Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeministrin Edi Rama, ishin në Hidrocentralin e Moglicës ku pas disa viteve në zhvillim dhe zbatim, ky HEC ka filluar operimet tregtare
HEC Moglicë është hidrocentrali më i madh i Projektit Hidroenergjetik të Devollit, investim i Statkraft në Shqipëri. Pas përfundimit të punimeve kryesore në 2019 filloi faza e testimit dhe kolaudimit, e cila u përmbyll me sukses me vënien në punë të dy turbinave të Centralit të Moglicës. Pas sinkronizimit të suksesshëm me rrjetin shqiptar të energjisë elektrike, Hidrocentrali i Moglicës po prodhon energji të pastër për tregun.
I ndodhur në pjesën jug-lindore të Shqipërisë, përgjatë Lumit të Devollit, Hidrocentrali i Moglicës përbëhet nga një digë me bërthamë asfalti dhe mbushje me material shkëmbor me një lartësi prej 167 metra, një tunel prurje prej 10.7 km të gjatë që lidh rezervuarin me Centralin e nëndheshëm, i cili ka kapacitet të instaluar prej 184 MW. Diga ka krijuar rezervuarin me një kapacitet mbajtës prej rreth 360 milion m³ ujë, me një sipërfaqe prej rreth 7.2 km². HEC Moglicë shfrytëzon një hash prej 300 metrash ndërmjet 650 dhe 350 metra mbi nivelin e detit.
HEC Moglicë do të prodhojë rreth 450 GWh/vit, dhe bashkërisht me HEC Banjë do të prodhojnë rreth 700 GWh/vit, duke rritur prodhimin e energjisë në vend me rreth 13%.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë