Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, Balluku: Punimet nisin para verës së 2021 - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 12/12/2020

Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, Balluku: Punimet nisin para verës së 2021

Projekti për ndërtimin e tunelit të Llogarasë tashmë ka hyrë në fazën finale. Duke nisur nga dita e hënë, 14 dhjetor, hapet zyrtarisht gara ndërkombëtare për ndërtimin e kësaj vepre, ku kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë ofertat e tyre.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi hapjen e garës për këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore, e cila shkurton ndjeshëm distancën drejt bregdetit të jugut, duke rritur dhe sigurinë rrugore njëkohësisht. Në një lidhje përmes platformës online, përfaqësuesi i kompanisë austriake, e cila u shpall fitues në garën e zhvilluar pa muaj më parë, prezantoi projektin e detajuar të kësaj vepre.

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, u shpreh Balluku, është pjesë e një zinxhiri veprash të rëndësishme infrastrukturore që po realizohen në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të turizmit. Ndërtimi i bypass-it të Fierit, përfundimi i bypass-it të Vlorës, segmentit Porti i Jahteve-Ura e Shën Elizës dhe së fundmi tuneli i Llogarasë, lehtësojnë aksesin drejt rivierës shqiptare, një ndër zonat me numrin më të madh të vizitorëve dhe me potencial të madh për t’u zgjeruar më tej.

Përfundimi i këtyre projekteve, duke shtuar këtu edhe ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, për të cilin është rihapur tashmë gara, plotëson të gjithë infrastrukturën e nevojshme duke shkurtuar ndjeshëm distancat për udhëtarët.

“Tuneli i Llogarasë është bërë një legjendë, flitej për të, por të gjithë mendonin se kurrë nuk do ndodhte dhe ja ku jemi tani, vetëm 60 ditë për një tender ndërkombëtar, pasi volumi financiar i këtij projekti na detyron që të jetë një tender ndërkombëtar, duke respektuar kohën dhe afatet ligjore të vendosura në ligjin shqiptar të prokurimeve për afatet e ankimimit apo gjithçka tjetër që do të duhet, sipas llogarive tona i gjithë ky proces mbyllet në muajin shkurt, në fillim të muajit mars ne do firmosim kontratën me konsorsumin fitues për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe menjëherë fillojmë nga puna para verës së këtij viti”, bëri të ditur ministrja Balluku.

Duke falënderuar konsulentët, të cilët kanë qenë pranë grupit të punës dhe që kanë ndjekur të gjithë procedurën hap pas hapi, Balluku tha se produkti final parashikon zgjidhje teknike për çdo problematikë që mund të evidentohet gjatë realizimit të kësaj vepre të premtuar ndër vite, por pa mundur dot të avancohej më tej.

“Është premtuar shpesh, ka qenë një nga premtimet elektorale shpeshherë të qeverive të shkuara, por sigurisht ashtu si dhe shumë projekte të tjera, tuneli i Llogarasë do të bëhet realitet në qeverinë Rama. E kemi prezantuar në fillim këtë projekt duke qenë një projekt shumë agresiv. Kemi treguar të gjitha detajet dhe të gjitha karakteristikat që ky projekt do të ketë nga ana teknike, por gjithashtu kemi shpjeguar dhe të gjithë impaktin ekonomik që tuneli i Llogarasë krijon jo vetëm në zonën e Vlorës, por në të gjithë Shqipërinë”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në një lidhje përmes platformës online, përfaqësuesi i kompanisë austriake, e cila u shpall fitues në garën e zhvilluar pa muaj më parë, prezantoi projektin e detajuar të kësaj vepre.

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë llogaritet të zgjasin 36 muaj. E gjithë gjatësia e projektit është 7.42 kilometra, ku tuneli do të ketë një gjatësi 5.99 kilometra. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i dy urave të reja me gjatësi 110 metra dhe 40 metra.