Ministrja Balluku merr pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të Universitetit Politeknik të Tiranës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 24/11/2021

Ministrja Balluku merr pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të Universitetit Politeknik të Tiranës

Fjala përshëndetëse e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në 70-vjetorin e Universitetit Politeknik të Tiranës:

I nderuar rektor, Profesor, Doktor Maliqari,

I nderuar, Kryetar i Konferencës së Rektorëve, zoti, Hoxha,

Të nderuar, dekanë dhe miq,

Të nderuar, Ambasadorë që merrni sot pjesë në këtë ditë të shënuar për Shqipërinë,

Të nderuar profesorë dhe të dashur studentë,

Të jesh guri i themelit të një institucioni kaq të rëndësishëm si Arsimi i Lartë, është padyshim një arsye e fortë për të qenë krenar, por sigurisht vetëm historia nuk mjafton.

Në 70 vitet e jetës dhe aktivitetit Universitetit Politeknik ka qenë padyshim në avangardën e institucioneve arsimore në vend, duke promovuar kulturën e një zhvillimi të qëndrueshëm në të gjitha aktivitetet e tij institucionale, në didaktikë dhe kërkim shkencor.

Ndaj unë sot ndihem e privilegjuar të jem këtu mes jush dhe t’ju përshëndes në emër të Qeverisë Shqiptare dhe në emër të Kryeministrit Rama, padyshim edhe në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një nga partnerët kryesorë të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Megjithëse po i afrohem të 50-ave, unë vazhdoj të jem vajza e një inxhinieri. Unë jam vajza e Çlirim Ballukut, i cili është diplomuar në këtë universitet në fund të viteve ’60-të dhe fakti që babai im sot e kësaj dite ndihet një inxhinier, pavarësisht gjithçka je që jeta i vuri përballë, elementi më i rëndësishëm i cili identifikonte atë është që ai është inxhinier Çlirim Balluku. Unë jam rritur me këtë frymë dhe sa herë futem në këtë ndërtesë gjëja e parë që kujtoj është krenaria që babai im flet për një plejadë të tërë inxhinierësh, të cilët sot e kësaj dite kontribuojnë rëndësishëm në shoqërinë shqiptare.

Por, ashtu si babai im, kanë kontribut edhe ata që sapo janë diplomuar dhe unë punoj me ta, punoj çdo ditë dhe mbështetem tek ta dhe mbështesim strategjitë dhe iniciativat qeveritare të Republikës së Shqipërisë. Vajza dhe djem që kanë dalë nga dyert e këtij universiteti bëjnë pjesë sot në stafet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe për të thënë të drejtën janë si ajo nafta, si energjia që i futet motorit dhe e bën të funksionojë më shpejt, pasi ju djemtë dhe vajzat e reja padyshim keni një hap pak më të shpejtë se ne të tjerët. Pavarësisht sesa shumë flitet për universitetet dhe për cilësinë e arsimit vitet e fundit, unë jam e sigurt që të gjithë studentët shqiptarë pasi flasin faktet kështu, kur shkojnë nëpër botë janë gjithmonë ata që shkëlqejnë dhe kjo vjen si rezultat patjetër i të gjithë angazhimit tuaj për të mësuar, por mbi të gjitha i cilësisë së profesorëve që ju kanë rritur dhe ju kanë drejtuar në kaq vite.

Për një universitet 70 vite, ndoshta dëgjohen si pak kohë, e tha edhe Evisi pak më parë, por për Shqipërinë, një vend i ri relativisht në të gjithë kulturën e tij institucionale, 70 vite janë mjaft të rëndësishme.

Në themelet e këtyre arritjeve dhe sukseseve të këtij universiteti është kontributi i qindra grave dhe burrave që kanë shërbyer në këtë institucion si profesorë, asistentë, bashkëpunëtorë shkencorë, apo punonjës të administratës së universitetit, por sigurisht edhe i atyre që kanë studiuar këtu.

Një falenderim i përzemërt shkon për ta, për mendjet e tyre të ndritura, angazhimin profesional, sakrificat jo të pakta dhe sigurisht për rezultatet që kanë arritur në zhvillimin dhe modernizimin e këtij universiteti.

Të dashur pedagogë e studentë!

Bashkëpunimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me Universitetin Politeknik dhe Fakultetet e tij është ngritur vitet e fundit në një nivel të lartë sasior dhe cilësor, duke e konsideruar Universitetin si një partner strategjik, për kërkimet shkencore, për mbështetje me punonjës të rinj nga studentët e ekselencës dhe jo vetëm, por edhe për oponencat në të gjithë sektorët që mbulon kjo ministri.

Në kuadër të Paktit për Universitetin, i cili u firmos mes palëve në fund vitin 2018, janë ndërmarrë një sërë nismash dhe angazhimesh reciproke, të cilat kanë synuar forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e aktivitetit të Universitetit dhe studentëve të tij.

Në Mars të vitit 2019 kemi nënshkruar një marrëveshje midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 3 prej Fakulteteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, e cila parashikon shtrirjen e bashkëpunimit në disa fusha, atë të punësimit të studentëve të ekselencës, krijimit të hapësirave për praktikat mësimore, kërkimeve shkencore, ekspertizës dhe konsulencës.

Gjatë periudhës së zbatimit të kësaj marrëveshjeje, 73 studentë ekselentë të Universitetit Politeknik janë rekrutuar pranë aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, por gjithashtu dhe në institucionet tona të varësisë për punësim apo për kryerjen e praktikave mësimore.

Ndërkohë, ne jemi përpjekur të përfshijmë në këtë proces, jo vetëm studentët e ekselencës, por edhe studentë të tjerë të talentuar dhe me dëshirë për të kontribuar në projekte të ndryshme madhore, siç janë Aeroporti i Vlorës, apo Gazsjellësi Adriatiko-Jonian.

Shembulli më i mirë për këtë, është angazhimi i 36 të rinjve në shoqërinë shtetërore Albanian Gas Service Company, në projektin e madh të mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP.

Këta të rinj të sapo diplomuar në Fakultetin e Gjeologji Minierave, të selektuar sipas një procesi shumë transparent, vijuan më pas një proces trajnimi 9-mujor me teknologjinë më bashkëkohore të sektorit në asetet e kompanisë italiane SNAM dhe sot janë punonjës me kohë të plotë.

Nisur nga fakti se procesi i gazifikimit të vendit, por edhe projektet e tjera madhore janë në fillesat e tyre, mund të themi pa droje se e ardhmja e specialistëve të rinj të këtij sektori është mëse premtuese dhe e garantuar.

Pak më parë kolegia ime Kushi ju referua 3 prej projekteve më të mëdha që ne kemi. Unë do të përfitoj nga rasti sot për të mos harxhuar kohë sigurisht, por për të thënë diçka shumë të rëndësishme. Njëri nga projektet ka të bëjë me dekarbonizimin. Ne jemi të etur për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe si të tillë ne mundohemi të përafrohemi me të gjitha kornizat ligjore apo kërkesat për çdo fushë në Bashkimin Europian. Por, çfarë ky universitet duhet të bënte dhe duhet të bëjë, çfarë grupet e kërkimit duhet të bëjnë dhe kjo është një kërkesë e imja ndaj jush është që ne në kërkimet apo studimet që duhet të kemi në të ardhmen duhet t’i sjellim ato sa më afër realitetit shqiptar. Flitet për dekarbonizimin dhe për ekonominë e gjelbër, por ju e dini që Shqipëria përveç karbonit që prodhohet nga transporti nga automjetet, ne jemi një vend i bazuar mbi energjinë elektrike që fatkeqësisht nga njëri krah kemi këtë mungesën dhe varësinë nga moti, pasi i gjithë sistemi elektro-energjetik shqiptar është i bazuar mbi atë hidrologjik, por nga ana tjetër ne nuk kemi emetime të karbonit. Kështu që kur ne studiojmë duhet patjetër ta përshtasim studimin tonë me realitetin që ne kemi.

Sot e rëndësishme në paketën e studimit energjetik shqiptar është mundësia për të gjetur burime të reja energjetike, sigurisht të gjelbërta. Padyshim ne nuk duhet të prishim çfarë e kemi të trashëguar, por nga ana tjetër për të krijuar një sistem, i cili do të na jepte një pavarësi elektro-energjetike, sigurisht për të krijuar burimet alternative, të cilat mund të përdoren si nga familjarët, ashtu dhe nga bizneset, përsa i përket energjisë. Pra jo gjithçka e bazuar mbi sistemin elektro-energjetik, por duke përdorur dhe burimet e tjera natyrore që ne i kemi me shumicë, siç është rasti i gazit.

Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm dhe në një zhvillim dinamik. Siç përmenda energjinë do të përmendja një fushë tjetër, aviacionin. Aviacioni është një fushë e cila sot, po njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe ne ndodhemi përpara një fakti të rëndësishëm të mungesës së kuadrove për t’ju përgjigjur këtij zhvillimi. Nga një aeroport i vetëm që Shqipëria ka pasur për më shumë se gjysmë shekulli, duke filluar nga 4-vjeçari i ardhshëm, ne do të kemi 4 aeroporte ndërkombëtare, të cilat nuk kanë të bëjnë me stafet e fluturimit, pra me stjuartët apo me pilotët, por kanë të bëjnë me inxhinierë avioni, të cilët duhet t’ju ofrojnë shërbimet e tyre të gjitha kompanive ajrore, apo ky sektor do të zhvillohet, siç është rasti i aeroportit të Vlorës edhe me hangarët e mirëmbajtjes. Por, ne e kemi këtë mungesë sot në treg dhe ndoshta së bashku përmes një analize të thellë dhe padyshim me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit ne do të duhet të hartojmë një strategji dhe ju duhet të mendoni sesi mund të përfshihet në kurrikulën e viteve të ardhshme ky profesion i ri. Ne presim shumë nga ju pasi ju jeni truri i këtij vendi, asgjë nuk mund të bëhet pa ju dhe sigurisht ju keni nevojë për të gjithë mbështetjen e profesorëve tuaj dhe kjo u duk dhe gjatë fatkeqësisë së madhe të tërmetit të 26 nëntorit, sesi ju së bashku me profesorët mbështetët Qeverinë, ministritë dhe të gjithë institucionet përgjegjëse në ato momente kritike pikërisht për t’i dhënë shpejtësi procesit dhe për të analizuar të gjithë problematikën e ndodhur.

Kështu, ky bashkëpunim që tashmë është i bazuar në një respekt, mirënjohje dhe mirëkuptim të ndërsjellët duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.  Ajo çfarë kemi arritur deri më tani nuk mund të na bëjë entuziastë, pasi jemi të bindur se ka ende shumë për të bërë, për të arritur atë standard bashkëpunimi që dëshirojmë dhe synojmë të dyja palët. Vullneti i Qeverisë Shqiptare, por padyshim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbetet i palëkundur për të ecur më tej dhe më shpejt në këtë drejtim.

Unë ju falënderoj dhe gëzuar 70 vjetorin!