Brenda Qershorit përfundojnë punimet e hyrjes së qytetit të Sarandës
Punimet për hyrjen e re të qytetit bregdetar të Sarandës pritet të përfundojnë brenda muajit Qershor. Lajmi u bë i ditur gjatë inspektimit që Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi në kantier bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro. Aktualisht është duke u kryer faza e fundit e ndërhyrjes së parashikonte rikonstruksionin e aksit rrugor Ura e Gajdarit deri në hyrje të qytetit të Sarandës me investim në vlerën financiare 280 milion lekë të reja. Aktualisht ka përfunduar edhe asfaltimi dhe është hapur qarkullimi i lirë për mjetet. Punimet për këtë investim në infrastrukturën e qytetit bregdetar nisën në muajin Gusht të vitit të kaluar. Brenda një muaji parashikohet që të përfundojnë edhe trotuaret dhe sinjalistika përkatëse e këtij segmenti. “Jemi këtu në rrugën hyrëse të Sarandës, një vepër kaq e rëndësishme që zgjidhi një problem shumë vjeçar për qytetin. Një vepër e financuar nga qeveria shqiptare e cila tashmë është e hapur për lëvizjen e trafikut me të gjitha parametrat”, u shpreh ministri Gjiknuri.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë