Bypass-i i Vlorës, aksi strategjik që lehtëson lëvizjen drejt jugut - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/07/2021

Bypass-i i Vlorës, aksi strategjik që lehtëson lëvizjen drejt jugut

Hapet bypass-i i Vlorës, një nga veprat më të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare, e cila do të lehtësojë lëvizjen e pushuesve drejt brigjeve të Jonit. Ky aks i ri panoramik shmang trafikun brenda në qytetin e Vlorës dhe u mundëson udhëtarëve që nuk kanë destinacion Vlorën, një udhëtim më komod dhe të shkurtër drejt rivierës Joniane.

Kryeministri Rama, sëbashku me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishte sot në këtë vepër, e cila është në prag të përfundimit, por e hapur për lëvizjen e pushuesve. “Është një hapje provizore, pasi vazhdojnë punimet, megjithatë ne kemi marrë gjithë masat e sigurisë rrugore. Bypass-i është i kalueshëm nga të gjitha anët në këto momente dhe në të gjitha pikat që kemi diskutuar me Policinë e Shtetit prej ditësh e që i konsiderojmë pika kritike, për shkak të punimeve që vazhdojnë në disa zona, janë marrë masat e duhura, siç janë dy hyrjet e Kaninës. Ndërkohë vazhdon ndërtimi i urës së tretë dhe vendosja e semaforëve për të bërë një menaxhim të trafikut nga të dyja krahët pa problematikë. Kemi kërkuar nga Policia Rrugore forca të shtuara në të gjitha pikat ku ne konsiderojmë që mund të ketë aksidente të mundshme e për t’i pasur nën kontroll të gjitha këto pika”, – u shpreh Balluku.

I gjithë bypass-i do të monitorohet me radar shpejtësie.

Vështirësitë në kompletimin e kësaj vepre kanë qenë jo të pakta. “Mungesa e studimit gjeologjik në nisjen e kësaj vepre, siç ka ndodhur dhe herë të tjera, ka krijuar problematika të mëdha pasi jemi vendosur shpesh para të papriturave, si rasti i urës së katërt që ka pasur një vështirësi të madhe për të arritur deri në përfundim të saj dhe në të njëjtën situatë jemi dhe në urën e tretë. Sigurisht që zgjidhja teknike është gjendur, por duke kërkuar më shumë përpjekje, qoftë nga kompania, edhe nga ARRSH. Është shumë e rëndësishme që sigurisë rrugore i kemi dhënë vëmendjen maksimale. Jo vetëm për ta dorëzuar brenda afatit kohor, por edhe për të qenë totalisht të bindur që të gjitha kërkesat e sigurisë rrugore janë të përmbushura”, – theksoi ministrja e Infrastrukturës.

Koha e përshkimit të këtij aksi, 30 kilometra të gjatë, parashihet në rreth 20 minutat, duke respektuar limitet e shpejtësisë së vendosura, ndërkohë që pjesë e këtij projekti janë edhe ballkonet panoramike. Ky aks është një tjetër gur në gjerdanin infrastrukturës kombëtare, ndërkohë që puna vijon edhe në akse të tjera po kaq të rëndësishme.

“Rruga Orikum – Dukat vazhdon, është kantier i hapur, kemi pasur të gjitha proceset që duhen ndjekur dhe sa i përket lejes zhvillimore dhe të gjithë aplikimeve për lejet e ndërtimit. Atje ka nisur faza parapërgatitore dhe po ecet. Më 28 korrik përfundojmë procesin përsa i përket tunelit të Llogarasë dhe shpresojmë që të jetë i suksesshëm e të nisë menjëherë puna edhe aty, duke plotësuar gjerdanin infrastrukturor të jugut. Edhe kantiere të tjera janë të hapura si ai i rrugës Palasë- Dhërmi”,- tha ministrja Balluku.

Kryeministri Rama e vlerësoi punën e bërë në këtë aks, ndërsa shtoi se, “ky është lajm i shumëpritur prej vitesh. Sot jemi këtu për të thënë që kush niset për në jug, për të kaluar nga Vlora poshtë në bregdetin e Jonit, ka një mundësi komplet ndryshe nga ç’ka qenë sepse kalohet me lirshmëri të madhe dhe në një fragment natyre të panjohur, të pa eksploruar dhe shijuar më parë, me një udhëtim panoramik që e fut në klimën e pushimit çdo pushues, çdo vizitor, çdo turist. Koha është shfrytëzuar në mënyrë shembullore, sepse projekti ishte problematik, problemet ishin të pafundme, ngecjet, shpronësimet. Tani, ja ku jemi dhe këtu në vjeshtë nuk ka më kantier”.

Bypass-i i Vlorës do të shkurtojë lëvizjen e mjeteve dhe do të  nxisë zhvillimin e një tjetër zone plot potenciale dhe do t’u ofrojë udhëtarëve pamje mbresëlënës drejt bregdetit të jugut.