Balluku prezanton ndryshimet ligjore për sektorin e energjisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 14/05/2020

Balluku prezanton ndryshimet ligjore për sektorin e energjisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i cilësoi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, si një tjetër hap drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të vendeve të BE-së, duke përmbushur në këtë mënyrë parakushtet dhe rekomandimet e Komisionit Europian në kuadër të procesit të integrimit.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja Balluku bëri të ditur atë çka synohet përmes kësaj reforme energjetike: “Krijimi i një kornizë të qëndrueshme rregullatore dhe të një tregu të aftë për të tërhequr investime në prodhimin e energjisë dhe rrjetet elektrike, qofshin këto investime të huaja apo vendase; Krijimi i një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare  dhe integrimin me tregun e Bashkimit Europian; Garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror; Nxitja e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht efiçenca e kësaj energjie, si dhe pika e fundi, zhvillimi i konkurrencës, çka është dhe më e rëndësishmja dhe ne po mundohemi ta nxisim sa më shumë”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë argumentoi nevojën për disa ndryshime dhe shfuqizime dispozitash në ligjin aktual, të cilat pengojnë arritjen e autonomisë së plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen (Unbundling) ligjore e funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrik.

“Për të siguruar pavarësinë e OST-së, deri më sot janë ndërmarrë një sërë hapash të cilat kanë mundësuar certifikimin e OST nga ERE.  Megjithatë, certifikimi është dhënë me kusht që brenda një afati kohor të caktuar të dëshmohet autonomia e shoqërisë, e cila realizohet nëpërmjet delegimit të kompetencave të caktuara nga Ministri përgjegjës për energjinë tek aksionari i shoqërisë”, nënvizoi Balluku.  Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi gjithashtu se “për realizimin e ndarjes ligjore dhe funksionale të OSHEE propozohen ndryshimet në Nenin 72, të këtij ligji, me anë të cilave synohet të garantohet pavarësia teknike, fizike, dhe financiare e tre kompanive bija të krijuara gjatë procesit të unbundling”.

Një tjetër ndryshim ligjor, bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është ai që parashikon angazhimin e një zyrtari nga ana e OSHEE-së, i quajtur i pajtueshmërisë, i cili do të jetë plotësisht i pavarur. Ky zyrtar do të hartojë një program që përcakton masat që do të merren për të siguruar ndalimin e veprimeve diskriminuese, si dhe të sigurojë që respektimi i programit të monitorohet në mënyrën e duhur. Gjithashtu do të ketë akses të plotë në informacionin e nevojshëm për mbarëvajtjen e detyrave të tij, si dhe do të paraqesë një raport vjetor në ERE.

“Qeveria Shqiptare është angazhuar me të gjitha kapacitet e saj, për të ndërmarrë çdo ndryshim ligjor e nënligjor, të nevojshëm për plotësimin e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian. Të gjitha hapat që kemi hedhur janë kryer në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit për Energjinë”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë teksa ftoi deputetë që të votojnë pro ndryshimeve të propozuara në ligjin për sektorin e energjisë elektrike.