Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte sot i pranishëm në tryezën me temë “Kualifikimi Europian për Menaxherët e Energjisë”. Një fjalë përshëndetëse në këtë tryezë mbajtën edhe zv.ambasadorët e Gjermanisë dhe Austrisë në vendin tonë. Ministri Gjiknuri falenderoi qeverinë gjermane, zvicerane si dhe atë austriake për mbështetjen financiare të dhënë jo vetëm në investime konkrete, por edhe në krijimin e transferimin e dijes aq të nevojshme si një element i domosdoshëm për suksesin në këtë drejtim. Mes palëve u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë.
Ministri Gjiknuri theksoi se arsimi profesional ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e vendit, por sidomos në këto fusha të reja për të cilat ne kemi shumë pak përvojë.
“Praktikisht eficienca në energji, shumë vende e quajnë edhe burim të ri të energjisë, jo vetëm që ka interes të madh ekonomik sepse kursen para aq të nevojshme në një situatë kur kërkesa për energji sa vjen e rritet, por nga ana tjetër krijon edhe modele biznesi tepër interesante,” u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri u ndal në projektet publike të mbështetura nga donatorët e huaj, duke theksuar se janë krijuar disa modele pilot për të parë leverdishmërinë ekonomike që do të ketë investimi në eficiencë energjetike.
“E kemi aplikuar në disa projekte publike, pra janë godina zyrtare, mund të jenë shkolla, konvikte. Aktualisht ne jemi duke zhvilluar një program të gjerë në qytetin studenti, ku do të nxjerrim dhe konkluzionet e nevojshme kuptohet numerike, të qarta, ku të dalë qartë edhe interesi financiar. Pse jo, unë e kam thënë shpesh dhe i mëshoj kësaj pike, kjo të kthehet në një model biznesi edhe për investimin privat. Por kjo do njerëz si çdo fushë, po nuk pate profesionistë qoftë për auditimin e banesave, qoftë për të nxjerrë konkluzione sesi do të implementohen më mirë këto programe kjo do të jetë një sfidë e humbur. Investimi në këtë drejtim dhe qeveria shqiptare ndaj dhe krijoi Agjencinë për Eficiencën e Energjisë me mbështetjen që po marrim me trajnimet e nevojshme për profesionistë nga kjo fushë jam i bindur që do të ketë shumë mikro projekte që do të jenë të vlefshme për financim nga BE-ja apo nga donatorë të tjerë, por qoftë edhe nga qeveria shqiptare kur të krijojmë mundësinë me fondet tonë për nxitjen e eficiencës në energji,” shpjegoi Gjiknuri.
Duke vijuar më tej Ministri nënvizoi se shteti shqiptar përveç imponimit të standardit, duke nisur që nga standardet në ndërtim, duhet të krijojë edhe klasën e nevojshme të njerëzve të cilët janë profesionistë dhe do mund ti çojnë përpara këto projekte.
“Nuk kemi pse në godinat e reja apo në ndërtimet e reja të mos marrim parasysh eficiencën energjetike. Vërtet ka një kosto më të lartë ndërtimi në pamje të parë, por interesi ekonomik është aty. Se fatkeqësisht u ndërtua lirë në Shqipëri, ato ishin mundësitë e kohës, por sot kuptojmë që fatura e energjisë është e lartë, amortizimi është i lartë…” shpjegoi ai.
Ministri Gjiknuri duke e mbyllur fjalën e tij tha se do bëjë çmos që kjo fushë e re të jetë një fushë me shumë interes dhe shumë të rinj profesionistë ta përqafojnë këtë rrymë të re në industrinë energjetike.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë