» Fjala në Kuvend e Ministres Balluku në lidhje me marrëveshjen për sigurinë e digave
Postuar më: 13/03/2019

Fjala në Kuvend e Ministres Balluku në lidhje me marrëveshjen për sigurinë e digave

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në lidhje me marrëveshjen për sigurinë e digave

I nderuar Kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,

Projektligji “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.07.2008”, vjen në vijim të disa projekt akteve të tjera të miratuara kohët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë për realizimin e projektit “Rritja e sigurisë së digave”. Qëllimi i këtij projekt akti është ratifikimi i Letërmarrëveshjes ndryshuese të Marrëveshjes së financimit për Projektin “Siguria e Digave” ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), ratifikuar me ligjin nr. 9965, datë 24.7.2008.

Të gjitha aktivitetet e përfshira në marrëveshjen fillestare janë realizuar 100%.

Objektivat kryesore të Projektit të Sigurisë së Digave në kuadrin e programit për komunitetin e energjisë së Europës juglindore janë:

Rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve të mëdha të Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat;

Rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të efiçiencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë.

Fondet e angazhuara dhe të papërdorura në këtë marrëveshje rezultojnë në masën 300,000 euro. Letërmarrëveshja ndryshuese e IDA që po ratifikohet nga parlamenti, parashikon evidentimin e të gjithë fondeve të vlefshme për tu përdorur në aktivitetet e reja shtesë për projektin e Sigurisë së Digave.

Një aktivitet i ri shtesë është dhe rehabilitimi i portave të shkarkimit dhe remontit të HEC Koman dhe Fierzë buxheti i të cilave është miratuar:

Me ligjin Nr. 61/2018, datë 20.09.2018 në masën 12,0 mln Euro “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë Ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim për shtesën e dytë të financimit për projektin e Sigurisë së Digave”.

Me ligjin Nr. 88/2018, datë 22.11.2018 në masën 6 milionë euro “Për ratifikimin e Marrëveshjes Ndryshuese Nr. 1 të Marrëveshjes së Huasë të datës 31.12.2012, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) për financimin e projektit të përmirësimit të Sigurisë së Digës në Hidrocentralin e Komanit ratifikuar me ligjin 103/2013”.

Për supervizimin e punimeve të rehabilitimit të portave të shkarkimit në HEC Koman dhe Fierzë do të përdoret shuma prej 300,000 euro e vlefshme nga marrëveshja bazë.

Përdorimi i këtij buxheti me rialokim e propozuar krijon mundësinë që të mos rriten dy shumat e kredive të sipërcituara të dakordësuara me Qeverinë Shqiptare.

Në ligjin Nr. 88/2018, datë 20.09.2018, Programi 2 – “Kategoritë dhe tërheqjet e shumave” shuma prej 6 milionë euro është vetëm financim për investime dhe jo konsulencë teknike për supervizion punimesh. Si rrjedhojë letra ndryshuese e Bankës Botërore e propozuar për miratim parashikon rialokimin e 300,000 euro për supervizimin e rehabilitimit të portave të shkarkimit në HEC Koman dhe Fierzë, pa prekur shumat e parashikuara në marrëveshjet për investime.

Rialokimi i fondeve do të lejojë të arrihen nevojat në rritje për shërbimet e konsulencës për të asistuar KESH sh.a në prokurimin, projektimin dhe supervizimin gjatë implementimit të projektit.

Punimet e sipërcituara do të kërkojnë kohën e nevojshme për zbatimin e tyre dhe në këtë kuadër edhe konsulenca që përmendëm më sipër do të kërkojë shtyrjen e datës së mbylljes së kredisë deri më 31.12.2020. Prandaj në Letërmarrëveshjen Ndryshues kërkohet që shtyrja e datës së mbylljes të shkojë në 30.12.2020.

Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm përsa i përket ecurisë dhe strategjisë për energjinë që Republika e Shqipërisë ka. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka një fokus tek siguria e digave, e cila është një nga arsyet kryesore pse kërkohet rialokimi i këtij fondi, ndaj do të kërkoja nga deputetët që ta votojnë këtë projektligj kaq të rëndësishëm për sigurinë energjetike në vend.

Faleminderit!