Ministrja Balluku në Ministerialin e parë të Europës Juglindore - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 22/11/2022

Ministrja Balluku në Ministerialin e parë të Europës Juglindore

Prononcimi i plotë i Zv.kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në Ministerialin e parë të Europës Juglindore zhvilluar në Athinë:

 

Në Ministerialin e parë të Europës Juglindore të zhvilluar në Athinë, çka ishte një risi që duhet vlerësuar është fakti që përmes iniciativës të ministrit grek të Energjisë dhe Mjedisit, Skrekas u arrit që në atë tryezë të merrnin pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vende të Bashkimit Europian, siç është Rumania, Bullgaria, Italia dhe Greqia.

Sot rëndësi të veçantë ka siguria energjetike, por duke mos lënë mënjanë tranzicionin e gjelbër, atë që Shqipëria ka fatin që të mos luftojë për të, pasi i ka të gjitha kushtet, duke qenë se ne prodhojmë 100% energji të rinovueshme. Megjithatë një miks i rëndësishëm energjie, i cili do ti ofrojë vendit tonë sigurinë energjetike në të ardhmen, duke e bërë dhe një kontribuues për sigurinë energjetike të Ballkanit është ajo çka është më e rëndësishme dhe prioritare për ne.

Kemi diskutuar midis kolegësh, por edhe në një panel, i cili u shfaq para të gjithë aktorëve të energjisë për Ballkanin përsa i përket tranzicionit të gjelbër, përsa i përket të gjitha hapave që po ndërmerren për investime të rëndësishme të mbështetura nga institucionet europiane, por edhe nga vetë shtetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por sigurisht edhe në të gjithë Ballkanin, pasi sot duhet pasur parasysh që disa nga vendet e Ballkanit janë totalisht të ekspozuara ndaj gazit rus.

Kështu që një vlerësim të veçantë ka marrë edhe projekti i gazifikimit të Korçës, ashtu siç e kemi deklaruar edhe para pak ditësh, por nga ana tjetër ajo çka është më e rëndësishme për Shqipërinë dhe që e fut në hartën e vendeve me zhvillim të rëndësishëm në fushën energjetike është ndërtimi i Skavicës, hidrocentralit i cili do të jetë dhe depozita natyrore për vendin tonë për depozitimin e ujit dhe si rrjedhojë të rezervës energjetike, por nga ana tjetër është vlerësuar shumë dhe projekti i Vlorës. Projekti i Vlorës, i gazit të lëngshëm, së bashku me partnerët tanë, që tashmë nuk është vetëm Excelerate Power apo ExxonMobil, por sigurisht janë shtuar edhe partnerë të tjerë të rëndësishëm, siç është ENAGAZ spanjoll, TotalEnergies franceze dhe Overgaz bullgar.

Bashkëpunimi rajonal, bashkëpunimi midis të gjitha vendeve të Ballkanit, sidomos duke pasur në këtë grupim edhe vende që janë anëtare të Bashkimit Europian na forcon zërin përsa i përket investimeve në të ardhmen dhe suportin që duhet të marrin të gjitha këto vende nga fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin e burimeve të reja dhe alternative të energjisë, por sigurisht edhe për mbështetjen e paketave sociale në mbrojtje të qytetarëve dhe të bizneseve të vogla.