“ITU TELECOM WORLD 2019” në Budapest, Çinari: Qeveria Shqiptare nisma për mbulimin e të gjithë territorit me rrjete të shpejtësisë së lartë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 11/09/2019

“ITU TELECOM WORLD 2019” në Budapest, Çinari: Qeveria Shqiptare nisma për mbulimin e të gjithë territorit me rrjete të shpejtësisë së lartë

Në Budapest u mbajt ceremonia hapëse e “ITU TELECOM WORLD 2019”, një takim global i cili bën bashkë përfaqësues nga qeveri të ndryshme, korporata dixhitale dhe SME. Në fokus të takimit, i cili do të zgjasë deri në datën 12 shtator do të jenë një sërë çështjesh si infrastruktura dixhitale, investimet dixhitale, inovacioni dhe përfshirja dixhitale pa asnjë dallim në të gjithë globin.

Në këtë takim, Shqipëria përfaqësohej nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari dhe ambasadori i Shqipërisë në Hungari, Arian Spasse.

Zëvendësministrja Çinari bëri të ditur se Shqipëria po bën hapa përpara sa i takon procesit të dixhitalizimit të vendit duke theksuar se Qeveria Shqiptare është angazhuar në disa nisma ambicioze për mbulimin e të gjithë territorit me broadband ose rrjete të shpejtësisë së lartë.

“Shqipëria po bën hapa serioz përpara në procesin e dixhitalizimit të vendit. Ne jemi krenar për arritjet domethënëse në dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve. Por të jesh dixhital do të thotë të kemi shtrirje të rrjeteve dixhitale në të gjithë vendin, derë më derë. Për këtë arsye jemi angazhuar në nisma shumë ambicioze për  mbulimin e të gjithë Shqipërisë me broadband, ose rrjete të shpejtësisë së lartë”, sqaroi Çinari.

Duke folur pikërisht për disa prej këtyre nismave, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi gjithashtu se ka “filluar Rishikimi i Planit Kombëtar të Broadband, po punojmë me një projekt shumë të madh me WBIF për Zhvillimin e Broadbandit rajonal, kemi dizenjuar pilote për Tiranën 5G dhe pilotë për 100 fshatrat”.