Hapet gara për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Fier - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 01/07/2020

Hapet gara për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Fier

Ndërtimi dhe lidhja e rrjeteve të transportit është një nxitës kryesor dhe i rëndësishëm për rritjen ekonomike të Shqipërisë si dhe një mjet për të siguruar një integrim më të shpejtë në BE.

Korridori Adriatiko-Jonian, si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar të rrjetit të BE, që lidh Evropën Qendrore dhe Italinë e Veriut me Ballkanin në Evropën Juglindore, me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, përshkon në një pjesë të rëndësishme edhe territorin e vendit tonë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur sot zyrtarisht garën ndërkombëtare për projektimin, ndërtimin dhe operimin e aksit rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Ky segment, me gjatësi 115 kilometra, është parashikuar të ndërtohet me formulën e një koncensioni, me një afat prej 35 vitesh ndërsa vlera e investimit përllogaritet në afro 1.2 miliardë euro. Realizimi i këtij projekti synon rritjen e sigurisë rrugore, nxitjen e zhvillimit ekonomik  të vendit dhe rritjen e konektivitetit.

Delegacioni i BE në Shqipëri ka alokuar një grant për asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve të Qeverisë Shqiptare në hartimin e projekteve infrastrukturore. Në kuadër të kësaj asistence MIE me mbështetjen teknike të Hill International- drejtuesi i konsorciumit që implementon asistencën teknike në vendin tonë, asistoi në hartimin e studimit të fizibilitetit dhe hartoi paketën e dokumenteve për konçesionin e aksit Milot – Fier.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, njoftoi çeljen e garës dhe bëri të ditur detaje të këtij projekti, impaktin e madh të kësaj vepre sa i takon konjektivitetit dhe ndikimin që ajo do të ketë në ekonominë kombëtare.

Ministrja Balluku tha se segmenti Milot-Fier është pjesa më e rëndësishme, në territorin shqiptar, e korridorit Adriatiko-Jonian. Projekti parashikon ndërtimin e 53 kilometrave gjurmë rruge të reja dhe 62 kilometra, të cilat do të jenë në gjurmën ekzistuese, por të rehabilituara në kategorinë A dhe kategorinë B.

Segmenti do të ketë edhe rrugët dytësore, të cilat do të jenë një alternativë për qytetarët, të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin mes rrugës së shpejtësisë me pagesë, apo rrugëve ndihmëse, të cilat do të jenë të mirëmbajtura nga i njëjti investitor, por pa pagesë për qytetarët.

Duke ju referuar analizës financiare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se referuar edhe pagës mesatare të Shqipërisë është vendosur që pagesa mesatare në segmentin Milot-Fier të jetë 0.075 euro për kilometër për çdo automjet, ndërkohë që garancia minimale për trafikun, nëse do të jetë e nevojshme nga ana e shtetit shqiptar do të do të jetë vetëm 10% e vlerës së investimit, e shtrirë në 16 vitet e para.

Pjesë e këtij projekti është dhe ndërtimi i nyjës e cila e lidh këtë segment me bypass-in e Tiranës, duke i dhënë kështu mundësi kryeqytetit të integrohet sa më parë në këtë rrjet, por edhe segmenti Thumanë-Rinas dhe Rinas-Tiranë.

“Një pjesë shumë e rëndësishme e këtij segmenti, të cilin unë dua ta përmend pasi ndikon të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe ata të Republikës së Kosovës në rastet kur zgjedhin të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit, është segmenti i ri që ndërtohet nga Thumana në Rinas dhe nga Rinasi në Tiranë, duke lehtësuar aksesin në aeroportin tonë ndërkombëtar nëpërmjet rrugëve të shpejtësisë së lartë të kategorisë A”, bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përsa i përket nisjes së operimeve, segmentet Milot-Kashar dhe Lekaj-Bypass-i Fierit do të jenë të aksesueshme brenda vitit 2024, ndërkohë që segmenti Kashar-Lekaj do të fillojë operimin në vitin 2026.

Sipas përllogaritjeve, segmenti rrugor Milot-Fier në vitin e parë parashikohet të përpunojë një volum mesatar prej 32 mijë automjetesh, për të arritur në vitin 2055 një numër të dyfishuar, 62 mijë automjete. Shpejtësia maksimale në këtë segment do të jetë 130 km/orë dhe i gjithë ky aks do të përshkruhet për një kohë prej 1 orë e 15 minuta.

Hill International – lideri i konsorciumit me Deloitte dhe LDK Consultant, e cila ka asistuar MIE në hartimin e studimit të fizibilitetit dhe paketës së dokumenteve për konçesionin, është një kompani me eksperiencë në menaxhimin e projekteve, menaxhimin e ndërtimeve dhe infrastrukturore, inxhinierinë e kostos dhe vlerësimin, sigurimin e cilësisë, inspektimin, planifikimin, menaxhimin e rrezikut për klientë të përfshirë në projekte të mëdha ndërtimi dhe infrastruktore në të gjithë botën. Hill ka marrë pjesë në mbi 10 mijë detyra projektesh me një vlerë të përgjithshme ndërtimi më shumë se 500 miliardë dollarë. Ajo renditet si firma e 8-të më e madhe e menaxhimit inxhinierike në Shtetet e Bashkuara sipas revistës Engineering News-Record.