Balluku me ministrin Liburn Aliu në Portin e Durrësit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 31/01/2022

Balluku me ministrin Liburn Aliu në Portin e Durrësit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mirëpriti në Portin e Durrësit, Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, të cilin e njohu me projektet që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë për ndërtimin e portit të ri turistik dhe portit komercial, që do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos.

Ministrja Balluku theksoi se këto projekte nuk synojnë thjesht zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por synojnë një zhvillim ekonomik rajonal. Porti aktual do të zhvendoset për t’i lënë vendit ndërtimit të ballinës ujore, e cila do të kthehet në një pikë të rëndësishme turistike për të gjithë Mesdheun.

“Ne prej disa kohësh, më shumë se 2 vjet tashmë, kemi bërë një analizë të thelluar, studim fizibiliteti dhe gjithçka tjetër, të cilat na kanë nxjerrë një rezultat të qartë, që porti ndërkombëtar komercial i Durrësit duhet të spostohet në një zonë industriale, duke i dhënë mundësi qytetit të kthehet vërtet në një ‘hot spot’ turistik të Mesdheut, pasi ka gjithçka që i duhet për një gjë të tillë”, deklaroi Balluku duke theksuar se aktualisht po punohet për dizenjimin e projektit të portit të ri të Durrësit që do të ndërtohet në zonën në Porto-Romanos.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej në projektet e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës, kryesisht sa i takon transportit, duke sjellë në vëmendje mbledhjen e fundit të përbashkët mes dy qeverive, ku theksoi se tashmë janë hedhur edhe hapa konkretë për projektin e linjës hekurudhore Tiranë – Prishtinë.

“Të gjitha planet tona përputhen, si ato midis Kosovës dhe Shqipërisë, si ato midis nesh dhe Bashkimit Europian, kështu që me dëshirën e mirë për të punuar, me bashkëpunimin që ne kemi dhe unë jam me të vërtetë shumë e kënaqur që të kam ty si koleg, pasi kemi me të vërtetë një bashkëpunim shumë të mire, do t’ia dalim dhe këto punë të na ecin mbarë”, nënvizoi Balluku.

Për ministrin Liburn Aliu janë disa projekte që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë dhe që do të sjellin zhvillim ekonomik të përbashkët në të dy vendeve, duke veçuar në këtë pikë projektin hekurudhor Durrës-Prishtinë.

“Kjo linja që e lidh Durrësin me Prishtinën do të krijojë mundësi pastaj që nga aty të ketë mundësi shpërndarje mallrash në të gjithë regjonin. Dhe kjo është dhe për Prishtinën, por dhe për Tiranën, Kosovën dhe Shqipërinë, që të krijojnë një lloj lidhje ekonomike të ndërvarur e që do të sillte zhvillim ekonomik të jashtëzakonshëm. Automatikisht të gjithë kontenierët, që e kanë synim regjonin do ta zgjedhin Portin e Durrësit, e përmes kësaj hekurudhe shumë shpejt do të mund të arrijnë në qendër të regjonit dhe ku pastaj shpërndahen në gjithë regjonin”, tha Aliu.

Të dy ministrat vizituan edhe zyrën doganore të Kosovës e cila është e vendosur në Portin e Durrësit. Porti i Durrësit, tha Balluku, është shembulli më i mirë sesi Kosova dhe Shqipëria bashkëpunojnë në një mënyrë të shkëlqyer.  1/3 e volumeve që përpunohen në portin e Durrësit kanë destinacion Kosovën.