Punimet për zgjerimin e rrugës hyrëse në Ksamil kanë përfunduar. Tashmë ky segmenti i parë i kësaj vepre është i hapur për qarkullimin e automjeteve duke lehtësuar ndjeshëm lëvizje. Punimet ndërkohë po vijojnë për elementet e tjerë të këtij projekti ku parashikohen sistemi ndriçimit, gjelbërimit, si dhe pista e biçikletave.
Projekti për zgjerimin e rrugës së Ksamilit konsiston në ndërtimin e një segmenti rrugor me gjatësi afro 4 kilometra, që nis rreth 1.4 kilometra para hyrjes në Ksamil dhe përfundon në dalje të tij duke krijuar edhe një by-pass me gjatësi 2,6 kilometra.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli inspektuam punimet në segmentin e parë të këtij projekti.
“Jemi në një rrugë interurbane dytësore, kategoria C. Në këtë segment të parë prej 1.4 kilometrash kemi tre korsi nga 3.5 kilometra. Këtu parashikohet trotuare nga 3 metra secili krah, ndërkohë që është e parashikuar gjithashtu edhe segmenti për biçikletat. Ndërkohë, vazhdimi i bypass-it është me dy korsi, nga një për secilin drejtim, me trotuare nga 3 metra për secilin drejtim, ndërkohë që në kilometrin 2.7 të këtij segmenti në Butrint, është e parashikuar dhe ndërtimi i një ure me gjatësi 156 metra linearë të gjatë”, sqaroi drejtori Kozeli.
Ministri Karakaçi bëri të ditur se në këtë projekt krahas zgjerimit të segmentit rrugor i është kushtuar një vëmendje e veçantë edhe mjedisit. “Keni patur një vëmendje shumë të veçantë edhe për sa i përket aspektit mjedisor të projektit, duke qenë se sigurisht që lidhemi edhe me pjesën e Butrintit, kështu që ka patur një vëmendje të shtuar nga pikëpamja mjedisore”, tha Karakaçi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej edhe tek masat që ARRSH ka ndërmarrë për të garantuar një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit turistik veror, duke pasur në vëmendje zonat të cilat kanë edhe një fluks të madh lëvizjeje. “Kemi diskutuar vazhdimisht bashkë për sa i përket edhe të gjitha masave që ARRSH-ja po merr dhe ka marrë në kuadër të fillimit të sezonit, di brigadat që kanë kontrata mirëmbajtje kanë bërë veshje aty ku ka patur nevojë, apo edhe një lloj kujdesi të shtuar bashkë edhe me forcat e rendit për sa i përket ndalimit të qarkullimit në fundjavë për mjetet e tonazhit të rëndë, e të gjitha në funksion të bërjes sa më të mundur ose sa më të mirë të trafikut në sezonin turistik”, nënvizoi Karakaçi.
Zgjerimi i rrugës së Ksamilit është projektuar me parametrat teknike të Kategorisë C, interurbane dytësore, me shpejtësi lëvizje deri 80 km/h. Në projekt-zbatim është parashikuar ndërtimi i veprave të vogla të artit. Gjithashtu, përgjatë këtij segmenti rrugor janë parashikuar ndërtimi i 3 rrethrrotullimeve dhe një ure.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë