Balluku: Transporti publik të fillojë operimin, zbatim paketës së prezantuar nga Kryeministri - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 23/06/2020

Balluku: Transporti publik të fillojë operimin, zbatim paketës së prezantuar nga Kryeministri

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar sot se pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, transporti publik mund të fillojë menjëherë nga puna, sipas protokolleve të miratuara dhe të bëra tashmë publike. Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti të zhvilluar në fshatin Bërxullë të bashkisë Vorë, ku ministrja Balluku ishte e shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.

Ministrja rikujtoi edhe një herë masat që është angazhuar të marrë Qeveria për mbështetjen e kompanive të transportit publik, të prezantuara si një paketë nga ana e Kryeministrit Rama rreth një javë më parë, si dhe siguroi se po punohet me Ministrinë e Financave dhe me ministrin e Shtetit për Rimëkëmbjen, për të mundësuar incentiva të tjerë për këtë sektor të goditur keq nga situata e pandemisë së Covid-19.

 Deklaratat e plota të ministres Belinda Balluku dhe drejtorit të DPSHTRR, Blendi Gonxhja:

 Ministrja, Belinda Balluku

Ministrja e Shëndetësisë, kolegia ime Ogerta, ka njoftuar se tashmë transporti publik mund të fillojë të operojë, pasi ka rënë me vendim të Komisionit Teknik të Ekspertëve ndalimi i këtij shërbimi. Sigurisht ky shërbim ishte i ndaluar për shkak të kushteve parandaluese për përhapjen e pandemisë. Nga momenti që ekspertët thonë se tashmë mund të nisë ky shërbim, por besoj që dhe ekspertët janë nxitur nga kërkesa e lartë e të gjithë qytetarëve, të cilët tashmë kanë nisur të paraqiten në qendrat e punës, apo të çojnë fëmijët nëpër kopshte dhe çerdhe, kështu detyrimisht është dashur që ky transport të fillojë dhe të operojë.

Kemi pasur kërkesa të ndryshe nga Shoqatat e Transportit, pasi është e vërtetë që pas disa muajsh të bllokuar dhe pa operime, impakti financiar në kompanitë e tyre ka qenë i rëndë dhe ne jemi konsultuar dhe jemi munduar, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe sigurisht me Ministrin Ahmetaj, i cili ka përgjegjësinë e të gjithë paketave të rimëkëmbjes, të gjejmë incentiva të cilat do të mbështesin sektorin për tu rihapur.

E kemi thënë që një nga vendimet, të cilat janë marrë është njohja e 100%, nga 43% që ishte deri para pak ditësh, e shpenzimeve për konsumin e naftës nga kompanitë e transportit të udhëtarëve publike. Ne gjithashtu kemi kërkuar dhe kemi dërguar pranë Ministrit të Rimëkëmbjes listën e të gjithë punonjësve të këtyre kompanive, për të cilët ne si ministri kemi kërkuar që duhen mbështetur me pagën mbështetëse, që u është dhënë edhe bizneseve të tjera, apo edhe punonjësve të tjerë të ndërmarrjeve të ndryshme deri më sot.

Një nga pikat e tjera që kemi kërkuar është edhe mbështetja e pushtetit vendor në këtë paketë incentivimesh, që është përjashtimi nga taksat vjetore të pushtetit lokal deri në 31 dhjetor të 2020-ës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë patjetër mbështet dhe është detyrë e jona në fushën e përgjegjësisë, që të mundohemi të akomodojmë këto kërkesa, sigurisht sipas mundësive edhe të bashkive, apo edhe të paketave mbështetëse që Qeveria Shqiptare tashmë ka akorduar, për kalimin e kësaj faze kaq të vështirë financiare për shumë kompani edhe shumë shërbime. Megjithatë duhet kuptuar, që kjo është një situatë e vështirë për të gjitha palët dhe ne duhet ta kalojmë së bashku këtë, përmes një dialogu dhe përmes mirëkuptimit.

Gjithashtu ne po punojmë, në kontakt edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit, që duke filluar nga nesër, datë 24 qershor, të gjitha linjat e transportit, ato ndërqytetase, të cilat i përkasin si fushë përgjegjësie Ministrisë së Infrastrukturës, por besoj të njëjtën gjë do bëjnë edhe bashkitë, të fillojnë dhe të operojnë. Por duam edhe një herë të themi, atë që kolegia ime Manastirliu e ka thënë dhe nënvizuar se duhet të respektohen protokollet, të cilat ne tashmë i kemi bërë publike.

Askush nga pasagjerët nuk mund të hyjë në automjetet e transportit publik pa maskë. Sigurisht duhet të ofrohen edhe dezinfektuesit, apo gjithçka tjetër që janë pjesë e protokolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Task Forca do të jetë në të gjithë rrugët e Shqipërisë, për të kontrolluar të gjitha subjektet nëse janë duke aplikuar me rigorozitet të gjitha kërkesat e protokolleve. Duhet të kuptojmë, që patjetër rinisja dhe rikthimi në normalitet është shumë i rëndësishëm, por mbi të gjitha çfarë është e rëndësishme është jeta e secilit prej nesh dhe për këtë arsye ne duhet t’a mbrojmë duke aplikuar të gjitha këto protokolle.

Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja

Një element i rëndësishëm i ndihmës, që duhet përmendur dhe që ishte një ndihmë e madhe e bërë ndaj të gjithë operatorëve, është kompensimi i taksës TVMP, që është taksa vjetore e mjeteve të përdorura, e cila i është bërë të gjitha mjeteve 8+1. Ne i kemi pritur që të gjithë dhe u kemi zeruar për sivjet çdo detyrim. Ata që kanë paguar përpara pandemisë për vitin 2020, do ta kenë të zbritur në vitin 2021.

Pra është një paketë tjetër ndihme, ndërkohë që po merremi me kolaudimin dhe me kalimin pa pagesë edhe jashtë radhe me operatorin e kolaudimit, në mënyrë që të mos kemi as rëndesë për qytetarët, por të mos kemi as radhë për mjetet, që janë të mëdha dhe që mund të zënë trafik. Po punojmë edhe pasdite, po punojmë edhe në fundjavë dhe janë rreth 2600 mjete që janë tashmë kolauduar dhe janë gati për nesër për këtë gjë. Pra dhe kjo është një ndihmë, gjithçka çfarë mundemi. Nëse do të ketë bashkëpunim, mirëkuptim dhe një frymë, që ne jemi një dhe qytetarët janë përballë nesh, të cilëve duhet t’u shërbejmë, besoj që ne do të gjejmë zgjidhje.

Ministrja, Belinda Balluku

Unë jam e sigurt që të gjithë shoqëritë e transportit, edhe duke qenë vetë familjare, duke i kuptuar shumë mirë kushtet, qoftë të qytetarëve, por duke kuptuar dhe vështirësinë, që të gjithë së bashku qoftë financiarisht dhe qoftë psikologjikisht për shkak të mbylljes kemi pësuar, do të tregojnë mirëkuptim dhe nesër do të jenë në krye të detyrës, duke pasur parasysh që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor janë pranë tyre.

Jemi munduar të akomodojmë kërkesat e tyre dhe sigurisht mos harrojmë të themi një gjë shumë të rëndësishme, reformën e transportit publik. Nuk zgjidhet sot asgjë përmes veprimeve, të cilat po kërkojnë të ndikojnë në kthimin në normalitet apo thjesht mbështetje për këto kompani. Për ne e rëndësishme është reforma e thellë në transportin publik, një reformë të cilën ne e kemi nisur nga muaji janar për t’a dizenjuar.

Sigurisht me vonesat që krijoi COVID-i, por sot ne po mbyllim detajet e fundit, të cilat do t’i shpallim në muajin shtator, për të nisur implementimin në fillim të janarit të 2021 dhe për ta kthyer këtë sektor në një sektor model, me kapacitet të plotë në përmbushje të kushteve dhe të kritereve që transporti publik i një shteti evropian duhet të ketë, por mbi të gjitha duke pasur synim dhe duke pasur në mendjen tonë qytetarin, cilësinë që qytetari meriton edhe në këtë shërbim kaq të rëndësishëm, esencial dhe jetësor që është transporti publik.