Infrastruktura digjitale në fokusin dhe prioritetet e zhvillimit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/07/2020

Infrastruktura digjitale në fokusin dhe prioritetet e zhvillimit

“Studim Fizibiliteti për zhvillimin e infrastrukturës rajonale të Broadband-it” është projekti, i cili ka për qëllim identifikimin e nevojave ekzakte, opsioneve, kostove dhe strukturës së financimit për ndërtimin e rrjeteve broadband të gjeneratës së ardhme. Lidhur me këtë projekt u zhvillua workshopi final me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe një sërë institucionesh shqiptare dhe të huaja të angazhuara në këtë proces.

Projekti i “Studimit të Fizibilitetit dhe Analiza Kosto-Përfitim për Zhvillimin e Infrastrukturës Rajonale të Broadband në Shqipëri” është përgatitur për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) me qëllim përgatitjen e dokumenteve të nevojshme të projektit për shtrirjen e infrastrukturës së broadbandit fiks në Shqipëri, në përputhje me objektivat e Planit Kombëtar të Broadband 2013-2020.

Studimi është kryer nga Konsorciumi COWI IPF (IPF8), duke filluar nga 25 Korrik 2019, përmes një granti të financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas vlerësimit të situatës aktuale në 61 Njësitë e Qeverisjes Vendore (NJQV) në Shqipëri, është bërë klasifikimi i tyre në zona të zeza, gri dhe të bardha në termat e infrastrukturës ekzistuese dhe të planifikuar si dhe në terma të konkurencës në treg. Në 83 qytete nuk kemi asnjë zonë të bardhë, ndërsa 2862 fshatra nga 2995, janë zona të bardha.

Në kuadër të projektit, u zhvillua një model tekniko-ekonomik për llogaritjen e kostos për shfrytëzimin dhe operimin e rrjeteve broadband në Shqipëri në katër skenarë të ndryshëm për të cilët u bë vlerësimi i kostos për zonat rurale dhe urbane.

Analiza përfitim kosto për zhvillimin e rrjetit broadband është kryer për të katër skenarët. Për secilin skenar teknologjik, janë propozuar modele të ndryshme të investimit. Rezultatet e studimit u prezantuan në workshopin përfundimtar të zhvilluar në datën 28.7.2020.

Shtrirja e rrjeteve broadband do të mundësojë një numër përfitimesh për Shqipërinë, duke sjellë në këtë mënyrë zhvillim ekonomik dhe social duke rritur mundësitë e biznesit në sektorët ekonomik publik dhe privatë. Broadband, pritet që të mundësojë ndërlidhje digjitale midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Rajon dhe në BE. Gjithashtu, do të përmirësojë përfshirjen sociale të të gjithë pjesëmarrësve dhe komuniteteve duke pasur një impakt pozitiv në shëndetësi, edukim, turizëm dhe në cilësinë e jetës në përgjithësi.