Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Kontrata e Shërbimit Publik (PSC) për transportin hekurudhor të udhëtarëve
Përshëndetje të gjithëve,
Është kënaqësi të nisim ditën me një takim mjaft të rëndësishëm, së bashku, me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare që kanë zgjedhur ta shohin Shqipërinë si pjesë e së ardhmes të tyre. Ajo që na bashkon sot shkon përtej një procedure konsultimi apo informimi, sepse jemi duke diskutuar një hap konkret për një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin e transportit hekurudhor në vend.
Bëhet fjalë për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në korridorin Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. Një projekt që kërkon jo vetëm ekspertizë dhe përvojë, por edhe një vizion të përbashkët për atë që se si duam të duket transporti publik shqiptar në vitet që vijnë.
Tashmë projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e një vizioni të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor, dhe për ta kthyer hekurudhën shqiptare në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit.
E vërteta është se ky është një sektor ku ne kemi pasur shpesh shumë mangësi, në pjesën më të madhe sigurisht të trashëguara, por edhe për shkak të vështirësive që lidhen kryesisht me mundësitë e financimit të një sektori, që në gjitha botën kërkon fonde shumë të mëdha.
Gjithsesi vitet e fundit kanë shënuar një ndryshim rrënjësor edhe në këtë sektor. Shqipëria është duke ndërtuar një program të gjerë investimesh që synon të rikthejë dhe modernizojë rrjetin hekurudhor, duke e integruar gradualisht me rrjetet rajonale dhe evropiane.
Projekti i linjës Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet tashme janë drejt përfundimit dhe komponenti i fundit i këtij projekti, elektrifikimi, parashikohet që të mbyllet brenda vitit 2027.
Por ky nuk është sigurisht një projekt i izoluar. Në veri të vendit, linja Vorë-Hani i Hotit është rreth 120 kilometra, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Projekti është bashkëfinancuar nga EBRD, EIB dhe Bashkimi Evropian, ndërsa vlerësimi i ofertave tashmë është në fazën përfundimtare dhe ne presim për shpalljen e fituesit brenda këtij viti.
Po ashtu, në qendër, projekti tjetër Durrës-Rrogozhinë është një tjetër hallkë e rëndësishme e ndërlidhjes hekurudhore. Kjo linjë është pjesë e rrjetit kryesor TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe e Korridorit VIII. Rehabilitimi do të mundësojë përsëri dhe këtu një infrastrukturë moderne, me shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë, stacione të modernizuara, sisteme të reja sinjalizimi dhe telekomunikacioni. Edhe këtu, vlerësimi i ofertave tashmë jemi në fazën përfundimtare. Procesi konkurrues është përmbyllur dhe ne presim po ashtu brenda këtij viti tashmë të kemi të shpallur fituesin dhe pse jo të lidhur kontratën.
Në të njëjtën kohë, po përgatitet edhe projekti Rrogozhinë-Pogradec, që është vijimi i kësaj linje hekurudhore të Korridorit VIII dhe po zhvillohet projekti për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore për Aeroportin e Vlorës. Në fokus kemi gjithashtu dhe linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, të cilën bashkë me Agjencinë Franceze të Zhvillimit po përpiqemi që të bëjmë një projekt të detajuar teknik. Dhe krahas transportit të udhëtarëve, po ndërtojmë edhe lidhjet e nevojshme për transportin e mallrave.
Lidhja Sukth-Porto Romano do të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri në Porto Romano dhe do të forcojë lidhjen ndërmodale ndërmjet hekurudhës dhe transportit detar.
Pra, ajo që po tentojmë të ndërtojmë është një rrjet që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare.
Ky është vizioni i rivitalizimit të Hekurudhës Shqiptare. Por investimi në infrastrukturë, sado i rëndësishëm të jetë, nuk është qëllimi final. Në fakt, qëllimi final është që qytetarët ta ndjejnë realisht ndryshimin dhe për këtë ne duhet të sigurojmë edhe një shërbim hekurudhor modern, të rregullt, të besueshëm dhe të orientuar drejt pasagjerit.
Dhe pikërisht këtu merr rëndësi Kontrata e Shërbimit Publik që po diskutojmë ditën e sotme. Kontrata e Shërbimit Publik për korridorin e parë tashmë Tiranë-Aeroport-Durrës synon të krijojë kuadrin kontraktual për ofrimin e shërbimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve, duke përcaktuar qartë detyrimin e shërbimit publik, standardet e shërbimit, përgjegjësinë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si e konceptojmë transportin hekurudhor. Shteti përcakton tashmë nevojën dhe standardin e shërbimit publik, ndërsa përmes një procedure konkurruese kërkohet nga tregu të gjendet zgjidhja më e përshtatshme për operimin e këtij shërbimi.
Kontrata duhet të përcaktojë qartë elementet kryesore të shërbimit: volumin e shërbimit dhe train-kilometrat, oraret, mjetet lëvizëse, modelin e pronësisë ose të leasing-ut dhe financimin, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, periudhën e mobilizimit, kohëzgjatjen e kontratës, mekanizmin e kompensimit dhe indeksimit, trajtimin e të ardhurave nga biletat dhe regjimin e performancës KPI-ve.
Një aspekt i veçantë sigurisht është edhe performanca. Ne nuk duam thjesht një operator që të kryejë kilometra hekurudhorë. Duam një shërbim që të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në kohë, i sigurt, i besueshëm, i mirëmbajtur dhe me një cilësi të përcaktuar qartë.
Procedura që po përgatitim duhet të garantojë njëkohësisht edhe konkurrencën, transparencën dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të marrë nga tregu zgjidhjet më të mira.
Një partneritet i ri me sektorin privat.
Ky proces duhet gjithashtu të sjellë edhe ekspertizën dhe përvojën e operatorëve ndërkombëtarë dhe privatë në sistemin tonë hekurudhor. Konsultimi me tregun, që ne po bëjmë sot, ka një rol të rëndësishëm pikërisht për këtë arsye. Nuk kërkojmë vetëm të dimë nëse ka interes për të operuar shërbimin. Duam të kuptojmë se cilat janë zgjidhjet reale të tregut për mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen dhe mobilizimin e shërbimit.
Në këtë kuadër, synimi ynë është që përvoja e operatorit të kontribuojë edhe në zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe transferimin e njohurive, duke përfshirë personelin e Hekurudhës Shqiptare dhe veçanërisht kapacitetet e mirëmbajtjes.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot Shqipëria është në një fazë të re për hekurudhën. Po investojmë në infrastrukturë, po rehabilitojmë korridoret ekzistuese, po përgatisim elektrifikimin dhe sistemet moderne të sinjalizimit, po lidhim hekurudhën me aeroportet dhe portet, po rikthejmë lidhjet ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, po punojmë që këto investime të kthehen në shërbime konkrete për qytetarët.
Kontrata e Shërbimit Publik për Tiranë-Durrës-Aeroport është një nga hapat kryesorë në këtë drejtim. Ajo duhet të jetë ura ndërmjet infrastrukturës së re që po ndërtojmë dhe shërbimit modern që qytetarët presin.
Dhe për ta arritur këtë objektiv, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare, partnerëve tanë evropianë dhe financiarë, që përsëri dua ti falënderoj, EBRD, EIB dhe të gjithë konsulentët e Bashkimit Europian që kanë asistuar Hekurudhën Shqiptare në këtë proces dhe tashmë edhe me përfshirjen e sektorit privat është thelbësor.
Ju falënderoj për kontributin tuaj dhe ju uroj punime të mbara në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e transportit hekurudhor në Shqipëri.
Faleminderit dhe ditë të mbarë sot në këtë proces.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë