Hapet ankandi ndërkombëtar për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Spitallës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/11/2020

Hapet ankandi ndërkombëtar për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Spitallës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka prezantuar sot ankandin ndërkombëtar për një tjetër projekt të rëndësishëm, i cili rrit kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në Shqipëri. Pas suksesit të arritur në ankandin e zhvilluar për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë është hapur gara për ndërtimin e një parku të dytë të këtij lloji, në zonën e Spitallës në Bashkinë Durrës.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh dhe do të ketë një kapacitet prodhues prej 100 Megavatësh. Ky park do të ngrihet në zonën industriale të Bashkisë së Durrësit, e cila vlerësohet nga ekspertët si një zonë me një rrezatim të lartë për të plotësuar kapacitet prodhuese të parashikuara.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të BERZH, të cilët janë konsulentë të Qeverisë Shqiptare në këtë proces, njoftoi hapjen zyrtarisht të ankandit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Spitallës.

“Pas ankandit të Karavastasë, ne kemi vazhduar me kërkesa shumë të mëdha nga investitorët e huaj, të cilët kryesisht janë ata që kanë mundësitë financiare dhe kapacitetet për të investuar në parqe kaq të mëdha, ndaj dhe vendosëm që të nisim menjëherë këtë proces”, njoftoi ministrja Balluku.

Zona e përcaktuar për ndërtimin e këtij parku përfshihet në atë që njihet si zona industriale, ndërsa me rialokimin e Portit të Durrësit, i cili është një ndër projektet e Qeverisë Shqiptare, kjo zonë do të jetë afër me portin e ri, i cili do të ngrihet në Porto Romano.

“Parku i Spitallës ndodhet në një zonë pa ndikim mjedisor dhe ky është një fakt shumë i rëndësishëm për ngritjen e një parku fotovoltaik, pasi nuk do të ndikojë në mjedisin e zonës ku ndërtohet, duke qenë se ajo është një zonë e destinuar prej vitesh si një zonë industriale. Ky park, do të shtrihet në 120 hektarë do të prodhojë fuqi maksimale prej 100 megavatësh, të cilat do të ndahen, 70 prej tyre do të blihen nga OSHEE dhe 30 do të disponohen në treg të lirë nga prodhuesi. Ky çmim do të vendoset përmes ankandit, tashmë një procedurë e shkelur dhe e suksesshme në procedurën që ne kemi ndjekur me Parkun e Karavastasë, ku edhe në këtë rast, tavani nga i cili ne fillojmë është 55 euro dhe nuk pranohet asnjë ofertë mbi këtë shumë”, bëri të ditur ministrja Balluku.

Ofertat për këtë ankand do të pranohen deri në datën 1 shkurt 2021. Pas vlerësimit të kritereve parakualifikuese dhe teknike si dhe kohës së ankimimeve, në datën 2 mars do të bëhet hapja publike e ofertave dhe shpallja e kompanisë fituese.

Sa i takon Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se është firmosur edhe marrëveshja e fundit, ajo mes kompanisë fituese Voltalia dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke i hapur kështu rrugë nisjes së punimeve për ndërtimin e këtij Parku.