Balluku inspekton punimet për ndërtimin e stacioneve në hekurudhën Tiranë-Durrës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 18/08/2025

Balluku inspekton punimet për ndërtimin e stacioneve në hekurudhën Tiranë-Durrës

Në kantierin e ndërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, me degëzim në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka nisur puna edhe për ndërtimin e stacioneve të pasagjerëve, një element i rëndësishëm i këtij projekti. Përgjatë gjithë kësaj linje do të jenë tetë stacione.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e hekurudhës, Ergys Verdho inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në kantierin ku po punohet për ndërtimin e stacionit të pasagjerëve në zonën e Kasharit.

Zëvendëskryeministrja, Balluku tha se ndërtimi i stacioneve është një tjetër hap i rëndësishëm i këtij projekti të shumëpritur i cili do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve. Balluku shtoi më tej se tashmë hekurudha shqiptare ka hyrë në një fazë të re dhe duke nisur nga viti i ardhshëm marrin jetë të tjerë projekte me ndikim të rëndësishëm në lëvizjen e qytetarëve dhe ekonominë kombëtare.

“Gjatë vitit 2026 do të kemi mundësi që ti japim jetë edhe projekteve të reja të cilat nuk janë të bazuara në fondet e WBIF-it apo në fondet e Komisionit Europian, pasi tashmë Hekurudha Shqiptare do të mbajë një peshë zhvilluese të projekteve gjithashtu. Këtu veçojmë hekurudhën e cila është hekurudha e kombit, ajo që është shumë e rëndësishme, hekurudha midis Kosovës dhe Shqipërisë, Shkodër deri në Gjakovë, por ka qendër Durrësin duke qenë se bëhet fjalë për të gjithë zhvillimin ekonomik që vjen nga porti i ri që do të ndërtohet në Porto Romano. Nga ana tjetër ajo që është e rëndësishme duhet thënë që ne do të fillojmë menjëherë ndërtimin edhe të hekurudhës për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, pra ajo që lidh Vlorën me VIA-n, por nga ana tjetër do të rivitalizojmë edhe segmentin nga Rrogozhina në drejtim të Fierit dhe nga Fieri në VIA”, nënvizoi Balluku.

Nga ana e tij, drejtori Verdho vlerësoi ecurinë e deritanishme të punimeve për këtë projekt, duke sqaruar gjithashtu se tetë stacionet që do të ndërtohen do të jenë të vendosur në Tiranë, Kashar, Sukth, Shkozet,  Durrës,  Epoka  dhe aeroporti i Rinasit.