Ministrja Balluku takon ministrin grek të energjisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 13/05/2022

Ministrja Balluku takon ministrin grek të energjisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku priti në një takim ministrin e Energjisë dhe Mjedisit të Greqisë, Kostas Skrekas. Në një deklaratë të përbashkët për mediat pas takimit, të dy ministrat kanë informuar mbi temat e diskutimit.

Ministrja Balluku tha se kishte diskutuar me homologun grek për linjën e re të interkonjeksionit midis dy vendeve, për të cilën të dy Operatorët e Sistemit të Transmetimit kanë nisur punën menjëherë pas takimit që u zhvillua në janar të këtij viti në Athinë dhe pritet që brenda vitit të ketë një studim të mirëfilltë. Synimi është që brenda vitit 2030 linja e re e transmetimit midis Shqipërisë dhe Greqisë të jetë operative.

Në takim është diskutuar edhe mbi funksionimin e Bursës Shqiptare të Energjisë, nisur edhe nga fakti se pjesë e delegacionit grek kanë qenë edhe përfaqësues të kompanisë greke, e cila ka fituar të drejtën për të ofruar shërbimin e kësaj Burse. Ministrja Balluku njoftoi se në datën 23 nëntor parashikohet të nisë operimet Bursa Shqiptare e Energjisë, duke përmbushur kështu një kusht tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e tregut shqiptar, ashtu siç kërkohet edhe nga Bashkimi Europian.

Duke folur për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur një tjetër iniciativë të rëndësishme siç është aderimi i OST shqiptare në kompaninë e cila ofron sot shërbimet rajonale europiane. SEIEeNE CC është një nga gjashtë Koordinatorë Europiane Rajonalë të Sigurisë, që ka si qëllim koordinimin e OST-ve europiane në nivel rajonal, me qëllim bashkëpunimin në fushën e procesit të “green transition”. Aktualisht kjo kompani përbëhet nga OST e Bullgarisë, Greqisë, Italisë dhe Rumanisë. “Unë i kam kërkuar kolegut Skrekas që të na mbështesë politikisht përsa i përket kësaj kërkese të Republikës së Shqipërisë, sepse siguria energjetike edhe e vendit tonë do të shtonte sigurinë energjetike të rajonit dhe kjo është diçka e rëndësishme për të cilën ne do të insistojmë në të ardhmen edhe përmes kërkesës tonë në Komisionin Europian”, u shpreh Balluku.

Sektori i gazit ka qenë një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit dypalësh, nisur edhe nga fakti se të dy vendet, si Greqia me terminalin e Aleksandropulit, ashtu dhe Shqipëria me terminalin e Vlorës kanë vendosur që të investojnë në gazifikim në 10-vjeçarin e ardhshëm.

 

Fjala e plotë e ministres Balluku:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Kam pasur kënaqësinë sot që të kem në Tiranë kolegun, homologun tim, ministrin Kostas Skrekas, Ministrin e Energjisë dhe të Mjedisit të qeverisë greke. Duhet të them që në 4 muajt e fundit kemi pasur takime intensive midis dy palëve tona dhe kjo më jep sigurinë që në të ardhmen të gjitha punët që kemi nisur sëbashku dhe të gjitha projektet do të avancojnë ashtu siç duhet. Në një kohë të vështirë kur padyshim energjia është kthyer në një nga elementët më të fortë të luftës me të cilën po përballet jo vetëm Europa, por e gjithë bota, duhet që të kemi parasysh që siguria energjetike është nga elementët më të rëndësishëm dhe sidomos përsa i përket bashkëpunimit rajonal ai sot është në krye të listës, ndaj edhe vizita e ministrit Skrekas në Tiranë ka një rëndësi të veçantë për qeverinë tonë.

Duhet thënë që kemi pasur sot një takim të rëndësishëm, jo vetëm bilateral, por edhe një takim të dytë së bashku me të gjithë partnerët dhe skuadrat tona të cilat punojnë në fushën energjetike dhe kemi diskutuar projekte konkrete që bëjnë pjesë të axhendës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë për qeverinë shqiptare dhe sigurisht edhe të axhendës së Ministrisë së Energjetikës dhe Mjedisit për qeverinë greke.

Një nga çështjet më të rëndësishëm që kemi diskutuar ka qenë linja e re e interkonjeksionit midis dy vendeve tona për të cilën të dy operatorët e transmetimit kanë nisur punën menjëherë pas takimit  që ne kemi pasur në janar të këtij viti në Athinë, një takim zyrtar dhe kjo punë tashmë ka avancuar. Presim që brenda vitit të ketë përfundimin e një studimi të mirëfilltë përsa i përket kësaj linje dhe nga i gjithë informacioni që sot morëm nga dy drejtorët e kompanive të transmetimit, ne synojmë që brenda vitit 2030 linja e re e transmetimit midis Shqipërisë dhe Greqisë të jetë operative.

Kemi diskutuar për një çështje shumë të rëndësishme, duke qenë që edhe përfaqësuesi i kompanisë greke ndodhet si pjesë e delegacionit këtu në Tiranë, përsa i përket ngritjes së Bursës Energjetike shqiptare që tashmë prej kohësh ne i kemi hedhur të gjitha hapat e duhura. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me konsorciumin grek dhe si datë finale për nisjen e operimeve është dhënë 23 nëntori i këtij viti kur ne do të performojmë duke përmbushur kështu një kusht tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e tregut shqiptar, ashtu siç kërkohet edhe nga Bashkimi Europian.

Kemi diskutuar gjithashtu, por do të lë kolegun Skrekas që ta thotë këtë lajm të mirë, përsa i përket edhe mundësive të investimeve që pala greke mund të bëjë në territorin shqiptar, përsa i përket burimeve të reja energjetike, sigurisht flasim gjithmonë midis nesh për burime të gjelbërta energjetike, duke qenë se si Greqia që është vend anëtar i Bashkimit Europian, por edhe Shqipëria me statusin që sot ka është e nevojshme që të gjitha investimet të shkojnë në burime të gjelbërta, ashtu siç është bazuar tashmë plani ynë i zhvillimit në axhendën e gjelbër të Bashkimit Europian.

Diçka tjetër që kemi diskutuar, të cilën e kemi diskutuar në detaj, duke qenë se që të dyja vendit, si Greqia me terminalin e Aleksandropulit, ashtu dhe Shqipëria me terminalin e Vlorës kemi vendosur që të investojmë në  gazifikim në 10 vjeçarin e ardhshëm. Kemi diskutuar dhe kemi shkëmbyer eksperiencën tonë përsa i përket të gjitha planeve që ne kemi, duke krijuar portin e lundrueshëm në Vlorë, shpërndarjen e gazit apo edhe ndërtimin e linjës së re të gazit të linjës jonaine-adriatik ku një pjesë e saj parashikohet që të ngrihet përmes projektit të gazifikimit të terminalit të Vlorës duke ndërtuar kështu një appline e cila do të jetë 30 kilometra e cila do të lidhë terminalin portual të Vlorës me exitpoint-in e Fierit.

Kemi diskutuar mbi të gjitha zhvillimet që konsorsiumi TAP do të ketë në të ardhmen, mundësitë e investimeve në këtë projekt apo edhe kapacitetet gazsjellëse që republika e Shqipërisë do të ketë nevojë në të ardhmen.

Ashtu siç e nisa fjalën time, do të thoja edhe një herë që bashkëpunimi rajonal është mjaft i rëndësishëm dhe për këtë arsye kemi diskutuar një tjetër iniciativë të rëndësishme  adreimin e Operatorit të Transmetimit në kompaninë e cila ofron sot Shërbimet Rajonale Europiane dhe që përbëhet nga operatori grek, operatori italiane, operatori bullgar dhe që është një pjesë e rëndësishëm përsa i përket të gjitha shërbimeve të transmetimit që kryen për këtë pjesë dhe rajon të Europës. Do të ishte e udhës që Shqipëria të aderonte, por sigurisht kjo duhet bërë me aprovimin e Bashkimit Europian dhe unë i kam kërkuar kolegut Skrekas që të na mbështesë me shtytje politike dhe me një vendim politik përsa i përket kësaj kërkesë të Republikës së Shqipërisë, sepse siguria energjetike edhe e vendit tonë do të shtonte sigurinë energjetike të rajonit dhe kjo është diçka e rëndësishme për të cilën ne do të insistojmë në të ardhmen edhe përmes kërkesës tonë në Komisionin Europian, por e bërë kjo nga një shtet partner, ashtu siç është Greqia, unë mendoj që do të jetë një bashkim forcash dhe ne do t’ia dalim që të bëhemi pjesë e kësaj bashkësie kaq të rëndësishme për sigurinë energjetike në Europë.

Dua të falenderoj edhe njëherë të gjithë palën greke, të gjithë ekspertët që ndodhen këtu me ne, drejtuesit e kompanive shtetërore. Dua të falënderoj kolegun tim Skrekas, të cilën e konsideroj tashmë një mik, pasi jemi duke punuar ngushtësisht dhe kam gjetur me të vërtetë një mbështetje të rëndësishme përsa i përket të gjitha zhvillimeve dhe kërkesave që ne kemi pasur për palën greke, duke i siguruar që pala shqiptare është e gatshme për bashkëpunim dhe ne vlerësojmë eksperiencën të cilën po shkëmbejmë dhe mbështetjen që do të shkëmbejmë në të ardhmen.