Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot kjo nuk ka të bëjë thjesht me infrastrukturën, ka të bëjë me krenarinë kombëtare dhe një premtim të dhënë nga Edi Rama, i cili jo thjesht është mbajtur, por është mbajtur para afatit. Për ta ndarë me ju, afati kontraktual i këtij konsorciumi, ka qenë pranvera e vitit 2026, por meqenëse ne kemi bërë një premtim, këtu pikërisht në Vlorë në nëntor të vitit 2021, si për aeroportin e Vlorës, ashtu edhe për tunelin e Llogarasë, kjo skuadër në bashkëpunim të ngushtë me aviacionin civil, me Albkontrollin dhe me të gjithë trupat e tjera, konsorciumi ka arritur që të dorëzojë një pistë që siç e dëgjuat edhe nga pilotët e ENAF që është kompania ekuivalente e Albkontrollit e shtetit italian flitet për një pisë të butë si mëndafshi, që do të thotë që i plotëson të gjitha kushtet edhe inxhinieri i certifikimit që ishte brenda avionit tha të njëjtën gjë. Unë besoj që për Vlorën ky është një moment historik, për Shqipërinë është një moment historik dhe rastësia dhe fati i mirë e solli që të jetë një moment historik edhe për Kosovën, pasi kjo vepër dorëzohet nga një konsorcium i drejtuar nga Bexhet Pacolli dhe na bënë krenar, si komb.
Vitet e fundit kemi folur shumë shpesh për aviacionin, për arritjen, për strategjinë kombëtare të aviacionit civil, e cila tashmë ka arritur të materializohet, nuk është më thjesht një strategji e hedhur në letër, nuk është më një ëndërr për t’u realizuar, por janë hapa të mirëmenduara, të cilat tashmë po i shikojmë të materializohen. Ashtu siç kemi bërë me Air Albanian, ashtu siç kemi bërë me aeroportin e Kukësit, sot jemi këtu në Vlorë për të dorëzuar një vepër e cila tashmë nis të gjithë fazën e certifikimit, sot është certifikuar pista dhe tashmë vazhdojmë me të gjithë komponentët e tjerë që do ta sjellin këtë aeroport brenda kësaj vere që të jetë operacional për të gjitha fluturimet civile ndërkombëtare. Kur e nisëm këtë projekt, duke pasur dhe studimet e fizibilitetit, të bëra sigurisht me skrupulositet, flitej për një investim rreth 104 milionë euro dhe për një terminal prej 5 mijë metra katrorë. Sot që flasim nga deklaratat e konsorciumit, bëhet fjalë për një investim deri tani 140 milionë euro dhe terminali është 17 mijë metra katrorë, pra i trefishuar nga çka ishte në studimin fillestar. E gjitha kjo sigurisht ka ardhur për shkak të numrave të rritur që ne kemi në aviacionin civil, duke qenë se Shqipëria dy vitet e fundit mban vendin e parë përsa i përket rritjes në ulje – ngritje të avionëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, por nga ana tjetër dhe përsa i përket numrit të pasagjerëve. Viti 2024 u mbyll me 10.7 milionë pasagjerë në aeroportin e Rinasit dhe kur kemi nisur këtë studim, pra në 2020, në qoftë se nuk gabohem, në atë kohë flitej që në vitin e parë në skenarin bazik duhet të prisnim 330 mijë pasagjerë. Më pas, duke evoluar, arritëm që përllogaritja të ishte në 1 milion pasagjerë në vit. Sot, nga të gjitha avancimet që janë bërë dhe përmirësimet që i janë bërë studimit, pra të fizibilitetit të këtij aeroporti kemi arritur në një shifër prej 3 milionë pasagjerësh vetëm në vitin e parë.
Diçka tjetër për të cilën jemi krenar dhe presim me padurim, është se këtu në Vlorë do të aplikohen tre modele biznesi. Tre modele biznesi, të cilat kanë të bëjnë me bërthamën, pra atë çka është thelbësore, që është aviacioni civil. E dyta është mirëmbajtja e avionëve, një sektor totalisht i ri, një sektor i ri i cili përveç faktit që do të sjellë të ardhura shtesë në industrinë e aviacionit civil, duke pasur parasysh të gjithë avionët që do vijnë dhe do qëndrojnë në Shqipëri për disa ditë për t’u mirëmbajtur, nga ana tjetër krijon dhe një mundësi të re punësimi e cila nuk ka qenë deri më sot në Shqipëri, që ka të bëjë me inxhinierët avioniks apo edhe teknikët. Dhe modeli i tretë është kargo e mirëfilltë. Aeroporti i Vlorës, për shkak dhe të sipërfaqes prej 300 hektarësh ku është i vendosur, 300 hektarë të dedikuar totalisht brenda këtij territori parashikon që të ketë edhe një nënsektor tjetër, i cili është kargo e papërdorur deri më sot në Shqipëri, kargo e mirëfilltë për ngarkesa ndërkombëtare, që do të jetë pjesa e tretë e të gjithë përpunimeve brenda këtij aeroporti. Sigurisht, këto janë tre modelet e biznesit, por ky aeroport do të kthehet edhe në një inkubator të dijes, duke qenë se në këtë territor do të ngrihet Akademia e Aviacionit Civil, një akademi e cila do të prodhojë të gjithë profesionistët e ardhshëm. Duke filluar nga ata që unë kam shumë për zemër, që janë kontrollorët e trafikut ajror, inxhinierët e aviacionit, pra edhe të trafikut dhe nga ana tjetër të gjithë trupat e tjerë që sot ne i trajnojmë jashtë, që sigurisht mundohemi që të bëjmë trajnime gjatë punës, pra ‘job training’ siç quhet në gjuhën tonë të aviacionit, por nga ana tjetër, ne do t’i kemi të gjitha këto kapacitete këtu.
Në një prezantim që kemi pasur javën e shkuar, edhe ministri i Mbrojtjes ka bërë prezantimin e tij pasi parashikohet që në këtë territor të ketë një ndërthurje dhe të një akademie tjetër, pra një akademi ushtarake, përsa i përket aviacionit ushtarak, duke krijuar kështu një fushë totalisht të re, për të rinjtë dhe të rejat, jo vetëm të Vlorës dhe këtë duhet ta them, sepse kërkohet kaq shumë fuqi punëtore këtu. Pra, duke nisur rreth 1200 trupa që do të jenë vetëm brenda këtij territori, pa folur për të gjitha bizneset e ndërlidhura rreth aeroportit, kështu që Vlora nuk besoj që do të dalë ta përballojë vetë, ndajeni pak me Fierin, sepse që këtu deri në Fier janë vetëm 17 minuta dhe kam filluar ti numëroj për të parë se ku është më afër.
Të gjitha këto lajme të mira sigurisht ndërthuren siç ju thashë me një strategji shumë të madhe të vendit tënd të qeverisë Rama, përsa i përket infrastrukturës. Asnjëra nga veprat që ne po dorëzojmë nuk është ishull. Të gjitha janë të lidhura dhe të ndërlidhura mes tyre dhe këtu do të ndalem për një sekondë për të dhënë dhe një lajm tjetër që e kemi të thënë, por është lajm që duhet përsëritur. Kini parasysh që ky aeroport do të lidhet me Vlorën përmes një hekurudhe. Ashtu siç lidhen të gjithë aeroportet ndërkombëtare evropiane. Është një linjë prej 5 kilometrash, e cila do të lidhet gjithashtu edhe me hekurudhën që vjen nga Rrogozhina në drejtim të Vlorës, duke e bërë arterien të ndërlidhur edhe me qytetet e tjera, madje edhe me vetë Tiranën.
Është e rëndësishme të thuhet që prezenca e disa aeroporteve në territorin tonë krijon një konkurrencë të drejtë, konkurrencë të pastër, nga e cila përfiton klienti, udhëtari. E kemi parë sesi ka ndodhur në aeroportin e Rinasit kur nga më pak se 28 destinacione, sot kemi më shumë se 160 destinacione. E kemi parë kur monopoli mbahej nga pak kompani se çfarë ndodh sot kur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ka shumë kompani që operojnë, rreth 49, e gjitha kjo është përkthyer në benefite për udhëtarin. Benefite për klientin udhëtar të aviacionit civil, duke ulur kështu çmimin e biletave, duke ofruar për zgjedhje të ndryshme të destinacioneve, të orareve, të kompanive ajrore, duke i kualifikuar ato sipas cilësisë të cilën ofrojnë. E njëjta gjë, por dhe më shumë do të ndodhë me fillimin e operimeve në aeroportin e Vlorës, atëherë qytetarët e Shqipërisë, qytetarët e Kosovës madje edhe vizitorët tanë do të kenë mundësinë që të zgjedhin se cilin nga aeroportet duan ata të frekuentojnë dhe midis aeroporteve do të ketë një kompeticion të pastër, jo vetëm përsa i përket çmimeve, por edhe cilësisë.
Aeroporti i Vlorës është aeroport i kategorisë 4 E, e shpjegova edhe kur takuam trupën e zjarrfikësve, duke e bërë këtë aeroportin e vetëm në Shqipëri për momentin, por sigurisht unë jam e sigurt që edhe Tirana do të bëjë të njëjtin upgrade të kategorisë, duke pasur parasysh që ky është një aeroport i dizenjuar për fluturimet transoqeanike dhe këtu pastaj lind një detyrë e një tjetër krenarie kombëtare, siç është Air Albania, që të fillojë dhe të materializojë atë çka ne e kemi hedhur në planet tona që është fluturimi i shqiponjës tonë, Air Albania, me emrin Fan Noli, drejt kontinentit tjetër, në destinacionet që janë më të kërkuara nga shqiptarët, siç është Nju Jorku apo Detroit dhe gjithçka tjetër ne kemi analizuar dhe kemi planifikuar.
Unë realisht mund të flas shumë për aviacionin, si një pasion i imi dhe jo vetëm detyrë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë