Fjala e Ministres Balluku në Kuvend për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 124/2015, “Për efiçencën e energjisë” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 07/02/2019

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 124/2015, “Për efiçencën e energjisë”

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 124/2015, “Për efiçencën e energjisë”

E nderuar kryetare e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,

Sektori i energjisë është jetik për ekonominë si përsa i përket pjesës që zë në treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit, ashtu edhe në rolin e tij si një fuqi motorike e zhvillimit, pa të cilin çdo gjë do të paralizohej. Në këtë kuadër një rol shumë të rëndësishëm në sektor zë energjia elektrike, përdorimi i të cilës dekadat e fundit është rritur mjaft duke reflektuar edhe një rritje të proceseve të automatizimit në çdo aspekt të konsumit, personal ose për qëllime jopersonale dhe të kushteve të jetesës në përgjithësi në vendin tonë.

Nuk po i referohem shifrave sesi ka qenë e shkuara, pra sesi në 2013 ishte sektori energjetik, duke qenë se ju referua deputeti Beqja, por po vazhdoj duke ju sqaruar përsa i përket ndryshimeve të projektligjit.

Efiçenca e energjisë është një prioritet i rëndësishëm politik dhe ekonomik. Efiçenca e energjisë, vjen si një risi duke përdorur standardet më të mira europiane si në ndërtim ashtu edhe në fusha të tjera të ekonomisë, në industri apo transport, në mënyrë që të kursehet energjia.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Agjencinë për Efiçencën e Energjisë, po ndërmerr disa politika në këtë drejtim. Në këtë kuptim, ligji për Efiçiencën e Energjisë thekson veçanërisht peshën që ka menaxhimi i energjisë. Bashkimi Europian sot parashikon hedhjen e një hapi të madh përpara nëpërmjet zbatimit të auditimeve të energjisë për konsumatorët e mëdhenj.

Në kuadër të reformës së derregullimit dhe me qëllim krijimin e lehtësirave të mëtejshme për përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative, janë analizuar të gjitha licencat dhe lejet e përfshira në Aneksin 1 dhe 2, të Vendimit nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga ose nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar. Në përfundim të analizës, ndër të tjera u arrit në konkluzionin se 23 licenca eliminohen.

Konkretisht me anë të ndryshimeve në 124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, synohet të arrihet:

(a) Reduktim i barrierave administrative;

(b) Liberalizim i tregut;

(c) Përmirësim i mëtejshëm i klimës së biznesit.

Neni 5, i Ligjit nr. 10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon se “Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, si rregull, kushtet e përgjithshme të licencimit, autorizimit dhe lejimit, organi kompetent që vlerëson përmbushjen e këtyre kushteve, organi kompetent për inspektimin dhe/ose për revokimin e licencës, autorizimit dhe lejes, si dhe shkaqet e revokimit përcaktohen me ligj, ndërsa kushtet e posaçme të licencimit, të autorizimit dhe lejimit, dokumentet shoqëruese, që paraqiten për pajisjen me licencë, autorizim apo leje, afati i vlefshmërisë së licencës, të autorizimit dhe lejes, procedurat e shqyrtimit dhe të vendimmarrjes dhe afatet për kryerjen e tyre, si dhe procedurat e revokimit miratohen me akt nënligjor, në bazë dhe në zbatim të këtij ligji dhe të ligjit që e parashikon atë licencë, autorizim apo leje.”

Me anë të këtij projektligji propozohet shfuqizimi i licencës “Auditues Energjetik” dhe licencës “Shërbime energjetike”, të cilat janë parashikuar si licenca në ligj, por akoma nuk janë përfshirë në njërën prej kategorive dhe nënkategorive të përcaktuara në Aneksin 1, të VKM nr. 538/2009.

Me shfuqizimin e kësaj licence ushtrimi i veprimtarisë së auditimit të energjisë dhe shërbimet energjetike do të jenë të lira.

Ndërkohë, ky projektligj parashikon se shërbimet energjetike ofrohen nga persona juridikë që certifikohen nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe janë të regjistruar në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e kësaj veprimtarie dhe në përputhje me përcaktimet e këtij ligji. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban, përditëson dhe publikon objekt veprimtarinë kryerjen e kësaj veprimtarie dhe që kanë të punësuar individë të certifikuar. Ajo gjithashtu publikon në faqen e saj zyrtare një listë të audituesve energjetikë.

Projektligji parashikon rastet dhe mënyrat e revokimit të certifikatës të audituesit energjetik dhe mënyrën e rifitimit të saj.

Së fundmi, ju informojmë se aktualisht në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, janë duke u përgatitur disa paketa të reja me akte nënligjore, me qëllim që edhe Shqipëria të jetë në të njëjtën linjë me zhvillimin e vendeve evropiane përsa i përket efiçencës së energjisë. Kjo nënkupton kode më të mira për ndërtimin, kode më të mira për standardet e konsumit në industri dhe për shumë sektorë të tjerë që konsumojnë energji.

Ju ftoj që ta votoni këtë projektligj,

Ju faleminderit!