Balluku inspekton punimet në Unazën e Madhe - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/08/2022

Balluku inspekton punimet në Unazën e Madhe

Shpronësimet janë një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në ecurinë e projektit madhor të Unazës së madhe të Tiranës, pjesës nga Sheshi Shqiponja deri Shkozë. Gjatë një inspektimi të zhvilluar sot në Lotin 2 të kësaj vepre, që shtrihet në njësinë administrative Paskuqan, të Bashkisë Kamëz, Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se Vendimi i Këshillit të Ministrave, i datës 15 qershor, i jep zgjidhje të gjithë kësaj problematike duke trajtuar edhe banesat të cilat nuk janë të legalizuara dhe se asnjë banor nuk do të mbetet jashtë këtij procesi. Sipas saj, Qeveria Shqiptare ka dhënë prova se është gjithmonë në krah të qytetarëve, ashtu si në rastin e tërmetit.

“Kemi një zonë me banesa të dendura, një zonë kryesisht informale dhe për këtë arsye na është dashur që ta bazojmë të gjithë zgjidhjen proceduriale mbi një VKM, për të qenë të qartë dhe për t’i dhënë mundësi edhe bashkive, si të Tiranës ashtu dhe të Kamzës, që të kenë një mbështetje përsa i përket të gjithë procedurës. Tashmë ne nuk konsiderojmë për zgjidhje vetëm ato shtëpi të cilat kanë letrat dhe janë të legalizuara, apo janë të ndërtuara në mënyrë të ligjshme, por edhe ato banesa ku qytetarët jetojnë prej vitesh, por nuk i kanë të legalizuara, sepse janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme”, tha Balluku.

Zv.Kryeministrja vijoi më tej të sqarojë procedurën që është parashikuar nga VKM për të trajtuar të gjithë qytetarët, banesat e të cilëve preken nga ky projekt:

“E rëndësishme është që ne kemi gjetur një zgjidhje duke u mbështetur pak a shumë edhe në procedurën e mëparshme të rindërtimit, duke i akomoduar me një bonus qeraje për tre vite këto familje, duke u dhënë më pas mundësinë të dyja bashkive, që t’i akomodojnë sipas një formule me metër katror që i përket çdo anëtari të familjes dhe për të përmbyllur një cikël duke sistemuar këto familje një herë e përgjithmonë, por duke i dhënë mundësi Tiranës për të pasur një vepër kaq të rëndësishme siç është Unaza e saj e Madhe”, nënvizoi Balluku.

Gjatë inspektimit të punimeve Zv.Kryeministrja shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli dhe drejtori i ARRSH, Evis Berberi.

Nga ana e tij kryebashkiaku Suli sqaroi se afro 90% e familjeve që preken nga ky projekt në zonën e Paskuqanit, pas daljes së VKM-së, kanë firmosur kontratat me Bashkinë e Kamzës duke i hapur rrugë projektit, teksa shtoi se procesi po vijon edhe me familjet e tjera. “VKM-ja e fundit bën të mundur që për herë të parë pas 30 vitesh Qeveria të mendojë dhe për familjet të cilat kanë objekte të palegalizuara. Në zonën e Paskuqanit janë 133 familje. Deri më tani kemi përfunduar 95 kontrata që janë lidhur me familjet të cilat janë dakordësuar për qiranë që do të marrin për 3 vite”, tha Suli.

Drejtori i ARRSH, Evis Berberi bëri të ditur detaje të këtij projekti duke theksuar se aktualisht po punohet në disa pika të këtij segmenti. “Rruga do të ketë një gjerësi prej 28 metrash, dy korsi kalimi nga 3.75 metra, korsinë e emergjencës 3 metra, pra është një rrugë që ka dhe korsinë e emergjencës së dedikuar. Kemi trafik ndarësen në mes e cila do të ketë gjelbërim, 1.8 metra. Ky është një nga segmentet më të gjatë që kemi në të gjithë Unazën për këtë arsye puna është e fokusuar në disa pika. Po punojmë paralelisht në katër segmente në mënyrë që të kapim afatet e vendosura në projekt”, tha Berberi.

Projekti parashikon ndërtimin e një rruge të kategorisë A me një gjerësi prej 28 metrash, ndërsa pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një mbikalimi këmbësorësh, si dhe një ure me gjatësi 126 metra. Në lotin 2 deri më tani janë realizuar punime ku nuk ka pasur problematika që lidhen me shpronësimet. Punimet kanë të bëjnë me gërmimin e trupit të rrugës, betonimi i pilotave të urës si dhe ndërtimi i mureve mbajtës.