BERZH jep miratimin, hapet tenderi, vitin e ardhshëm nis puna për hekurudhën Tiranë-Durrës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 01/11/2019

BERZH jep miratimin, hapet tenderi, vitin e ardhshëm nis puna për hekurudhën Tiranë-Durrës

Hapet drita jeshile për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, me zgjatim Qafë e Kasharit – Rinas. Pas miratimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për hapjen e tenderit për realizmin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm, i cili sipas parashikimeve ligjore pritet të përfundojë brenda 2 viteve.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, në një komunikimin me mediat, bëri të ditur detaje sa i takon fazën në të cilën ndodhet projekti. Ai tha se janë zhvilluar një sërë negociatash intensive deri në arritjen e marrëveshjes, ku është gjetur mirëkuptimi edhe nga BERZH. Nga 25 kompani të cilat garuan fillimisht, pas fazës parakualifukese në garë kanë mbetur 10, të cilat do të paraqesin ofertat e tyre si nga ana teknike ashtu edhe nga ajo financiare.

“Me hapjen e tenderit, do të duhet që deri në datën 15 shkurt, 10 firmat e parakualifikuara të paraqesin ofertat e tyre teknike. Pra nga njëra anë mënyrën sesi do përkthehet në projekt i gjithë korpusi i standardeve dhe parametrave që ne kërkojmë për këtë hekurudhë dhe nga ana tjetër oferta financiare, duke pasur parasysh që fondi limit është rreth 70 milionë euro”, u shpreh Shkreli.

Zëvendësministri theksoi se projekti parashikon një linjë krejt të rindërtuar Tiranë-Durrës dhe një linjë krejt të re, Qafë e Kasharit-Rinas. Sa i takon financimit, shifra është e ndarë përgjysmë, gjysma në formën e grantit dhe pjesa tjetër hua.

“Më pas do të diskutohet mënyra e operimit, nga pikëpamja e operatorit që do t’a administrojë këtë hekurudhë, ku do të shihet jo vetëm fluksi i mallrave por dhe i pasagjerëve, që është një fluks shumë i shtuar sepse Tiranë-Durrës po bëhet një rajon ekonomik i përbashkët, pothuajse pa ndarje. Mendohet që çmimi i biletës të jetë normalisht nga 1.5 deri në 2 Euro, por gjithmonë duke tentuar që me ndihmën e subvencionimit të shtetit, të jetë tek 1.5 Euro”, nënvizoi Shkreli.

Projekti parashikon që trenat në këtë linjë të lëvizin me një shpejtësi që do të arrijë deri në 100 km/orë.