Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Kuvend
E nderuar drejtuese e seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Çështja McGonigal nuk ka të bëjë as me shtetin shqiptar, as me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin shqiptar. Është një çështje e cila po hetohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fatkeqësisht unë kam gjithë ditën sot që dëgjoj që kërkoni drejtësi, por pse nuk e lini drejtësinë të bëjë punën e saj. Mirë SPAK-ut i jepni mend mëngjes, drekë, darkë se çfarë duhet të bëj, mirë i jepni dhe sistemit gjyqësor, tani keni kaluar edhe oqeanin. Keni filluar ti tregoni edhe amerikanëve sesi duhet ta bëjnë ata procesin e drejtësisë.
Ne e kemi shumë të qartë që kjo është një përpjekje totalisht e dështuar nga ana juaj, këtu sot sidomos dhe është përpjekje non gratave apo e zëvendës non gratave për të tërhequr vëmendjen në një çështje tjetër. Një çështje e cila do ti bëjë shqiptarët që të flasim për diçka tjetër dhe jo për narrativën tuaj politike, narritën tuaj politike të cilën do mundoheni që ti jepni pak kapital nesër, por është dukur herët e fundit sesa kapital politik nxirrni ju tashmë nga protestat dhe si keni arritur të ridikulizoni Partinë Demokratike që të paktën protestat i ka pasur si një instrument i herëpashershëm për ti mbledhur ata njerëz që humbnin diku. Tashmë edhe atë instrument që keni pasur e keni humbur totalisht. Këtë narrativën e sotme e keni ngritur për të mbuluar historinë e një partie që e kishit, e bëtë fije, fije, e shkatërruar dhe sot nuk dini ku keni as kokën dhe as këmbët.
Në ndërkohë shqiptarët e kanë shumë të qartë se kush është kufoma politike, kush ndodhet në varr, kush u ngrit nga varri për të na folur si Kostandini nga foltorja. Tani nuk e di ju flet Frojdi apo çfarë halli keni. Keni nisur që në mëngjes sot me kufomë politike, me varre, me varrmihës etj., kush është në varr, kush ishte i mbuluar me dhe, dhe kush u thërrit nga varri që të dilte dhe njëherë në krye të trupave dhe të kalorësve këtë e dini shumë mirë. Nuk bëhet fjalë këtu as për Edi Ramën, as për Partinë Socialiste, as për askënd tjetër. Kalorësi i vdekur e keni në radhët tuaja, as dëgjon, as nuk sheh, do përkthyes, jo po kush po flet atje, jo po ça e tha këtë, pastaj ju ja përktheni dhe keq, ai merr kot, fillon mallkon të tjerë për të tjerë, kështu që e dini shumë mirë se kush është varri.
Në ndërkohë ju keni një hall shumë të madh, ju keni hallin e nesërm, por ne nuk jua zgjidhim dot. Sado që ju vazhdoni dhe thoni po ndërhyni, s’po ndërhyni sepse gjërat që keni bërë në jetën tuja, me ndërhyrjet tek gjyqësori etj., kujtoni që i bëjmë ne dhe vazhdoni dhe thoni jo po kush do të marrë nesër, keni ndërhyrë, jo po vula, jo po brava, jo po foltorja. Të dashur, ne kemi shumë punë, kjo është një qeveri në krye të vendit, të një vendi që ju e shkatërruar 8 vite, ju na tregoni ne 10 vitet. Ne këtu jemi me votë plebishitare dhe kemi kaluar nga një zgjedhje në tjetrën me ballin lart dhe me faqen e bardhë. Ndërkohë që ju e kishit 8 vite dhe akoma sot po lajmë baltën tuaj.
Ndërkohë keni hall se çdo ndodhë nesër. Nuk e dimë ne se çfarë do të ndodhë nesër se ne nuk merremi me gjyqësorin. Merruni ju siç jeni marrë gjithmonë dhe nuk kemi as interes për të thënë të drejtën se kush do mbajë vulën, kush do mbajë flamurin, kush do mbajë logon dhe kush do mbajë kalin blu që mbani tek rruga jashtë. Këto i dini vetë dhe zgjidhini si të doni. Këtë stresin tuaj të brendshëm duhet patjetër ta mbajë gjithë populli shqiptar në kurriz, duhet ta mbajë përkthyesja e kalorësit të vdekur që ka dalë nga varri. Tani si do ta zgjidhim këtë problem me ju. Ju vini këtu dhe bëni shpikje me filma të Netflix-it, që sesi kryeministri shqip mbaka në dorë të gjithë FBI-në dhe sesi qytetari A, B dhe ZH paska lëvizur të gjithë mekanizmat e botës.
Ka një gjë që dua ta sqaroj sot se ju kam dëgjuar 100 herë dhe u interesova për të kuptuar përsa i përket ofiqeve diplomatike të Dorian Duçkës. Dorian Duçka ka marrë një pasaportë diplomatike në vitin 2015, si zëvendësministër i Energjisë, e cila është e vlefshme deri në vitin 2025 dhe pyetjes që mund të shtrohet që pse nuk është tërhequr sepse nuk i është tërhequr asnjë ish-deputeti apo ish-ministri dhe nga radhët tuaja pasaportat diplomatike që kanë marrë kur kanë qenë në detyrë. Kështu që pasaportën diplomatike Dorian Duçkës, me qenë se u interesova sot nuk ja ka dhënë Edi Rama, as për të sjellë Gon Nezën, që e keni ju rrezik më shok dhe as për të sjellë McGonigal, kështu që kjo është një gjë që duhet ta sqarojmë. E ka marrë për shkak të detyrës dhe siç e mbajnë akoma dhe sot ministrat tuaj ashtu e ka edhe Dorian Duçka dhe nuk e ka marrë nga Edi Rama për asnjë lloj ofiqi zyrtar dhe këtë duhet ta shënoni mirë me qenë se keni pyetje vazhdimisht.
Megjithatë unë do t’ju thoja që dilni këtu, flisni, kërkoni që të ruhet etika, ndërkohë që ju as e ruani etikën, nuk e kam me ju që jeni në sallë, por e kam me të gjithë opozitarët sepse nuk lini jashtë narrativës tuaj as familjarë, as gra, as burra, as fëmijë, as pleq e as plaka, as gjyshe e gjyshër e çfarë kemi të gjallë apo çfarë kemi të vdekur.
Këto opozitarët që vijnë dhe i flet Fjordi këtu janë ata që i përmendin Edi Ramës edhe gruan, Lindën apo të bijën e saj, e cila nuk ka nevojë sigurisht për avokaturën time në këto momente, por ama i duhet kujtuar një fakt opozitarëve këtu, që Linda ndryshe nga familjarët e tyre nuk është ngatërruar asnjëherë as me shtetin dhe as me pushtetin. Ndërkohë që mjafton t’ju kujtoj Gërdecin. Mjafton t’ju kujtoj “21 Janarin” dhe e dini vetë ju shumë mirë sesi i keni familjarët ngushtësisht të lidhur me afera që kanë pasur viktima. Që kanë pasur viktima që sot e kësaj dite vazhdojnë dhe kërkojnë drejtësi.
Ndërkohë që juve këtu ju digjet shpirti për drejtësinë amerikane, zonjë nuk ju dëgjova që të thoje ndonjë fjalë përsa i përket “21 Janarit”. Se unë kam qenë atje në bulevard kur Ndrea Prendi kërkonte zjarr luftarak. Ju do keni qenë duke shkruajtur në ato momente, por për “21 Janarin” a keni gjë për të thënë? A e dëgjuat sesi thoshte që të hapej zjarr luftarak në bulevard. Unë kam qenë në bulevard atë ditë dhe me mua kanë qenë shumë nga këta njerëz këtu. Ju do keni qenë në shtëpitë tuaja duke na parë nga televizioni, dhe nuk e ka kaluar askush gardhin e kryeministrisë, askush nuk e kaloi gardhin dhe ata që u vranë ishin në bulevard dhe ishin larg. Nuk ju pashë sot t’ju digjet shpirti për “21 Janarin” dhe për 4 të vrarë ndërkohë që po ju digjet shpirti çfarë do ndodhë me drejtësinë amerikane.
Boll erdhët këtu dhe bëtë teatër dhe boll erdhët këtu që të zgjidhni problemet tuaja frojdiane me varre, me të vdekur e me kalorës.
Ti, Doruntina dil dhe gjeje Kostandinin e vdekur se e ka dhe kalin jashtë. Kalin e keni sjellë, Kostandinin e ke dhe ti e dashur Doruntinë merre dhe hipni të dy kalit edhe shkoni dhe takoni mamanë tuaj.
Faleminderit shumë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë