Intensifikim të kontrolleve në tregun e hidrokarbureve - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 12/08/2019

Intensifikim të kontrolleve në tregun e hidrokarbureve

Konferencë për shtyp,  Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i ISHTI-it, Admir Abrija

 

Fjala e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

 

Përshëndetje!

Faleminderit që jeni këtu sot. Sot faktikisht ishte dhe ditë pushimi por ne vazhdojmë punën dhe për këtë arsye unë kam kërkuar një komunikim me median përsa i përket të gjitha praktikave të punës që Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ndjek por mbi të gjitha edhe përsa i përket të gjithë akteve dhe fushatës që ne si qeveri kemi ndërmarrë ndaj informalitetit.

Kontrollet e cilësisë së karburantit janë intensifikuar në kuadër të luftës frontale që qeveria Rama ka hapur kundër informalitetit por sigurisht kjo nuk është një veprimtari që ne e bëjmë sot për herë të parë, duke filluar nga Janari, më pas unë do t’i kaloj fjalën edhe Kryeinspektorit Abrija për t’u dhënë detaje teknike të të gjitha masave të marra, analizave të vazhdueshme që ne kemi kryer përsa i përket cilësisë së karburantit.

Megjithatë dua të theksoj një fakt që informalitetit cilësor është i njëjtë dhe i ngjashëm me informalitetin fiskal për të mos thënë me siguri që është prodhues  i informalitetit fiskal. Pra, duke prishur standarde dhe duke mos përmbushur rregullat cilësore në fushën e hidrokarbureve, subjektet krijojnë si derivat edhe informalitetin fiskal.

Pra këto janë dy komponentë të luftës tonë kundër informalitetit të cilat shkojnë bashkë dhe për këtë arsye unë sot kërkova këtë komunikim me media për t’i bërë të ditur të gjithë subjekteve, por edhe tregut, pasi ndikohet çdo qytetar nga masat që ne marrim në fushën e hidrokarbureve që kjo luftë kundër informalitetit cilësor do të intensifikohet.

Gjithashtu, do desha që duke qenë se sot jemi duke folur për punën dhe detyrën që kryen Inspektorati Shtetëror, Teknik dhe Industrial edhe disa pika të tjera të cilat kemi identifikuar në 6-mujorin e fundit dhe për të cilat kemi një plan pune sesi do t’i monitorojmë, sesi do t’i zgjidhim.

Gjithashtu, shqetësuese për ne është mungesa e rregulloreve të punës në sektorin elektroenergjetik.

Për më tepër, çfarë është identifikuar nga i gjithë aktiviteti që kemi kryer në këto kohë, është mungesa e kapaciteteve monitoruese që ne kemi pasur në fushën e hidrokarbureve naftë nxjerrës dhe përpunuese. Për këtë arsye kemi vendosur që në muajt në vazhdim, para përfundimit të vitit 2019, Inspektorati do pësojë një ristrukturim të thellë por dhe një ngritje kapacitetesh të reja dhe shtim numri të inspektorëve të cilët do t’i përgjigjen të gjitha kërkesave që tashmë kjo luftë kundër informalitetit ka.

Brenda muajit tetor të vitit 2019, ne do ngremë laboratorin e ri të ISHTI-t në Porto Romano për të qenë sa më afër subjekteve gjatë analizave dhe kontrollit të hidrokarbureve duke ulur kostot, si të njësisë së Inspektoratit por edhe të vetë subjekteve duke qenë më pranë tyre për të kontrolluar çdo lloj problematike.

Unë do kërkoja që tani për ju Kryeinspektori të futet në detaje përsa i përket raportimit teknik të këtyre 6-muajve por edhe si raport masat që ne do marrim në të ardhmen përsa i përket luftës kundër informalitetit cilësor.

 

Fjala e kreut të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Admir Abrija

Përshëndetje të gjithëve!

Zonja Ministre!

Të nderuar pjesëmarrës!

Doja t’ju bëja me dije që Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka intensifikuar masat për evidentimin e të gjitha shkeljeve cilësore si dhe të sigurisë në punë në fushën e veprimit të Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Për të zgjidhur sa më mirë këtë pjesë, ne filluam dhe bëmë një analizë risku duke identifikuar numrin e subjekteve që monitoron Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në të gjitha fushat e tij të veprimit. Kryesisht në fushën e hidrokarbureve duke qenë se edhe impakti që kjo fushë elektroenergjetike jep drejtpërdrejtë mbi qytetarët është shumë i madh dhe i ndjeshëm.

Kryesisht të gjithë komponentët që ne kemi analizuar në fushën e hidrokarbureve i kemi konstatuar, jo në pak raste, me shkelje cilësore, kryesisht në naftë, në gaz, në gaz natyror GLN si dhe në solar. Për të gjitha këto raste ne kemi marrë në këtë fushë veprimi masa administrative, edhe subjekteve u kemi dhënë mundësinë që të vijnë pranë komisionit të Apelimit në ISHTI, por përgjithësisht të gjitha masat administrative janë lënë në fuqi.

Fusha e dytë e operimit që ne kemi bërë, që kemi marrë masat tona, ka qenë ajo në fushën elektroenergjetike. Siguria në punë për ne ka qenë shumë e rëndësishme. Kështu të gjithë operatorët që operojnë në fushën elektroenergjetike si OSHEE, KESH, OST dhe gjithë operatorët e tjerë privat, neve ju jemi drejtuar me një letër tërheqjeje vëmendje ku u kemi thënë që duhet të ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta në lidhje me elementët e sigurisë në punë për t’ju ofruar të gjitha standardet operatorëve që veprojnë në këtë treg.

Gjithashtu kemi intensifikuar punën duke bërë një plan masash për sezonin turistik në të gjithë vijën bregdetare dhe kryesisht në fushën e hoteleri-turizëm. Siç edhe ju e dini, janë bërë shpesh herë edhe kronika raste të tilla, për aksidentet në punë. 99% e rasteve të aksidenteve me gazin GLN vijnë si rezultat i mosrespektimit të rregullave të sigurisë. Pothuajse në asnjë rast nuk kemi pasur shpërthim ose plasje të një bombole fizike por rrjedhje, pra nga pakujdesia, kjo ka ardhur nga operatorët ose punonjësit që  i kanë përdorur ato, por asnjëherë objekte që kanë qenë subjekt i punës së ISHTI-t, pra operatorë ekonomik që operojnë në treg që kanë qenë objekt i punës tonë.

Ne më herët, para se të fillonte plani antiinformalitet kemi filluar për të ndërmarrë të gjitha masat për t’u korrigjuar nga vetë detyrat tona funksionale dhe fusha veprimi me plane konkrete. Kur filloi plani operacional ishim gati dhe kemi paraqitur para Ministrisë së Financave dhe agjencive ligjzbatuese në funksion të planit antiinformalitet të gjitha kapacitetet, profilet e riskut ku dhe siç e dini Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe me Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial duke i bërë provën e ekuacionit që produkti ka qenë me shkelje, kemi vendosur të gjitha gjobat dhe kemi ndërmarrë penalitetet ndaj subjekteve që operojnë në kundërshtim me rregulloren dhe standardet e tregut shqiptar.

Kryesisht, ne tashmë jemi duke punuar, siç e tha dhe Ministrja, në ngritjen e kapaciteteve brenda Inspektoratit, kapacitete të cilat janë kryesisht kapacitete teknike dhe në burime njerëzore. Inspektorati, me aktin e ri normativ do të rritet me 130 punonjës nga 100 që ka sot, pra do shkojë numri total 230 dhe me këto kapacitete ne do bëjmë një mbikëqyrje më të mirë të tregut edhe në kuadrin e cilësisë dhe atë të sigurisë por edhe duke ndihmuar agjencitë e tjera partnere për të realizuar misionin e tyre.

Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019 janë kontrolluar para zhdoganimit 3459 subjekte me një rritje prej 20%. Kjo do të thotë që forca jonë evidentuese dhe ndjeshmëria që subjektet kanë pasur në mbikëqyrje ka qenë më e rritur me të njëjtat kapacitete që ne kemi pasur brenda.

Gjithashtu gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019 janë faturuar gati 1.3-1.4 milion dollar duke e rritur vlerën me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës me 3.8%.

Gjithashtu, gjatë 6-mujtorit të parë janë bërë 2477 inspektime me një rritje prej 11%. Gjatë 6-mujtorit të parë të vitit 2019 janë penalizuar 44 subjekte që operojnë në fushën e veprimit të Ministrisë së Energjetikës dhe janë objekt kontrolli i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial.

Kryesisht, kjo ishte pjesa teknike e punës që Inspektorati ka bërë. Çfarë do bëjmë për t’a kontrollua më mirë?

Me ngritjen e laboratorit që ne do bëjmë në Porto Romano do të thotë që ne do të kontrollojmë në real time rreth 85% të tregut të hidrokarbur në Republikën e Shqipërisë. Do të kemi nën mbikëqyrje dhe monitorim gjithë importin. Shumë e rëndësishme ka qenë edhe një element tjetër që ne kemi ngrit në profilet e riskut në lidhje me kartë teknologjike të rafinerive që operojnë në tregun shqiptar.

Faleminderit!

 

 

Fjala e Ministres Balluku, ndërhyrja e dytë

Unë do desha të përmblidhja çfarë deri më tani thamë. Dëgjuar shifrat, intensifikimi i punës së Inspektoratit është i matshëm pasi ne ju referuam këtyre shifrave për 6-mujtorin e fundit por ndërkohë dua që të nënvizoj dhe t’iu jap fokus të veçantë asaj që është dhe arsyeja për të cilën jemi këtu sot dhe që do desha të ishte në fokusin dhe të mediave për të qenë sa më e qartë për të gjitha subjektet.

Lufta frontale kundër informalitetit cilësor, të cilin e konsiderojmë po aq të rrezikshëm sa dhe ai fiskal,  do të vazhdojë dhe do të intensifikohet çdo ditë. Në bashkëpunim me të gjitha strukturat e tjera të shtetit shqiptar, të cilat kanë veprim ligjor dhe ekonomik në monitorimin e subjekteve, do të vazhdojmë të ushtrojmë kontroll në të gjitha subjektet të cilat, tregtojnë, nxjerrin apo përpunojnë hidrokarbure.

Shqipëria është një shtet europian me synim të qartë dhe të pastër për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe është e patolerueshme për vendin tonë që ne të importojmë apo të eksportojmë hidrokarbure të cilat nuk përmbushin standardet cilësore.

Të gjitha pikat teknike që Kryeinspektori tha janë të aksesueshme në faqen zyrtare të ISHTI-t, gjithashtu unë para 2-3 ditësh kam bërë edhe në mediat sociale të institucionit, kemi bërë një deklaratë ku kemi nxjerrë të gjitha këto shifra dhe do ishte në të mirën e tregut dhe sigurisht bashkëpunimi midis subjekteve dhe Inspektoratit është i nevojshëm sepse jo vetëm rrit cilësinë e produktit dhe siguron kushte më të mira tregtimi për të gjithë qytetarët, por ndihmon dhe ata për të përmirësuar dhe për të rritur kapacitetet dhe volumet e biznesit të tyre. Jemi shumë të sigurt për këtë.

Ne kemi identifikuar dhe jemi të qartë për të gjitha llojet dhe aksionet që kryhen në tregun e hidrokarbureve nga fushat naftë nxjerrëse deri tek përpunimi, strukturat përpunuese që kemi në vend, ato pak që kemi dhe me kapacitete jo të mira teknologjike, por që duhet të përmbushin kushtet.

E njëjta gjë është e vlefshme edhe për subjektet të cilët tregtojnë ose importojnë produkt hidrokarburesh. Gjithçka është identifikuar, jemi shumë të qartë se kush është objekti i luftës tonë antiinformalitet dhe nga ky moment kjo luftë do të intensifikohet pa bërë dallim për asnjë nga emrat apo subjektet.

Siç e ka thënë dhe kryeministri Rama, ashtu siç e thotë dhe kolegia ime, zonja Denaj, nuk ka asnjë diferencim përmes një pike të vogël karburanti apo përmes një subjekti shumë të madh, naftë nxjerrës, tregtues, importues, eksportues. Do të jetë i njëjti trajtim për secilin lloj informaliteti, pavarësisht shkallës së biznesit apo emrit të madh apo të vogël në treg.

Ajo që ne duam të sigurojmë është që në Republikën e Shqipërisë tregtimi, përpunimi apo nxjerrja e hidrokarbureve si dhe kushtet e sigurisë, pra jo vetëm cilësia por dhe siguria, të jenë në parametrat europianë, ashtu siç Shqipëria i meriton dhe kjo do bëhet e mundur përmes një lufte të intensifikuar nga Inspektorati dhe të gjitha strukturat e tjera shtetërore, pjesë e kësaj Ministre apo pjesë e shtetit shqiptar dhe Qeverisë Shqiptare.

Ju falënderoj shumë vëmendjen.

 

Përgjigje ndaj  pyetjeve të gazetarëve

Ministrja Balluku: Përsa i përket përqindjes së informalitetit fiskal dhe atij cilësor, kjo është diçka që nuk mund t’a ndaj me shifra pasi janë gjëra që nuk kanë krahasim por unë insistova në faktin që lufta kundër informalitetit nuk ka të bëjë thjesht me mos konformitetin fiskal. Ka të bëjë dhe mos konformitetin e përmbushjes së kushteve cilësore, kështu që  kjo është diçka që nuk e ka, le të themi një kuadër krahasimi. Nëse informaliteti bëhet nga subjektet e mëdha apo nga pikat fundore tregtare, ndodh të në të dyja rastet për të thënë të drejtën, ashtu siç ju thashë ne i kemi identifikuar. Ne vendosëm të bëjmë këtë konferencë sot  duke qenë se do fillojë një varg masash, marrje masash dhe është mirë që të paralajmërohen të gjithë ata që e bëjnë.

Kështu që, për të thënë të drejtën, informaliteti i kap të gjitha shtresat  le të themi, tregtimit, prodhimit apo edhe të përpunimit të hidrokarbureve, si subjektet e mëdha, kemi pasur raste të subjekteve të mëdha edhe me produkte shumë të veçanta të cilat nuk përdoren për tregun e gjerë por janë produkte të cilat përdoren për mjete të sigurisë së lartë dhe këtë e kemi identifikuar, por nuk është arsyeja sot për të bërë fletërrufe  dhe për të thënë emra apo subjekte. Por është e vërtetë që informalitetin e kemi  dhe tek subjektet e mëdha përpunuese  dhe tregtuese dhe tek pikat finale të tregtimit.

Nëse ka një bashkëpunim, kjo është diçka për t’u parë  dhe për t’u hetuar për të thënë të drejtën edhe këtë po e bëjmë. Edhe kjo është një nga mënyrat sesi ne sot po monitorojmë tregun e hidrokarbureve, është për të parë edhe zinxhirin e këtij informaliteti. Pra nëse është një informalitet i organizuar apo janë raste sporadike. Megjithatë kur flasim për shkallë të konsiderueshme të informalitetit detyrimisht duhet të shikojmë të gjithë zinxhirin e organizmit për t’a shkëputur atë.

Masat do jenë shumë të forta, insistoj dhe dua ta them këtë. Kriteri është nuk do bëj dallim, diferencë, apo falje, apo trajtim ndryshe për asnjë nga emrat apo subjektet. Çfarë ne kemi interes si Qeveri, si Ministri, Inspektorati është të ofrojmë produkte cilësore në kushte të larta sigurie. Jemi nxitur edhe nga ngjarjet e fundit që kemi pasur me enët nën presion, siç kanë qenë disa ngjarje me gazin apo dhe problematikën që kemi, për të mos kaluar shumë në detaje teknike, me pikën e nxehjes së hidrokarbureve e cila shpesh herë është jashtë parametrave.

Kështu që ne e kemi të qartë situatën, dimë ku i kemi problematikat. Tashmë unë do t’a quaja thirrje këtë ndaj subjekteve që i duhet të reformohen domethënë subjektet duhet t’i përgjigjen. Si në çdo fushë tjetër për të operuar, hidrokarburet nuk është se kanë ndonjë veti tjetër që u dashka toleruar dhe duhet të ndodhi gjithçka jashtë konformitetit ligjor apo cilësor, hidrokarburet në të gjithë botën janë një nga fushat që kanë fokusin më të madh të monitorimit edhe për shkak të ndikimit fiskal që kanë në treg por edhe për shkak të sigurisë që krijon cilësia e tyre.

Kjo është situata për momentin. Ne do kemi komunikime të tjera. Ju do detyroheni që të shikoni edhe punën e ISHTI-t pasi ne do t’a bëjmë publike shumicën e masave që do të ndërmerren për të krijuar edhe shembullin kështu që do jemi në kontakt për gjithçka tjetër që keni, ne do ju luteshim që pyetje të mëtejshme apo sqarime t’i referoheni faqes zyrtare të ISHTI-t për çdo shifër që juve ju duhet por edhe Kryeinspektori, sigurisht dhe mua për gjithçka do keni në të ardhmen, pyetje mbi këtë fushatë kundër informalitetit cilësor në fushën e hidrokarbureve dhe mos harrojmë sigurinë në atë elektroenergjetike.

 

Kryeinspektori Abrija: Në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Financave, është ngritur një njësi që është antiinformalitet, pjesë e saj është dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Policia e Shtetit. Ne po ndër veprojmë me njëri-tjetrin për të goditur këto profile risku. Gjatë operacionit që ne kemi ndërmarrë dhe kemi ndër vepruar bashkë, kemi pasur disa raste të subjekteve. Gjoba zbardhet pasi ju jepet mundësia për t’a ankimuar në Komisionin Administrativ që është i ngritur pranë ISHTI-t, siç ju thashë janë 44 shkelje të bëra vetëm në 6-mujorin e parë, pra është një numër i konsiderueshëm shkeljesh administrative  por duhet të kuptojmë edhe faktin që edhe vetë subjektet  dhe pikërisht ky komunikim publik, në nivelin teknik ku jemi ne na shërben që edhe ata t’a kuptojnë  por dhe qytetarët t’a kuptojnë që puna jonë e shtuar do të prodhojë siguri dhe do të prodhojë cilësi më të mirë në fushën e hidrokarbureve  duke mos toleruar informalitetin cilësor siç tha Ministrja.

 

Kryeinspektori Abrija: Gjatë 6-mujorit të parë ne ndër veprojmë shumë ngushtë me prokuroritë e Rretheve, por nuk kemi të proceduar asnjë rast të inspektorëve gjatë vitit 2019.

 

Ministrja Balluku: Ka qenë një bisedë që kam bërë me Kryeinspektorin ditën e parë që është emëruar dhe i kam sqaruar që askush nga inspektorët nuk ka të drejtën të nëpërkëmbi emrin e institucionit dhe emrin e qeverisë dhe në rast se do të ndodh rasti unë do të investohem personalisht për të ndjekur çështjen dhe për t’a bërë shembull që të mos ndodh askund tjetër. Qeveria Shqiptare është shumë sensitive përsa i përket inspektorëve që ne kemi në terren dhe ky nuk është vetëm në rastin e ISHTI-t, por në rastin e të gjithë Inspektorateve që operojnë të cilët duhet të kryejnë detyrën sipas ligjit dhe sigurisht duhet të qëndrojnë larg akteve korruptive.

Nuk e kemi pasur një eksperiencë negative deri më tani me inspektorët e ISHTI-t, shpresoj që të vazhdoj me të njëjtin ritëm se tani do të kenë detyra dhe punë më shumë, por që dhe numri do rritet pasi ka nevojë për kapacitete të reja, ashtu siç thamë, pra ky Inspektorat shtohet me 130 inspektorë të rinj të cilët do të merren sipas kritereve dhe kualifikimeve që fushat që mbulon kërkojnë. Shpresojmë që të mbajmë të njëjtin ritëm dhe të mos ndeshemi me problematika korruptive por në rast se do të ndeshemi sigurisht masat do jenë akoma më të rrepta se ato që sapo njoftuam përsa i përket subjekteve dhe shkeljes së cilësisë.

 

Ministrja Balluku: Duke filluar që sot do t’i bëjmë dhe ne publike në aspektin që do dal t’i them unë apo do dal t’i thotë Admiri, se për publike i keni të gjitha gjobat, janë në faqe dhe ju i gjeni se kush janë.

Dëm ekonomik nuk mund të themi se ka sepse nga momenti që kapet subjekti, kapet ngarkesa, bllokohet dhe ajo nuk futet në treg. Kështu që dëm ekonomik, në dijeninë tonë, gjatë procesit të tregtimit, naftë nxjerrjes apo përpunimit nuk ka. Sigurisht rastet e informalitetit, siç e thamë, prandaj quhen informale sepse janë jashtë kuadrit ligjor dhe cilësor të cilat ne ndjekim.

 

Ministrja Balluku: Dua të insistoj që padyshim flasim për hidrokarbure duke qenë se pjesën më të madhe të pjesës monitoruese  të ISHTI-t e zë hidrokarburet por pa bërë diferencë dhe për pjesën e kuadrit të sigurisë elektroenergjetike, i cili është shumë i rëndësishëm gjithashtu për objektin e punës që ky institucion kryen.

Ne kemi kërkuar, dhe unë po u’a citoj “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është angazhuar në përmirësimin e kuadrit ligjor për cilësinë e disa lëndëve djegëse me përdorim termik, civil dhe industrial, në funksion të këtij qëllimi është miratuar në Qershor të këtij viti VKM 429 e cila rregullon kuadrin ligjor”, të cilës mund t’i referoheni”, “për cilësinë e disa lëndëve djegëse për përdorim civil dhe industrial”

Pra kemi nisur dhe kemi ndërmarrë  duke shtuar kërkesën për kritere sigurie dhe cilësie  dhe duke qenë të përgatitur për këtë fushatë të intensifikuar që ne kemi ndërmarrë. Kështu që masa të reja do ketë. Në rastin tonë nuk është thjesht gjoba, duke qenë se flasim për cilësinë dhe duke qenë se flasim dhe për sigurinë, shpesh herë, ajo që unë kam kërkuar nga Inspektorati është që masat të jenë ekstreme deri në mbyllje të proceseve të punës, qofshin këto të rafinerive, qofshin të subjekteve tregtuese.

Rafineritë janë shumë të rëndësishme, është diçka ku ne kemi vëmendje kryesore. Rafineritë që operojnë në Shqipëri janë rafineri të teknologjisë së vjetër megjithatë me remontet që kryhen herë pas here, i kemi parë në rastin e Ballshit, në rast se remontet janë periodike, tre mujore, pa lënë atë kohën e gjatë që harrohen, arrijnë të ngrenë kushtet e cilësisë së përpunimit pra produkti vjen më cilësor, produkti final. Por ndonjëherë janë lënë dhe pas dore duke krijuar pastaj amulli në treg gjë e cila nuk do të tolerohet më për asgjë nga rafineritë që operojnë në Republikën e Shqipërisë. E njëjta gjë vlen edhe për fushat naftë nxjerrëse.

Ju falënderoj shumë për kohën dhe për të gjithë impenjimin në këtë ditë pushimi.

Gjithë të mirat!