Balluku inspekton punimet për laboratorin e ri të ISHTI-t - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/10/2019

Balluku inspekton punimet për laboratorin e ri të ISHTI-t

Strukturat e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial do të kenë shumë shpejt në dispozicion laboratorin e ri, duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në cilësinë e procesit të analizimit të mostrave të hidrokarbureve por njëkohësisht duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes për subjektet, sa i takon cilësisë së produktit që ata tregtojnë.

Laboratori i ri, i cili është ngritur në zonën e Porto Romanos në Durrës, pritet të vihet në funksion brenda muajit tetor ndërsa do të jetë i pajisur me pajisje të teknologjisë së fundit çka pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor të punës në këtë inspektorat.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin Admir Abrija, ndoqën nga afër punimet që po bëhen për vënien në funksion të këtij laboratori.

Kryeinspektori Abrija tha se laboratori i ri do të ketë pjesë të tij dy impiante kryesore, atë për përpunimin e naftës dhe nënprodukteve të saj si dhe impiantin e përpunimit të gazit natyror. “Kanë përfunduar punimet e jashtme dhe e gjithë pjesa e strukturës akomoduese të pajisjeve në laborator. Kemi bërë dy impiante kryesore, impiantin e përpunimit të hidorkarburit të naftës dhe nënprodukteve të saj dhe impiantin e përpunimit të gazit natyror”, u shpreh Abrija.

Kryeinspektori theksoi gjithashtu se falë këtij laboratori shkurtohen ndjeshëm koha e pritjes për subjektet deri në daljen e vlerësimit të produktit, nga 12 orë që është aktualisht, në 1 orë. Kjo do të kursejë shumë dhe shpenzimet operative që vetë subjektet kanë në kohën e përpunimit.

Duke vlerësuar pozicionimin e laboratorit pranë portit, ministrja Belinda Balluku tha se kjo do të ulë ndjeshëm kohën e procesit ndërsa vlerësoi edhe masat e sigurisë sa i takon laboratorit.

“Duke qenë dhe afër dy porteve kryesore, ku ne kemi dhe lëvizjen e karburanteve, si ato që importohen  si dhe eksporti, në kohë rekord besoj do të kemi të gjitha të dhënat. Është një ndërtese e sigurtë, gjë të cilën ne po kërkojmë t’a bëjmë dhe tek ndërtesa qendrore në Tiranë, pasi të gjitha ekzaminimet që ISHTI bën duhet të jenë në kushte të sigurta dhe të mos këtë asnjë ndërhyrje nga jashtë”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur gjithashtu se gazi do të ketë një vëmendje të veçantë, pasi strategjia e Qeverisë Shqiptare është që brenda 5-vjeçarit të ardhshëm të bëhet e mundur gazifikimi i vendit.

“Objektivi ynë është që përmes Albgazit, gjithë kjo strategji të implementohet brenda 5-vjeçarit të ardhshëm dhe e gjithë Shqipëria të gazifikohet. Synimi kryesor është që të mos përdoret më elektriciteti për t’u ngrohur dhe për shumë fusha të tjera, siç janë ndërmarrjet e mëdha, por të përdoret gazi. Kështu që gazi është një volum i hidrokarbureve që do vëmendje të veçantë”, theksoi ministrja Balluku.

Laboratori i Porto Romanos do të analizojë më shumë se 80% të gjithë sasisë së hidrokarbureve që konsumohen në tregun e brendshëm si dhe hidrokarbureve që eksportohen jashtë Shqipërisë.