Balluku prezanton draftbuxhetin për vitin 2021 në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 27/10/2020

Balluku prezanton draftbuxhetin për vitin 2021 në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi para deputetëve të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektbuxhetin për vitin 2021. Balluku bëri një prezantim të detajuar të të gjithë programeve, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbulon dhe shumën me të cilën ato janë parashikuar të financohen nga ana e Ministrisë së Financave.

“Draftbuxheti për vitin 2021, që i është akorduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë arrin në 49.3 miliardë lekë, nga të cilat shpenzime korente në vlerën 3.7 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet kapitale arrijnë në vlerën 45.6 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale sigurohen 27.4 miliardë lekë nga financimi brendshëm dhe nga financimi jashtëm 18.2 miliardë lekë”, u shpreh Balluku që në nisje të fjalës së saj.

Duke ju referuar edhe situatës së krijuar nga tërmeti dhe pandemia Covid-19, Balluku tha se Ministria e Financave ka miratuar në draftbuxhet 45% të shumës financiare, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar për vitin e ardhshëm, duke përmendur edhe shumën e akorduar për secilin prej programeve.

“Për vitin 2021 kemi një rritje të tavaneve buxhetore 4.2 miliardë lekë. Draft buxheti i miratuar nga Ministria e Financave na është akorduar 45% e kërkesës fillestare, që ne kemi bërë bazuar në projektet e reja që hapim apo në projektet që duhet të vazhdojnë apo edhe në kostot korente. Ashtu siç ju jeni në dijeni Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbështet të gjithë volumin e saj të punës në 12 programe buxhetore”, sqaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministria Balluku theksoi se programi për transportin hekurudhor dhe ai për transportin ajror janë dy nga programet kryesore, të cilat janë parashikuar të mbulohen financiarisht, thuajse plotësisht në shumën e kërkuar. Në këto dy sektorë janë duke u zhvilluar një sërë projektesh dhe financimi i plotë tyre është një garanci më tepër që ato të nisin menjëherë nga puna.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehu veçanërisht shqetësimin për fondin e parashikuar për transportin rrugor si dhe programin për furnizimin me ujë, dy prej sektorëve ku përfundojë shumë projekte gjatë vitit të ardhshëm. Në këtë pikë, ministrja Balluku e vuri theksin tek rëndësia për të mos krijuar detyrime të pashlyera, gjë të cilën kjo ministri ja ka dalë dy vitet e fundit, ku detyrimet e prapambetura për 2019-ën dhe 2020-ën janë zero.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ju dha përgjigje gjithashtu pyetjeve të adresuara nga deputetët, anëtarë të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.