republikën e Shqipërisë.

I nderuar zoti D’Souza!

Të nderuar pjesëmarrës!

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se disa vitesh aktivitetit kërkues dhe vlerësues në Shqipëri, kompania Shell konfirmon potencialin e zbulimit të rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3, zona e Shpiragut, Qarku Berat.

Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë pasi mund të jetë zbulimi i parë i  naftës në 30 vitet e  fundit në Shqipëri.

Kompania Shell ka qenë këmbëngulëse në punimet në pusin Shpirag 4, ku rezultatet e mëparshme kanë konfirmuar cilësinë e naftës së papërpunuar dhe ekzistencën e rezervave të mundshme të naftës.

Gjithashtu  rezultateve fundit konfirmojnë se, struktura e rripit naftëmbajtës është me porozitet të lartë, duke e bërë kështu nxjerrjen e naftës më të lehtë dhe rrjedhimisht, më pak të kushtueshme.

Konfirmimi në pusin Shpirag 4 i jep Shell garanci për të vazhduar punimet dhe investimet në pusin Shpirag 3, me një probabilitet të lartë suksesi, të nevojshëm për përfundimin e programit të vlerësimit.

Në fund të fazës së vlerësimit, nëse pusi përmbush pritshmërinë, Shell do të fillojë prodhimin, duke u bërë kështu një aktor i rëndësishëm akoma dhe më në tregun e naftës dhe gazit në Shqipëri.

Prodhimi aktual i naftës së papërpunuar për Shqipëri, në shkallë vendi është përafërsisht 18 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që nga ky pus  potenciali parashikon të prodhojë disa mijëra fuçi në ditë, gjë që vërteton rëndësinë e madhe të këtij zbulimi të ri.

Për më tepër, ky zbulim do të ketë implikime të rëndësishme ekonomike si për kompaninë ashtu edhe shtetin shqiptar.

Sikurse përcaktohet në marrëveshjen e hidorkarbureve me SHELL, shteti shqiptar përfiton rentë minerare, pjesën e tij të prodhimit, si dhe tatim mbi fitimin që nga fuçia e parë e prodhuar.

Çfarë është edhe më e rëndësishme, prodhimi nga ky pus do të stimulojë punësimin, do të rrisë furnizimin me naftë të rafinerive vendase, do të inkurajojë krijimin e ekonomive të shkallës në sektorin e doënstream dhe do të krijojë standarde më të larta të prodhimit në atë të sektorit  upstream.

Konfirmimi i këtij zbulimi të rëndësishëm të naftës së lehtë i hap rrugë investimeve të ardhshme në aktivitetet e kërkimit pasi është një tregues i pranisë së rezervave të pa eksploruara të hidrokarbureve deri më tash në Shqipëri.

Sektori i hidrokarbureve ka qenë gjatë viteve të fundit në qendër të vëmendjes së Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Sot, investimet private në fushën e kërkim-zbulimit arrijnë në vlerën 1.5 miliardë dollarë ku një vend të rëndësishëm zë kompania SHELL me një të tretën e këtyre investimeve.

Nga ana tjetër, jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me kompani të tjera të mëdha dhe prestigjioze që kanë shfaqur interesin e tyre për ushtruar  aktivitetin në vendin tonë për  kërkim-zbulimi të naftës dhe të gazit dhe ashtu siç dukshëm, në këto momente zbulimi i SHELL do t’i nxisë këto kompani  për të përshpejtuar gjithçka që ata kanë në planet e tyre për investimet në Shqipëri në të ardhmen.

Qeveria Shqiptare do të vijojë të mbështesë, nxisë dhe të mbrojë, me transparencë të plotë, të gjithë iniciativat e rëndësishme dhe të suksesshme të investitorëve të huaj e vendas në Shqipëri, në zbulimin dhe nxjerrjen e naftës dhe të gazit, si e vetmja mënyrë për të kontribuar në një rrije të qëndrueshme ekonomike të vendit.

Ky është një zbulim  me të cilin sapo jemi përballur dhe sapo e kemi mësuar kështu që, unë e di që kurioziteti është sesa është numri i fuçive në ditë apo sesa pritet që të ketë ndikim në buxhetin e shtetit, megjithatë duhet të kuptojmë që ne jemi në fazat e para, rëndësi ka që është zbuluar naftë e lehtë që Shqipëria është prodhuese, për ekspertët që kam dhe më konfirmojnë, e naftës së rëndë e cila nuk është shumë e preferuar dhe e kërkuar në tregje dhe zbulimi i kësaj nafte të lehtë ne na bën që të fillojmë dhe të kemi një rëndësi të madhe në tregun e hidrokarbureve botëror përsa i përket tregtimit të tij dhe sigurisht, siç dhe unë thash në fjalën time furnizimi i rafinerive vendase por edhe i të huajave me naftë të lehtë është shumë më i kërkuar dhe më i duhuri.

Po ja kaloj fjalën zotit D’ Souza nga SHELL për gjithçka tjetër dhe më teknike por megjithatë në ditët e ardhshme ne do kemi mundësi që t’ju ofrojmë ju edhe detaje më të qarta përsa i përket këtij zbulimi kaq të rëndësishëm.

Faleminderit!