Punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë po ecin me ritme të shpejta. Gërmimet po kryhen nga të dyja drejtimit, Dukati dhe Palasa dhe deri më tani janë hapur afro 1.8 kilometra. Janë rreth 250 punëtorë të angazhuar aktualisht në këtë kantier ku po avancohet me afro 20 metra çdo ditë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektuan punimet për këtë vepër.
Drejtori i ARRSH bëri të ditur se punimet nuk janë fokusuar vetëm për hapjen e tunelit, por edhe tek ndërtimi i rrugëve ndihmëse të cilat do të shërbejnë për daljen nga tuneli. “Në total kemi 1800 metra gërmime të kryera në tubin kryesor. Është një tub me lartësi 4.7 metra, me gjerësi totale prej 9 metrash duke përfshirë korsinë e kalimit të mjeteve dhe nga të dy krahët kemi një trotuar të vogël. Janë kryer punime me ritme të kënaqshme. Gjeologjia është shumë e mirë, kemi qëlluar në një shkëmb gëlqeror të pastër dhe kjo na ka ndihmuar që të ecim me ritme të mira”, u shpreh Berberi.
Gërmimet për hapjen e tunelit, parashikohet që të përfundojnë në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm, tre muaj para afatit të parashikuar.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se nga ana e kompanisë që po realizon punimet ka një angazhim për ta përfunduar veprën para afatit të kontratës, teksa bëri të ditur se edhe tuneli i emergjencës po hapet sipas të gjitha parametrave, pasi duke pasur parasysh zhvillimet në zonën e bregdetit të jugut, të cilat do të shoqërohen edhe me rritje të fluksit të lëvizjes, ky tunel mund të shërbejë në të ardhmen si një tunel i dytë për qarkullimin e automjeteve.
“Jemi duke parë të gjitha mundësitë teknike për ta zhvilluar atë tunel emergjence nga një tunel thjesht për dalje në një shtrat tuneli, i cili mund të kthehet në të ardhmen, për shkak të rritjes së volumeve të trafikut edhe në një tunel të dytë. Projekti është i parashikuar me një tub me dy kalime, por duke pasur mundësinë e kësaj gjeologjie të mirë ne jemi duke bërë të gjitha kalkulimet për të ndërtuar një tub të dytë, i cili mund të kthehet në të ardhmen, pra në një tub kalimi kryesor dhe jo thjesht në një tub emergjence”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e cilësoi tunelin e Llogarasë si një ndër veprat me të rëndësishme infrastrukturore e cila do të lehtësojë aksesin drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e të gjithës zonës.
“Tuneli i Llogarasë ka qenë dhe do mbetet një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në Republikën e Shqipërisë, por jo vetëm për nga kompleksiteti dhe nga çfarë i ofron në aspektin e gjerdanit infrastrukturor të gjithë pjesës së jugut, por duhet thënë se ky tunel do të çlirojë të gjithë problematikën që ne kemi pasur edhe me investitorët e huaj, të cilët i kërkonin me të drejtë Qeverisë Shqiptare një aeroport jo më larg se 45 minuta nga vendi ku ata do të ndërtojnë, ose rrugë të cilat do ta bëjnë këtë aeroport që të jetë afër ndërtimeve të tyre”, nënvizoi Balluku.
Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 5.9 kilometrash. Ndërtimi i kësaj vepre jo vetëm shkurton distancën drejt bregdetit të jugut, por rrit edhe sigurinë rrugore në këtë segment.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë