Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori sot pjesë në “Festivalin e Inovacionit”, i cili po zhvillohet përgjatë datave 18-20 Shtator në Tiranë. Në ditën e dytë të këtij aktiviteti, në qendër të vëmendjes ishin sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit ndërsa merrnin pjesë edhe Ministri i Inovacionit të Kosovës Besim Beqaj, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, përfaqësues të shoqatave të biznesit nga vendet e rajonit.
“Qeveria shqiptare i ka kushtuar një fokus të veçantë futjes dhe informatizimit, pse jo zgjidhjeve teknologjike në shumë shërbime që në mënyrë klasike apo tradicionale janë kryer nga njerëz. Realisht ky është një trend që ne nuk e ndalim. Si qeveri po bashkëpunojmë edhe me Bashkimin Europian nëpërmjet granteve dhe fondeve të caktuara në mënyrë që të shtrijmë edhe infrastrukturën e nevojshme për shpejtësinë e internetit, për rrjetet broadband për të krijuar mundësinë e kryerjes së shumë shërbimeve qoftë private, publike apo çdo lloj transaksioni nëpërmjet sistemeve online”, u shpreh ministri Gjiknuri në fjalën e tij.
Sipas tij, shteti duhet të kryejë investime e tij në infrastrukturë për të mundësuar këtë gamë të re shërbimesh që mund të ofrohen në vitet në vijim. “Ne kemi filluar, jemi në hapat e parë për shtrirjen e broadband rajonal. Qeveria është duke organizuar me autoritet përkatëse edhe ankandin për 800 MHz që do të thotë do të kemi një shpejtësi më të madhe të internetit 4G, 5G në mënyrë që shumë shërbime që duhet të ofrohen online të jenë të tilla dhe të kenë mundësi të mbajnë big data. Edhe kjo krijon një mundësi sepse pa pasjen e kësaj infrastrukture shumë nga zgjedhjet inovative nuk do të ishin të mundura”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri sqaroi se shumë shpejt do të fillojmë një program të ri me Bankën Botërore që ka të bëjë me menaxhimin inteligjent të transportit, qoftë ky publik, transporti komercial pse jo edhe e shtrirë kjo në atë që quhet ‘cross border’, pra në tregtinë ndërkufitare që zhvillohet nëpërmjet mjeteve të transportit.
Të gjitha këto masa, nënvizoi Gjiknuri, do të krijojnë oportunitete të nevojshme për të gjithë zgjidhjet inovative, pse jo për shumë kompani shqiptare që mund të jenë të vogla, mund të lidhen edhe me kompani të tjera më të mëdha në botë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë