Qendra e monitorimit dhe operimit në tunelin e Llogarasë është në funksion të plot. 24 orë në 7 ditë të javës, përmes kamerave dhe sistemeve të instaluara, mbikëqyret dhe koordinohet lëvizja e çdo automjeti i cili kalon përmes kësaj vepre.
Janë afro 50 punonjës pjesë e kësaj qendre, ku është vendosur edhe shërbimi zjarrfikës, i cili është në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo situatë emergjence.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër qendrën, ku u njoh në detaje me të gjithë punën monitoruese që po realizohet për të garantuar që qarkullimi i automjeteve të jetë sa më i sigurt.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se është ngritur një qendër moderne për të garantuar një operim pa problematika, ndërsa kërkoi edhe mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që lëvizin përmes tunelit që të respektojnë me përpikmëri sinjalistikën rrugore.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë drejtuesit e automjeteve të kuptojnë që janë të monitoruar brenda tunelit të Llogarasë. Edhe javën e fundit, që kemi rinisur operimet në tunelin e Llogarasë, kemi pasur raste të thyerjes së Kodit Rrugor, që e cila duhet evituar plotësisht. Në tunelin e Llogarasë nuk lejohen parakalime. Sinjalistika është e plotë dhe duhet respektuar. Gjithçka është e regjistruar dhe policia rrugore ka të thënat në çdo minutë nga operimi i tunelit”, u shpreh Balluku.
Zëvendëskryeministrja kërkoi angazhimin maksimal nga të gjithë punonjësit e Qendrës duke pasur parasysh faktin që në ditët e ardhshme fluksi i automjeteve pritet të jetë edhe më i lartë.
“Keni punë të rëndësishme sidomos gjatë sezonit verior. Aktualisht ka ngarkesë të konsiderueshme dhe do vijë duke u shtuar në qoftë se marrim parasysh që është vetëm muaji qershor. Nga ana tjetër jemi në një moment që duhet të vazhdojmë dhe të edukojmë të gjithë drejtuesit e automjeteve për të qenë sa më të kujdesshëm”, nënvizoi Balluku gjatë bisedës me punonjësit e qendrës, të cilët nga ana e tyre u shprehën të kënaqur me qendrën e ngritur.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë