» Gjiknuri: PD bëri vetëm tenderat, ne po përfundojmë rrugët e lëna rrugëve
Postuar më: 06/09/2018

Gjiknuri: PD bëri vetëm tenderat, ne po përfundojmë rrugët e lëna rrugëve

Fjala e mbajtur në Kuvend nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri

 Mirëdita!

Të nderuar kolegë dhe qytetarë që na ndiqni nëpërmjet ekraneve të medias. Ky akt normativ dhe ky buxhet konfirmon atë që tashmë është bërë e ditur, trajektoren e rritjes dhe konsolidimit ekonomik të Shqipërisë. Pra, ekonomia shqiptare dhe buxheti paralel me të janë duke u konsoliduar dhe njëkohësisht duke adresuar nevojat kryesore për investime. Unë dua të ndalem tek kjo pjesë që ka nevojë shoqëria shqiptare, përtej edhe elementëve të tjerë shoqëror apo elementëve të ndihmës që i vijnë shtresave në nevojë apo çështje të tjera që adresohen nevojave sociale të këtij vendi siç mund të jetë edhe arsimi dhe shëndetësia. Dua të ndalem këtu pak tek një pjesë e rëndësishme që mbuloj si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, kryesisht tek infrastruktura. Çka bën ky buxhet tek ky akt normativ. Konsolidon pikërisht atë trajektore të nisur dhe siguron financimin e nevojshëm për përfundimin e të gjithë programit kombëtar të rrugëve që ne sapo kemi nisur.

Pak më parë dëgjoja nga Elbasani ata që janë mbledhur atje si kukudh për të bërë atë parlamentin paralel dhe po preknin disa plagë që i kanë hapur vet për rrugët. Merr guximin kryetari i opozitës dhe flet për rrugën Tiranë-Elbasan, duke na e shitur si dështimin tonë, pa harruar që një rrugë e filluar pa projekt, e filluar me gjoja 160 milionë euro e cila ka përfunduar mbi 400 milionë euro pikërisht për atë që them, s’ka pasur projekt të plotë dhe s’ka qenë menduar ashtu siç duhet, për të mos thënë keqmenaxhimi i vazhdueshëm që i është bërë asaj rruge dhe që fatmirësisht është duke u hetuar nga prokuroria. Dua t’ju them qytetarëve të Elbasanit se nuk dua të merrem me të. Ata që deklarojnë që kanë bërë rrugë, unë po them një fakt që rrugë ata vetëm filluan, bënë procedura tenderash. Rrugët kryesisht u mbaruan nga kjo qeveri në 5 vitet e fundit dhe do të vazhdojnë të përfundohen këto projekte infrastrukturore në 3 vitet në vazhdim. Pse e them këtë? Mjafton t’ju kujtoj qytetarëve kur mbaroi rruga Rrogozhinë-Plepa?! Të gjitha e dinë shumë mirë që ajo rrugë qe e hapur, e pa paguar dhe qe barra e kësaj qeverie për ta përfunduar atë brenda standardeve të pranueshme.

Thuhet që nuk kemi bërë rrugë të reja. Kur u bë rruga, meqenëse janë në qarkun e Elbasanit, Elbasan – Gramsh?! Një rrugë totalisht e re. Kur u bë rruga Lushnje-Berat, meqë thonë këta që nuk janë bërë rrugë edhe 5 vitet e kaluara?! Megjithëse ai sektor mund të ishte menaxhuar shumë më mirë. Këto rrugë u bënë në kohën e qeverisjes sonë. A përfundoi ndonjëherë rruga Durrës-Kukës?! Asnjëherë nuk përfundoi. Sot po përfundon ajo rrugë. Pra, segmenti nga Kukësi në Morinë që është pjesa më e degraduar e rrugës, sot që flasim është duke u punuar dhe do të përfundojë. Po punohet për urën, është bërë dhe tenderimi për pjesën e mbetur të rrugës, është lidhur kontrata dhe ajo rrugë do të përfundojë. Tani po përfundon ajo rrugë.

Kur përfundoi rruga, me parametrat e duhur edhe pjesa nga Thumana deri në Milot, përfshirë edhe nyjën e Milotit?! Këto ditë u hap nyja e Milotit, në Gusht u hap për herë të parë, ata që e filluan shumë e shumë vite më parë. Pra, këtu krijohet një perceptim që po bëre procedurën e tenderit paska mbaruar rruga. Ore projekte dhe tendera mund të bëjnë të gjithë, problemi është ai i ke financimet e nevojshme për të përfunduar një vepër. Këtu dua ta lidh me buxhetin unë. Pse ka rëndësi një buxhet i konsoliduar, i qartë dhe jo buxhet që nuk mbështet projektet e hapura. Sepse vendet kështu falimentojnë, kur krijojnë më shumë detyrime sesa mundësitë për ti paguar ato. Kështu është edhe puna e Buxhetit të Shtetit. Është edhe detyra e vështirë e Ministrisë së Financave dhe kësaj qeverie që të mbajë në parametrat e duhur projektet që hap ti financojë, të jenë të financueshme dhe të përfundojnë në kohë, jo të mbeten rrugëve.

Çfarë garanton ky buxhet dhe hapësirat buxhetore që ka krijuar kjo qeveri për financimet e ardhshme? Jo vetëm që do të përfundojnë të gjithë akset e hapura, por ato që kemi thënë që janë pjesë e programit të rrugëve do të mbyllen brenda këtij 4 vjeçari. Do të mbyllet unaza e Tiranës, pra edhe pjesa lindore edhe pjesa nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja. Kjo vepër do të mbyllet brenda këtij mandati. Do të mbyllet rruga Kardhiq-Delvinë, se e kishte përmendur edhe atë, rrugë që e filluan dhe e lanë në mes se nuk kishin para ata, pastaj edhe e harruan fare nuk ju interesonte më. Janë duke u zhvilluar procedurat e tenderit, në datën 10 mos gaboj janë ofertat, lidhet kontrata fillon edhe ky kantier për të mos u ndalur më. Do të përfundojnë të gjitha projektet e partneritet publik-privat që në i filluam këtë vit. U mor pak kohë është e vërtetë, sepse ne nuk kishim projekte të plota.  Pikërisht për të shmangur të gjithë atë problematikë që kanë hasur rrugët shqiptare që kur nuk ke projekt të plotë, kur ske gjeologjinë e saktë, kur ke probleme në menaxhimin e kontratës, patjetër që kontrata do të mbetet rrugëve dhe do të kërkojë më shumë para sesa duhet.

Me partneritetin publik-privat të 4 projektet madhore, një pjesë kanë filluar, rruga e Arbrit tashmë po progreson megjithëse skeptikët thonin ku do ti gjejnë paratë privatët për ta bërë. Po çfarë tregoi? Që institucionet financiare paskan besim tek ky instrument i qeverisë shqiptare. Nuk qenka thjesht një premtim i hedhur në ajër. E njëjta gjë do të ndodhë me rrugën Thuman-Kashar. E njëjta gjë do ndodhë me Milot-Balldren. E njëjta gjë do të ndodhë me Orikumin. Pra, akse të rëndësishme që ndikojnë në ekonominë shqiptare, kryesisht në turizëm. Të gjitha investimet në infrastrukturë janë në funksion të rritjes ekonomike. Nuk janë investime në tym as për qëllime të thjeshta elektorale, siç ka ndodhur herë të tjera që janë hedhur miliona euro në rrugë që po të kalosh tashti i ka marrë lumi.

Jo, këto janë rrugë që ndikojnë direkt në rritjen ekonomike dhe në zhvillimin e  turizmit. Përsa i përket bypasseve të Fierit dhe të Vlorës se edhe atë mundohen t’ia faturojnë kësaj qeverie. Fatkeqësisht është mënyra sesi u kontraktuan këto rrugë në 2013 që e bënë të ngelen rrugëve. E thashë edhe njëherë, dua ta përsëris për ata që na dëgjojnë, nuk ka rëndësi nëse bën një kontratë, puna është çfarë kontrate bën dhe sa e mbulon këtë kontratë. U zgjidhën kontratat e dështuara me kompani të dështuara, për të mos thënë me lojëra me nënkontraktorë që i dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Sot që flasim, ato procedura kanë vajtur për miratim në BERZH, pra procedurat e tenderit janë kryer transparente, janë përzgjedhur fituesit, pritet vetëm përgjigja e BERZH-it dhe jam i bindur që brenda një muaji edhe këto 2 kantiere do të fillojnë. Vitin tjetër Byppas-i i Fierit do të jetë funksional.

E njëjta gjë me rrugën e Elbasanit. Shumë shpejt në parlament do të vijë edhe shtesa e marrëveshjes së financimit për të përfunduar edhe këtë segment rrugor. Besoj brenda Shtatorit do ta kemi të miratuar në Kuvend, do të kemi fondet në dispozicion dhe ky kantier do të fillojë. Brenda vitit lidhja me tunelin do të bëhet e mundur dhe besoj brenda pak muajsh rruga do të dorëzohet e plotë me të gjithë parametrat e nevojshëm. Disa ditë më parë ka përfunduar edhe procedura për zgjidhjen e rrëshqitjes në pjesën e Elbasanit, edhe këto defekte të trashëguara që fatkeqësisht faturën e mbajmë ne dhe përfundimisht edhe ajo rrugë do të marrë drejtim dhe do të hapet përfundimisht ky aks i rëndësishëm kombëtar. Për të mos folur për rrugët që tashmë janë përfunduar siç është edhe një nga rrugët më të bukura në Shqipëri, rruga Lin-Pogradec, projekt tërësisht i përmirësuar nga kjo qeveri.  Një rrugë e mrekullueshme, vërtet i ka hije asaj rruge në breg të liqenit, për një qytetet si Pogradeci me potenciale të mëdha turistike. Investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe me rrugë të tjera. Ne jemi duke përgatitur projektet e plota edhe për pjesë të tjera të rrugës, siç është përfundimi i unazës së plotë të Tiranës, por edhe ndërhyrjet në disa akse të rëndësishme kombëtare të cilat do të kompletojnë rrjetin e plotë kombëtar shqiptar. Kuptohet me qëllimin e një komunikimi lëvizshmërie të pranueshme shumë të mirë, brenda standardeve europiane dhe mbi të gjitha që krijon interkonektivitet me rajonin.

Buxheti i qeverisë shqiptare nuk mjafton të mbyllë çdo rrugë që ka ky vend. Ky është një vend malor, është një vend që nuk ka pasur infrastrukturë, është një vend që kërkon miliarda dollarë për rrugë. Kjo është e vërteta. Ama paratë po i hedhim aty ku duhet. Pse? Po bëjmë rrjet kryesore kombëtare që të gjenerojmë ekonomi, në mënyrë që Buxheti i Shtetit nesër të krijojë të ardhura dhe të financojë edhe pjesët e tjera të rrugëve. Për të mos thënë që edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po investon një paketë të rëndësishme në infrastrukturën rrugore ku shume shpejt do të përfundojnë edhe procedurat e pjesën së mbetur të rrugës së lumit të Vlorës, por edhe shumë destinacione të tjera që do ti vlejnë turizmit shqiptar. Qytetarët shqiptarë në këto vite, e tha Ministri i Financave po e them edhe unë, do të kenë paketën më të madhe të investimeve rrugore. Janë 1.4 miliardë dollarë në 3 vitet e ardhshme që do të kompletojnë rrjetin rrugor shqiptar, por mbi të gjitha do të ndikojnë direkt në rritjen ekonomike të këtij vendi.

Faleminderit dhe suksese qeverisë në këtë buxhet.