Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 09/06/2022

Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, si zakonisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pasur një sërë projekt aktesh për të aprovuar, por unë ndaloj tek ato që janë më të rëndësishmet.

Sot kemi kaluar një projektvendim për trajtimin e disbalancave të shkaktuar nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, e cila synon miratimin e mënyrës së trajtimit të disbalancave të shkaktuara nga këta prodhues dhe kostot përkatëse të mbulimit të tyre. Deri më sot, të gjithë prodhuesit, qoftë nga hidrocentralet e vogla apo parqet fotovoltaike, disbalancat i mbulonin operatorët shtetëror, në këtë rast KESH-i, ndërkohë që duke filluar që sot edhe bazuar në vendimin që ka marrë ERE në 2021, dhe duke i marrë edhe bazën kësaj VKM-je,  të gjithë entitetet të cilat prodhojnë energji dhe janë prodhuesit, të përcaktuar si prodhues me përparësi të energjisë elektrike, do të paguajnë këto disbalanca që është padyshim një çmim simbolik përsa i përket megavatorit, por që shëndosh sistemin elektro-energjetik edhe financat e kompanive shtetërore që operojnë në këtë sistem.

Ndërkohë, kemi miratuar sot dy parqe fotovoltaike të cilat do të ndërtohen në qarkun e Korçës, secili nga 20 megavatorë, pa mbështetje financiare nga shteti shqiptar, pra një investim totalisht privat dhe ky investim do të zhvillohet, siç thashë, në qarkun e Korçës në një total prej 40 megavatorësh. Ky është një lajm shumë i mirë, ky është një investim nga entitete vendase, por që përkon me një periudhë shumë të vështirë përsa i përket energjisë elektrike kur ne si vend kërkojmë që të rrisim kapacitetet prodhuese sidomos ato të energjisë së gjelbër dhe iniciativa të tilla mbështeten padyshim për ti dhënë një shpejtësi më të madhe për ndërtim dhe për të gjitha procedurat për të plotësuar të gjithë rrugën burokratike. Shteti shqiptar përveç të tjerash përfiton nga këto parqe, pasi 2% e energjisë së prodhuar gjatë vitit i jepet shtetit shqiptar në formë produkti ose në formë pagese, pra në formë të rentës.

Gjithashtu, një tjetër vendim i rëndësishëm është projektvendimi për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Frakull dhe në atë të Povelçës. Që të dyja këto dy vendburime të gazit natyror që kanë qenë në pronësi të Albpetrol në fund të jetës së tyre të ciklit të investimeve, kështu duke ja dhënë entiteteve private do të kemi një ri jetësim të këtyre dy vendburimeve. Parashikohet që vetëm në fazën e eksplorimit të investohen rreth 500 mijë dollarë për secilin vendburim. Një investim i rëndësishëm në fushën e gazit, sidomos kjo edhe në kuadrin e të gjithë vështirësisë që sektori i naftës dhe gazit po has vitin e fundit edhe nxitur nga kriza dhe konflikti rus-ukrainas.

Këto ishin vendimet kryesore më të rëndësishme përsa i përket ditës së sotme. Padyshim patëm edhe projektvendime për shpronësime, të cilat i hapin rrugë projekteve shumë të rëndësishme të investuara nga shteti apo nga bashkitë kudo në Shqipëri.

Shumë faleminderit!