Impianti fotovoltaik i Akërnisë, administrohen ofertat zyrtare nga 6 shoqëri - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 17/09/2018

Impianti fotovoltaik i Akërnisë, administrohen ofertat zyrtare nga 6 shoqëri

Sot më datë 17.09.2018, ora 12:00, në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u zhvillua hapja administrimi i ofertave për procedurën konkuruese “Për përzgjedhjen e projektit që do të përfitojë masat mbështetëse për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në zonën e Akërnisë (Vlorë)”.

Në hapjen e sotme të ofertave, në prani të Komisionit të Posaçëm paraqitën dokumentacionin e ofertës 6 shoqëri ndërkombëtare, të cilat u pajisën me konfirmimin e pjesëmarrjes në ofertë,  me datën dhe orën e saktë të pranimit.

Siç ishte e parashikuar në Dokumentet e Procesit Konkurrues, nëpërmjet një procesi transparent, Komisioni i Posaçëm, në prani të Shoqërive Ofertuese, vijoi me hapjen e Zarfit A për secilin ofertues, i cili përmbante dokumentet e parakualifikimit. Në vijim, Komisioni u tërhoq për të vijuar me procedurën e vlerësimit të kritereve të parakualifikimit të dorëzuara nga Ofertuesit.

Ofertat e kualifikuara do të shqyrtohen dhe vlerësohen sipas Kritereve të Kualifikimit dhe Vlerësimit si dhe Metodologjisë së Vlerësimit të Ofertës, të përcaktuara në Dokumentat e Procesit Konkurrues.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e vlerëson këtë proces, si një nga arritjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë, pasi ky investim do të shërbejë për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike por dhe promovimin e burimeve të rinovueshme dhe konkretisht të asaj diellore.

Ky projekt është në përputhje me politikat e qeverisë shqiptare për incentivimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe mbi të gjitha mundëson tërheqjen e investitorëve të huaj në këtë sektor, duke e kthyer Shqipërinë një qendër rajonale të prodhimit të energjisë.