Festat e fundvitit, Balluku në Fier: Nga 1 janari rrisim me 18% pagat e naftëtarëve - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/12/2019

Festat e fundvitit, Balluku në Fier: Nga 1 janari rrisim me 18% pagat e naftëtarëve

Viti 2020 do t’i gjejë punonjësit e Albpetrol sh.a me më shumë të ardhura për familjet e tyre. Duke filluar nga 1 Janari, punonjësit naftëtarë do të përfitojnë një rritje page, mesatarisht 18 përqind.

Lajmi i mirë ju dha punonjësve dhe familjeve të tyre nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë festës të Vitit të Ri të organizuar për fëmijët e naftëtarëve nga Fieri, Patosi, Mallakastra, Roskoveci, Kuçova, Selenica etj. Në këtë ceremoni ministrja shoqërohej nga Administratorja e Albpetrol, Eriola Muka,

“Festat e fund vitit janë momente festive për të gjithë dhe ata që gëzojnë më shumë janë fëmijët. Për këtë arsye, – tha ministrja Balluku- duhet treguar vëmendje që gjithkush të ketë mundësi të gëzojë në këtë fund vit”.

Ministrja vlerësoi gjithashtu sakrificën e naftëtarëve, duke sjellë në vëmendje faktin se punojnë në një sektor me mjaft vështirësi.

“Unë jam shumë e lumtur sot që takoj fëmijët e naftëtarëve, të cilët janë nga punëtorët më të dalluar dhe kanë qenë në të gjitha kohërat. Janë njerëz që impenjohen shumë, puna është e vështirë, besoj që mami dhe babi ju kanë treguar gjithmonë sesa e vështirë është të punosh në fushën e naftës, por ata ja dalin gjithmonë me sukses. Kemi dhe një lajm të mirë për ta, që të gjithë naftëtarëve ne kemi vendosur t’ju rrisim edhe pagën, por më pas këto do t’i bisedoj Erjola me prindërit tuaj”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me administratoren e Albpetrol, kanë shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët duke krijuar momente festive.  Fëmijët festuan me babagjyshin e Vitit të Ri dhe personazhet e tyre të preferuara dhe u argëtuan me dhuratat e shumta e përgatitura enkas për ta.

Albpetrol ndodhet në procesin e një reformimi të thellë. Strategjia e re për këtë reformimin bazohet në disiplinimin e kësaj ndërmarrje me synim rritjen e efikasitetit. I gjithë personeli prej 1800 punonjësish po kalon në një sitë të imët për të vlerësuar dobinë dhe përgjegjësinë që secili ka dhe sjell në ndërmarrje, duke larguar nga organika e fryrë personat të cilët kanë nuk kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të kompanisë. Edhe prodhimi është nën fokus të plotë të këtij procesi reformues dhe vetëm në tre muajt e fundit tetor – dhjetor kemi një rekuperim prej  1500 – 1600 ton gjithsej, me një bazë ditore shtesë 21 ton/ditë.

E gjitha kjo ka sjell mundësinë për të vlerësuar drejtë ata naftëtarë të cilët kryejnë detyrën dhe janë në konformitet me kontratën e punës. Kjo rritje e konsiderueshme page, synon nxitjen e mëtejshme të kësaj ndërmarrje për të arritur sa më parë objektivat e vendosura nga MIE në sektorin e hidrokarbureve për vitin e ri 2020.