Font Resize
 Firmoset marrëveshja për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 08/04/2025

Firmoset marrëveshja për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

U firmos sot në mjediset e Kryeministrisë, Marrëveshja e Grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Investime për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, një arterie kyçe që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit tonë si një nyje lidhëse në rajon.
Marrëveshja u firmos nga Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Drejtori i Bankës Europiane për Investime Lionel Rapaille.

Pronocimi i Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas firmosjes së marrëveshjes për financimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII:

“Sot gjatë vizitës në Shqipëri të Zëvendës Presidentes së Komisionit Europian Kaja Kallas dhe në prani të Kryeministrit Edi Rama, nënshkruam sëbashku me Bankën Europiane për Investim marrëveshjen për hapin e parë të hekurudhës së Korridorit të VIII, një marrëveshje e cila i jep një tjetër gur kilometrik Shqipërisë në zhvillimin e transportit hekurdhor. Durrës-Rrogozhinë, duke nisur kështu një rrugëtim i cili do të bashkohet dhe do të ndërlidhet edhe me hapat e tjerë që kemi hedhur për Korridorin e VIII, siç është autostrada apo edhe autostrada energjetike që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Të gjithë këto komponentë po plotësojnë një puzzle të madh të transportit hekurudhor, një nga transportet më të rëndësishëm për Bashkimin Europian, duke qenë se i ofron eficiencë financiare çdo qytetari dhe nga ana tjetër është miqësor me ambientin.

Duhet thënë gjithashtu që tashmë jemi në hapat e fundit të ndërtimit të hekurudhës Tiranë -Durrës, e cila si ndërtim dorëzohet brenda vitit 2025, duke i lënë vitit 2026 edhe plotësimin e komponentëve të tjerë, atë të elektrifikimit të kësaj hekurudhe, por edhe krijimin e stokut të vagonëve dhe lokomotivave që do të operojnë. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2025 ne nisim ndërtimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit, një nga segmentet më të rëndësishme ndërlidhëse të rajonit. Po ashtu duhet patur parasysh që parashikohet që këto punime të Vorë-Hani i Hotit të përfundojnë në vitin 2029.

Në ditët në vazhdim ne do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, një projekt me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës. Bëhet fjalë për hekurudhën e kombit, e cila do të prezantohet në Shkodër, aty ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë. Gjithashtu duhet patur parasysh që brenda këtij viti do të kemi mundësi që të kemi një projekt të plotë pikërisht për marrëveshjen që u firmos sot Durrës – Rrogozhinë, e cila parashikohet të dorëzohet si vepër në vitin 2028, duke u pasuar dhe nga segmenti Rrogozhinë – Pogradec, i cili do të dorëzohet në vitin 2029.

Të gjitha këto risi, të gjitha këto projekte strategjike kombëtare dhe rajonale e përafrojnë Shqipërinë akoma më shumë drejt ëndrrës së saj të Bashkimit Europian. Gjej rastin të falenderoj Bashkimin Europian, sigurisht delegacionin e Bashkimit Europian këtu në Tiranë, për të gjithë mbështetjen, bashkëpunimin dhe të gjitha hapat që kemi hedhur sëbashku me skuadrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sot marrim angazhimin për të vijuar me projekte të tjera që na presin dhe padyshim për të përafruar akoma më shumë ëndrrën shqiptare drejt Bashkimin Europian.”