Balluku në Kukës, viziton një biznes fason dhe inspekton institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/05/2019

Balluku në Kukës, viziton një biznes fason dhe inspekton institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar një vizitë në qarkun e Kukësit ku ka inspektuar disa nga institucionet kryesore që ofrojnë shërbime publike për qytetarët, ndërsa është ndalur edhe në një biznes fason në të cilin janë punësuar 105 punonjëse me ndërmjetësimin e Zyrës së Punës.

“Vendosja të vija në këtë fasoneri pasi kisha dëgjuar fjalët më të mira. Këtu punojnë 105 zonja nga zona juaj, të cilat nga sa unë fola me to, janë shumë të kënaqura me kushtet e punës. Janë të gjitha të siguruara, të gjitha kanë kontratë afatgjatë të punës dhe Zyra e Punës këtu në Kukës ka bërë një punë shumë të mirë”, u shpreh ministrja Balluku.

Administratorja e këtij biznesi fason i bëri të ditur ministres Balluku se produktet që ata prodhojnë shkojnë për eksport dhe për shkak të kërkesave po planifikojnë zgjerimin e fabrikës çka do të bënte të mundur edhe rritjen e numrit të të punësuarve.

“Ne punojmë me një klient gjerman, dhe produktet tona shkojnë direkt për këtë klient. Bëhet direkt eksport me jashtë. Fasoneria është hapur që në tetor të 2017-ës ndërkohë që punonjësit kanë nisur punë në prill të 2018-ës”, u shpreh administratorja e biznesit.

Nga ana e saj, ministrja Balluku duke e vlerësuar investimin tha se ky është një shembull të cilin duhen ta ndjekin edhe sipërmarrës të tjerë.

Ministrja Balluku u ndal në inspektimin e saj në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në këtë drejtori, ashtu sikundër edhe drejtoritë e tjera rajonale, shërbimet e kërkuara nga qytetarët ofrohen në një kohë më të shpejtë duke ulur kohën e pritjes, por edhe sorollatjet nëpër disa sportele. Punonjësit e DRSHTRR Kukës përmendën veçanërisht vendimin që tashmë shërbimi për ndërrimin e pronësisë së mjeteve ofrohet pranë këtyre zyrave.

Ministrja Balluku u ndal edhe në spitalin Rajonal të Kukësit, ku pa nga afër punimet për ndërtimin godinës së re të këtij spitali. Ndërtimi i saj do të bëj të mundur ofrimin e një shërbimi në kushte më të mira për të gjithë pacientët, ndërsa ajo do të përfshirë bllokun operator dhe urgjenca si dhe maternitetin. Gjithashtu Balluku bashkëbisedoi edhe me mjekët dhe infermierët që shërbejnë në spitalin Rajonal të Kukësit.